Stilistja nga Gjilani në vëmendjen e shtëpive të modës në Florida - Business Magazine Albania

Stilistja nga Gjilani në vëmendjen e shtëpive të modës në Florida

Stilistja nga Gjilani

Intervistoi Eridon Elshani

Kush është Elife Arifi, dizajnerja e re nga Gjilani i Kosovës, veshjet e së cilës, po vishen dhe promovohen në Florida të Amerikës?

Elife Arifi është vetëm 24 vjeçe. Ka studiuar dizajnin grafik në shkollën e mesme të Artit Pamor në Gjilan. Në vitin 2014, ajo i vazhdoi studimet në Akademinë Shtetërore për Art Konceptual dhe Media të Reja, të cilat i përfundoi në vitin 2018. Elifja gjithmonë ka pasur pasion modën. Arti dhe moda kanë qenë dy hemisferat në të cilat ajo e ka gjetur identitetin e saj. Pasi mbaroi universitetin, e shtyrë nga entuziazmi, vrulli rinor dhe nga një dëshirë për revolucion që e karakterizon çdo njeri krijues, Elifja filloi të kërkojë atë që i mungon modës. Nëpërmjet talentit, guximit dhe zellit të saj, vetëm për një vit e gjysmë pune, ajo ka arritur të mbushë zbrazëtira dhe të rrezatojë origjinalitet në modën e sotme, të cilën, për hir të së vërtetës, e ka kapluar klisheja dhe epshi i tepërt për luksozen.

Artikulli u publikua më parë në faqen 26 të numrit 23 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.

Elifja thotë se si artiste, ti posedon një bagazh të fortë për ta shprehur atë që ty të duket se i mungon modës. Ajo është e talentuar në skicë, pikturë, vizatim, si dhe ka marrë pjesë në ekspozita prestigjioze në vendet e huaja. Bazamenti i saj artistik i ndihmon shumë në rekreacionet e ndryshme të modës.

Ajo që e ka shtyrë Elifen të zgjedhë dizajnin e modës është ndarja që i ka krijuar vetes, ndërmjet modës shumë ekstravagante dhe thjeshtësisë së rrobave të përditshme.

Për nga natyra e përdorimit të ngjyrave, Elifja është shumë kreative dhe ekspresive. Një kombinim shumë interesant i saj është integrimi i elementeve ekstravagante me jetën e përditshme. Ajo ka pasur guximin të krijojë një trend të ri në treg, treg në të cilin dizajnerët lokalë dhe ata rajonalë e kanë mbushur me fustane shumë “të rëndë”, të përbërë nga elemente të tepërt apo glamorozë. Këto elemente dhe detaje, Elifja i ka sofistikuar mirë, për t’i integruar ato në veshjet e jetës së përditshme. Modelet e saj të palltove, fustaneve, janë veshje të përditshme, me shumë shik dhe ngjyra. Kombinimi i saj është shumë i vështirë për t’u arritur, pasi veshjet e saj mund t’i veshësh çdo ditë dhe të ndihesh shumë rehat në të njëjtën kohë.

E pyetur nga Business Mag se cilat janë aftësitë më të nevojshme për t’u bërë një dizajnere e suksesshme në modë, Elifja argumentoi se është aftësia për t’u diferencuar, pasi secili dizajner mundohet t’i sjellë modës diçka ndryshe.

“Qëllimi im prej fillimit ka qenë të bëjë diçka ekstravagante, për të përfshirë edhe përditshmërinë, për t’ia mundësuar secilit të ndihet rehat dhe i/e veçantë me veshjet e mia. Kjo mendoj se e dallon ELCreations prej kompanive dhe dizajnerëve të tjerë”.

Ndaj Elifja është një trendmaker, e cila ka guximin për t’i bashkuar dy gjëra, që askush deri më tani nuk ka arritur t’i bashkojë dhe për të nisur një sipërmarrje që ka mundësitë dhe kapacitetin për të arritur përmasa globale.

Te Elcreations, ajo nuk përdor asnjë software apo teknologji. Aty gjithçka punohet me dorë, sipas skicave. Pjesa më e preferuar e Elifes në punën e saj është manovrimi në kukull. Teknika e saj bazohet në lojën me materiale, ku e përfytyron se si do të duket punimi para se të bëhet gati. Një shembull është koleksioni i saj i palltove ekstravagante, me ngjyra, të veçanta për llojin e tyre.

E pyetur nga Businessmag për ecurinë e biznesit të saj, Elifja me mburrje u përgjigj  se nuk e kishte menduar që do të ketë aq shumë kërkesa për produktet e saj. Bashkë me ekipin e saj, e kanë filluar me shitje online, pastaj për shkak të kërkesave të mëdha, në maj të vitit 2019, e kanë hapur dyqanin e tyre në Gjilan.

Veshjet e Elifes janë pëlqyer shumë nga konsumatorët, veçanërisht nga estrada shqiptare, ku mund të përmendim aktoren e njohur Adriana Matoshi. Por kjo nuk është e gjitha. Elcreations, në vitin 2019 është kontaktuar nga agjencia prestigjioze e modës në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Medium Gallery, për diskutimin e një mundësie bashkëpunimi.

Për një dizajnere të re si Elifja, të kontaktohesh nga një agjenci amerikane që në fillimet e karrierës, duket e pabesueshme. Medium Gallery i ka kërkuar disa veshje të zgjedhura të Elcreations, për një set fotografik, por fotografitë i ka publikuar edhe në rrjetet sociale, duke i dhënë Elcreations, të gjitha atributet e merituara.

Është një arritje e madhe për një dizajnere kaq të re në moshë, me më pak se një vit në këtë biznes, që veshjet e saj të përdoren në tregun amerkan. Aq më tepër nëse kemi parasysh barrierat e shumta, më të cilat duhet të përballet një shtetas i Kosovës për të shpërthyer në tregun ndërkombëtar. Por nuk mbaron me kaq. Në sajë të bashkëpunimit me Medium Gallery, në një të ardhme të afërt do të zhvillohet edhe një Fashion Night, në të cilën Elcreations do të ketë vendin e vet në listën e bizneseve pjesëmarrësve që do të prezantojnë koleksionin e tyre të veshjeve.

Përveç Amerikës, Elifja thotë se suksesi nuk i ka munguar as në Europë, ku ka dërguar disa pallto dhe fustane. Ajo thotë se nuk do të ndalet së krijuari dhe shumë shpejt do të ketë projekte dhe surpriza të reja prej Elcreations.

Artikulli u publikua më parë në faqen 26 të numrit 23 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0