Gjej vetveten, Intervistë me Sheki Usein - Business Magazine Albania

Gjej vetveten, Intervistë me Sheki Usein

Gjej vetveten

Kush ka ndjekur eventin 3 ditor të Vasil Naçit në Nëntor të vitit të kaluar, ka jetuar përvojën e tij personale në seancën e meditimit që Sheki Usein zhvilloi, pasi foli para auditorit. Ai jeton në Zvicër, por projektet e tij janë orientuar drejt një impakti të gjerë. Meditimi është misioni i Sheki Usein. Sipas Shekit, meditimi të ndihmon të “sistemosh brendinë tënde, shtëpinë tënde”.

Në intervistën e zhvilluar me ne, Sheki flet për meditimin, ndikimin e tij tek njeriu dhe në veçanti tek sipërmarrësi. Ai jep këndvështrimin e tij personal, përmes disa këshillave.

Meditimi po merr një vend të rëndësishëm në jetën e njeriut tashmë edhe në botën perëndimore. Cilat janë vlerat e pakrahasueshme të tij?

Meditimi gjithmonë ka pasur një vend të rëndësishëm në jetën e njeriut, por ajo që ka munguar ka qenë VETËDIJA për të. Kjo ka filluar të ndryshojë dhe tematikat që kanë të bëjnë me vetënjohjen dhe vetëhulumtimin e asaj që bartim në vete, kanë fituar një kualitet të ri të trajtimit. Në përgjithësi, jam i bindur se jemi në një periudhë, në të cilën spiritualiteti, bashkë me të edhe meditimi, do të ndriçojnë sfera të ndryshme të jetës së njeriut, në veçanti të asaj se çka do të thotë me të vërtetë të qënit i suksesshëm në jetë. Një paradigmë e re do të bëhet e dukshme dhe e qartë, se rrënjët e një jete të suksesshme nuk qëndrojnë vetëm në të mirat materiale, pra në gjërat e dukshme për syrin, por para së gjithash në pjesën e padukshme, aty ku është e strehuar fuqia e vërtetë dhe autentike për zhvillim dhe rritje. Vlerat e meditimit janë të shumta, por vlera e pakrahasueshme është se vetëm nëpërmjet meditimit, do ta kuptosh se ti je shumë më i madh se mendja jote dhe se meditimi është i vetmi instrument, që ta rregullon brendinë tënde, pra shtëpinë tënde dhe qëndron i lidhur me qendrën tënde – me vetveten.

Artikulli u publikua më parë në faqen 32 të numrit 23 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.

Na jepni disa arsye pse duhet bërë meditimi pjesë e jetës sonë?

Arsyeja kryesore është që secili është i destinuar të jetojë një jetë të plotësuar, të lumtur, paqësore, me plot dashuri dhe pa frikë e vuajtje, por kjo nuk ndodh me secilin. Pse?

Mendja e njeriut e izolon Qenien Njerëzore. Madje, ajo mund të bëhet edhe burg i përjetshëm për të. Ajo, nëpërmjet intelektit krijon kufizimet, fragmenton, justifikon, planifikon dhe interpreton. Ajo ka tendencë të dominojë në këtë “lojë”. Mirëpo, ne nuk jemi vetëm Mendja. Ne jemi edhe Trupi, edhe Shpirti, edhe Vetëdija. Vetëm një Vetëdije e qartë mbi domosdoshmërinë e harmonisë së plotë mes Mendjes, Trupit dhe Shpirtit, do ta çlirojë nga izolimi dhe do të mundësojë shpërthimin e Njeriut të Ri me vlera më të fuqishme për një shoqëri të Re, me më pak xhelozi, zili, krahasim, konkurencë dhe beteja.

Mosnjohja e mjaftueshme e Vetvetes, mungesa e vullnetit të njeriut që të gjurmojë në brendi të tij, si dhe inferioriteti ndaj ligjeve universale e forcon edhe më tepër izolimin e Qenies Njerëzore. Meditimi do të të çlirojë dalëngadalë nga kontrolli i vazhdueshëm i Mendjes.

Nëse Mendja e njeriut do të vazhdojë edhe më tej të luajë rolin e Shefit në Qenien Njerëzore, atëherë do të vazhdojë historia e njerëzimit, ashtu si deri më tani. Deri tani, kjo histori nuk ka qenë paqësore dhe do të vazhdojë të (mos)mbetet si e tillë! Mendja e modernizoi dukshëm civilizimin, por nuk e solli paqen, ajo e shtoi bollëkun, por nuk e zvogëloi varfërinë, prodhoi ekspertë në fusha të ndryshme, por i shtoi edhe më tepër problemet. Nëse mendja nuk do të mësohet ta dëgjojë Zemrën, Shpirtin dhe të bashkëpunojë me intelegjencën trupore, që është një mister akoma i pazbuluar sa duhet, atëherë Qenia Njerëzore do të mbetet edhe më tej e izoluar. Vetëm nëpërmjet të menduarit, nuk mund të kuptohet dhe shijohet bukuria e jetës, kurse meditimi krijon një raport të ngushte në këtë korrelacion.

Nëpërmjet meditimit, do të mësohesh ta zbulosh, ta çmosh dhe ta jetosh veçantinë tëndë, duke kuptuar se shumica e normave të imponuara nga jashtë, nevojitet të “shijohen” me kujdes dhe se ato, jo rrallë herë, shkojnë në disfavor të zhvillimit të potencialit individual dhe atij shoqëror.

3- Sot shumë prej nesh themi “nuk kam kohë”, “jam shumë i zënë”, “bota është bërë shumë stresuese”, “të gjithë të duan për interes”, etj. Çfarë do t’u thonit këtyre personave?

Këta njerëz kanë të drejtë, por vetëm për veten e tyre, duke i parë gjërat nga perspektiva e tyre. “Nuk kam kohë” dhe “jam shumë i zënë” janë relative, kurse shprehjet “bota është bërë shumë stresuese” dhe “të gjithë të duan për interes” nuk janë të sakta, madje janë absurde! Këto janë thjesht besime apo bindje shumë të vjetra, që në vetëvete kanë të mbështjellur frikën dhe dyshimin.

Fakt është se civilizimi ynë, nëpërmjet digjitalizimit, i ka përshpejtuar shumë proçese, por kjo nuk do të thotë se na e ka marrë edhe timonin nga duart tona për ta menaxhuar veten. Apo jo?! Ne gjithmonë kemi mundësi, ose të lejojmë të bëhemi viktimë e ndikimit të rrethanave ose të bëhemi krijues të fatit tonë, duke kuptuar ligjet universale dhe duke investuar në zbërthimin e potencialit që bartim në vete. Ata që mendojnë se “të gjithë të duan për interes”, akoma nuk e kanë kuptuar, se pa e dashur veten tënde së pari, është e pumundur të të duan të tjerët dhe do të duket se gjithçka rrotullohet pas interesit. Unë mendoj se ka shumë njerëz që të duan pa interes, nëse ti je i hapur ta pranosh këtë, por nëse me të vërtetë mendon se bota nuk ka njerëz të mirë, atëherë bëhu ti pra njëri prej tyre. Filloje sot!

Një gjë nuk duhet harruar asnjëherë, se ajo që ne shohim te të tjerët dhe na shqetëson, është shpesh një pasqyrim i asaj që është ekzistenciale në brendinë tonë dhe njëherësh edhe LAJMËRIM se kemi për të bërë me veten akoma dhe më shumë punë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 32 të numrit 23 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.

Për të bërë biznes apo karrierë, e dimë që duhet të mësojmë dhe të punojmë shumë. Si mund të na ndihmojë meditimi për të patur sukses?

E vërtetë është se për biznes dhe karrierë, duhet të mësojmë dhe të punojmë shumë, por kjo është pjesërisht e saktë! Me shumë se çfarë bëjmë, në vijë të parë është jashtëzakonisht e rëndësishme se si i bëjmë gjërat që bëjmë. Cilësia e të vepruarit është kusht i domosdoshëm. Pikërisht në këtë aspekt ndihmon meditimi në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe shumë efikase. Nëpërmjet meditimit rritet zgjuarsia, vëmendja dhe cilësia e të vepruarit. Kjo të aftëson që punën dhe mësimin ta bësh me plot entuziazëm, që do të thotë se nëpërmjet teje rrjedh energjia e dashurisë në atë që bën. Kjo do të thotë se ai biznes apo veprim që bëhet me plot dashuri, nuk është i destinuar të dështojë. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se janë shumë të rrallë ata që kanë pasur sukses në ndonjë veprimtari që nuk e kanë dashur! Për ta thënë më hapur: nëse nuk ndien dashuri për atë që bën, atëherë të lutem bëj diçka tjetër.

Ajo që do të theksoja në kontekst me këtë, është se jo çdo mësim të shtyn drejt suksesit të duhur. Burimi i njohurive dhe prejardhja e inspirimit, janë jashtëzakonisht domethënëse në rrugëtimin drejt suksesit dhe karrierës. Mentorët si dhe modelet e suksesit mund të jenë dopingu dhe shpërthimi final për ju, që të qëndroni të karikuar me energji dhe të mos dorëzoheni para asnjë barriere. Por kujdes, sepse jo të gjithë ata që shfaqen në skenë si “modele suksesi”, apo mentorë të suksesit, janë me të vërtetë të tillë. Numri i tyre shkon duke u rritur nga dita në ditë. Për mua personalisht, në trevat shqipfolëse ekzistojnë dy modele të suksesit, madje duke vepruar edhe si filantropë shembullorë në këtë drejtim: Vasil Naçi, me projektin “Rruga drejt Suksesit” dhe Prof. Hetem Ramadani.

Si mund të na ndihmojë meditimi të gjejmë paqen tonë të brendshme?

Për të gjetur paqen e brendshme, meditimi së pari na shpëton nga kontrolli i vazhdueshëm i Mendjes. Duke u mbajtur peng nga Mendja, ajo nuk mund të krijojë paqe në brendi. Mendja nuk krijon as paqe dhe as dashuri. Madje, ajo mund ta prishë edhe njërën edhe tjetrën. Paqja e brendshme kushtëzon një Mendje të qetësuar. Kur kjo ndodh, atëherë fillojmë ta kuptojmë sistemin e brendshëm, respektivisht të rregullojmë “shtëpinë tonë” në favorin e Qenies sonë. Nga momenti kur arrijmë që Mendjen tonë ta trajnojmë në mënyrë të tillë, që ajo të jetë shërbëtorja jonë dhe jo e kundërta, (që ne të jemi nën urdhërin e saj), do të nënshkruhet paqa e brendshme. Mirëmbajtja e saj është kusht, që Mendja jonë të mësohet ta dëgjojë zërin e Zemrës, përndryshe çdo paqe e brendshme do të jetë e përkohshme. Zemra nuk pranon urdhrin e Mendjes, derisa nuk ndodh e kundërta, që Mendja ta dëgjojë Zemrën. Mendja dhe Zemra nuk guxojnë të jenë në opozitë me njëra-tjetrën.

E gjithë kjo, hap perspektiva të reja për të qenë paqësor edhe me të tjerët, edhe me veprimet e tua. Nuk mund të krijohet paqja në shoqëri nga ata njerëz që flasin për paqen, kurse në brendi të vetes kanë fushëbeteja të ndryshme. Kjo nuk funksionon në praktikë dhe ngjason me atë që predikon ujin, por pi verën!

Ajo që ndodh në brendinë tonë, herët ose vonë, do të manifestohet edhe jashtë. Kaq e thjeshtë është kjo.

Një aspekt tjetër për paqën e brendshme, është të bësh paqe me të kaluarën tënde. Nëse nuk do të falësh veten, njerëzit që të kanë shqetësuar apo kanë bërë padrejtësi ndaj teje, situatat që të kanë dëmtuar, etj.; atëherë është po ashtu e pamundur të kultivosh paqen e brendshme. Nëse nuk arrin të bësh paqe me të kaluarën tënde, atëherë nuk do të arrish asnjëherë të krijosh një paqe të brendshme të qëndrueshme.

Çfarë mesazhesh do t’u jepnit profesionistëve, sipërmarrësve të rinj dhe atyre që po kërkojnë të zhvillojnë më tej bizneset e tyre?

Për sipërmarrësit e rinj kam një sugjerim bazik konkret. Të mendojnë shumë më pak për lekët që do të fitojnë dhe shumë më tepër për vizionin e tyre. Lekët janë rezultati i asaj energjie që del nga realizimi praktik i vizionit që je duke jetuar. Lekët janë mirënjohja dhe shpërblimi i asaj që ke bërë më parë.

Nga ana tjetër, një këndvështrim personal i imi është se për të qenë i suksesshëm në jetë dhe në biznes, duhet t’i parashtrosh 2 pyetje vetes. E para është: Çfarë njeriu dua të bëhem në jetë? E dyta: Si do të nxjerr më të mirën e mundshme nga vetvetja, në shërbim të vetes dhe shoqërisë?

Kur të arrish një qartësi dhe harmoni, mes asaj çka dëshiron të bëhesh dhe çfarë potenciali ke sjellë me vete, atëherë do të jesh në baraspeshë të qëndrueshme mes pjekurisë së duhur në jetë dhe rritjes në biznes.

Nuk është kuptimi i vetëm i një Jete të jetohet vetëm për të bërë biznes, por edhe kuptimi i atij biznesi, të cilin ti e paguan me mungesën e lumturisë dhe boshatisjen e brendshme gjatë jetës tënde. Një ekuilibër është i domosdoshëm!

Aspekti tjetër i mesazhit tim për sipërmarrësit e rinj, si dhe menaxherët e rinj është se ata duhet të punojnë në mënyrë të vazhdueshme në kultivimin e këtyre cilësive:

–           Të jenë të aftë të krijojnë dhe organizojnë sisteme të veprimit.

–           Të aftësohen në mënyrë të vazhdueshme të menaxhojnë burimet njerëzore, duke investuar sistematikisht te vetja dhe te stafi i tyre.

–           Duhet të jenë në gjendje që të promovojnë dhe gjallërojnë rrjetëzimin në mes njerëzve, duke krijuar sinergji të reja të operimit.

–           Të kuptojnë se vetëm intelegjenca individuale nuk mjafton, por nevojitet edhe aftësia për të moderuar me intelegjencën e stafit që udhëheq.

–           Dhe në fund, të krijojnë rrethana, ku stafi i tyre nuk do të lëkundet mes frikës dhe shpresës, por do të ndërtojnë një kulturë konstruktive të unitetit për objektivat e përcaktuara nga sipërmarrja.

Sipërmarrësit që do ta kuptojnë dhe vlerësojnë se faktori NJERI është pjesa e pazëvendësueshme në biznes, qoftë për stafin apo për klientët, do të jenë në anën më të fuqishme të veprimit. Kjo do të thotë se përkundër modernizimit teknologjik dhe digjitalizimit, menaxhimi i burimeve njerëzore do të mbetet pjesa më delikate dhe sensitive e sfidave të sipërmarrësve për një biznes të suksesshëm.

Nga ana tjetër, njëra nga pyetjet jashtëzakonisht domethënëse që çdo sipërmarrës nevojitet t’i bëjë vetes është: A jam duke shtuar vlera me biznesin që bëj apo jo, si për veten ashtu edhe për shoqërinë?

Do të shtoja edhe diçka personale. Sipërmarrësit që arrijnë t’u japin kuptimin e duhur koncepteve që janë domethënëse për sipërmarrjen, si dhe të kenë kurajon të mendojnë ide që janë ndryshe dhe të mëdha, do të jenë me siguri më të përgatitur për suksese më kulminante. Nga historiku i njerëzimit dihet se idetë e mëdha kanë pasur një fillim qesharak, por në fund kanë triumfuar me fitoren e merituar.

A mund të ndani me ne disa këshilla praktike, të cilat mund t’i aplikojmë çdo ditë apo periodikisht për të arritur në fokus e paqe me veten?

Ndihma më e madhe është të mësohesh të mos ndalosh në vijë të parë e të presësh dhe shpresosh ndihmë nga jashtë, pa e ndihmuar së pari veten tënde. Hapin e parë duhet ta bësh vetë. Askush nuk mund të të ndihmojë në mënyrën e duhur, nëse ti së pari nuk mësohesh të fillosh vetë me këtë.

Secili njeri është për vetëveten një Qendër. Nëse nuk je i vëmendshëm se si e trajton këtë qendër, nuk kujdesesh se me çfarë ushqimi e furnizon trupin tënd, çfarë mendimesh apo informacionesh konsumon dhe nuk rilidhesh me natyrën, duke lëvizur në të dhe duke vlerësuar mrekullitë e saj, atëherë rrugëtimi yt do të jetë largimi edhe më tej nga vetvetja, kurse UDHËTIMI për në brendi të burimit, aty ku është kodi i vetes tënde të vërtetë, do të mbetet në mes të rrugës.

Trendi i së ardhmes do të jetë vetë Njeriu. Ai do të jetë i detyruar ta zbulojë veten, rolin e tij në këtë Planet, rëndësinë e ekzistencës së secilit këtu, të vlerësojë atë që i është dhënë në shërbim, të kuptojë se askush nuk është i tepërt këtu si dhe të marrë përgjegjësi serioze ta shpëtojë veten nga vetëshkatërimi i mundshëm.

Një sugjerim konkret e kam për të gjithë ata që e duan veten dhe që dëshirojnë të bëhen version më i bukur i vetes së tyre: Gjeni gjithmonë kohë për veten tuaj, mësohuni të qëndroni vetë, në heshtje, shëtisni dhe sodisni natyrën, MEDITONI dhe quajeni këtë kohë “Koha për vetëveten”. Kjo është koha më çmuar e jetës suaj dhe asnjëherë nuk do të mbeteni pa shpërblimin e duhur!

Artikulli u publikua më parë në faqen 32 të numrit 23 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.

Intervistoi A.Muçaj

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0