Bankat e nivelit të dytë kanë rritur komisionet, për veprimet që klientët kryejnë në sportelet e tyre përkatëse. Ky veprim bie në kundërshtim me vendimin e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, publikuar në datën 8 prill që heq të gjitha komisionet bankare për shkak të pandemisë.
“Ky vendim ka për qëllim mbështetjen e klientëve të bankave për vijimin e kryerjes së pagesave të tyre në kushtet e kufizimit të lëvizjes dhe gjithashtu mimimizimit të rreziqeve nga grumbullimi i popullatës në degët e bankave.
Më konkretisht, ky vendim synon të bëjë më tërheqës përdorimin e shërbimeve Homebanking, nëpërmjet eliminimit të kostove të këtij shërbimi. Njëkohësisht, në mbështetje të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë eleminon komisionet e aplikuara për përdorimin e sistemeve të pagesave të Bankës së Shqipërisë nga ana e bankave për të balancuar kostot e mbartura prej tyre”, shkruan Banka e Shqipërisë në datë 8 prill.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, duke e cilësuar të pamoralshme rritjen e komisioneve bankare, për veprimet, që kryejnë klientët e bankave përkatëse.
Tomorri i referohet njoftimit të bankës Credins, për komisionet ekzistuese, por edhe vendosjen e komisioneve të reja për veprime që më parë kanë qenë pa pagesë, si mbyllja e llogarisë dhe veprimet online.

Nga data 12 qershor banka Credins ka rritur komisionet me disa herë për veprimet e detyrueshme në bankë, ka shtuar komisione të reja për veprime, që më parë kanë qenë falas dhe mbi të gjitha ka rritur komisionet për pagesat e detyrueshme si taksat dhe sigurimet.
Megjithatë, sipas tij, nuk është vetëm një bankë që aplikon komisione jashtë normales. Ai thotë se pothuajse të gjitha bankat e nivelit të dytë, aplikojnë komisione për të gjitha veprimet, që kryhen në bankë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto