Mjeku që i kërkoi OBSH-së mbështetje për Shqipërinë, optimist për gjetjen e shpejtë të kurimit

Mjeku që i kërkoi OBSH-së mbështetje për Shqipërinë, optimist për gjetjen e shpejtë të kurimit


 

Fizikisht jam këtu në SHBA, por mendja dhe zemra ime është me shqiptarët në Shqipëri, do vazhdoj të jap kontributin tim sa të mundem. Nëse keni pyetje, mund të më kontaktoni sa herë të jetë e nevojshme”.

 “50% e luftës është brenda spitaleve dhe klinikave dhe 50% është në duart e qytetarëve, që zbatojnë protokollet”.

Mario Ademaj është mjek shqiptar, i cili punon në SHBA. Ai është larguar nga vendi që në moshën 7-vjeçare.

Doktor Mario Ademaj është trajnuar në UCLA, në Kaliforni. Tani punon në Çikago, në një klinikë ku zhvillohen teste dhe trajtime për pacientët e prekur nga COVID-19. Mario është president i Albanian International Medical Team, ekip vullnetarësh, mjekë dhe infermierë, që çdo vit ndërtojnë klinika dhe ofrojnë shërbime mjekësore falas në Shqipëri dhe Kosovë, prej 5 vitesh.

Lexoni: Protokollet, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura

Në një intervistë për BusinessMag, Dr. Ademaj na tregoi rreth punës së tij gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, ai ndau me ne disa këshilla të thjeshta për t’u zbatuar.

Ju keni studiuar për mjekësi dhe tashmë punoni në Çikago. A është pandemia sfida më e madhe në profesionin tuaj deri tani?

Patjetër që po. Jo vetëm për mua, por besoj se për të gjithë mjekët e kësaj gjenerate është një nga sfidat dhe luftërat më të vështira në profesion. Aq e madhe sa është vështirësia e kësaj lufte, aq e madhe do të jetë edhe kënaqësia që do të marrim pasi ta mposhtim këtë luftë. Nuk është hera e parë që përballemi me vështirësi shëndetësore dhe nuk do të jetë e fundit. E rëndësishme është të jemi optimistë sepse do t’ia dalim.

Ju punoni me orare të zgjatura në klinikën ku bëhen testime, si arrini t’a menaxhoni situatën?

Të gjithë punonjësit e shëndetësisë janë duke bërë sakrificë. Megjithatë, mendoj se e bëjmë me pasion dhe krenari sepse e dimë që puna jonë është shumë e rëndësishme për të shpëtuar sa më shumë jetë. Do të mundohemi të bëjmë të pamundurën për të gjetur zgjidhjen sa më shpejt. Unë më shumë se sa për veten, shqetësohem për familjen time. Sidomos për nënën, e cila është e moshuar dhe rrezikohet më shumë nga koronavirusi. Ne zbatojmë protokollet e nevojshme, për t’u mbrojtur nga COVID-19, megjithatë frika ekziston.

Si ju lindi ideja për t’i kërkuar ndihmë OBSH-së për Shqipërinë?

Unë e kam njohur mirë sistemin shëndetësor të Shqipërisë dhe Kosovës gjatë viteve të fundit, për shkak të klinikave që kemi ndërtuar vit pas viti. E di se sa i brishtë është ky sistem shëndetësor, prandaj vendosa t’i shkruaj një letër OBSH-së, për t’i kërkuar ndihmë përmes fondeve të emergjencës dhe pajisjeve shëndetësore. Shqipëria do të ishte rrezikuar shumë nëse përhapja do të kishte ndodhur njësoj si në Itali apo Spanjë, pasi ne nuk jemi një vend i pasur.

Lexoni: A do të ketë një valë të dytë të Covid-19

A është karantina zgjidhja më e mirë për të luftuar virusin korona?

Karantina u jep kohë mjekëve dhe shkencëtarëve të hulumtojnë për një zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive. Zgjidhja mund të gjendet vetëm përmes bashkëpunimit të qytetarëve me ekipet mjekësore. Karantina e mban kurbën nën kontroll dhe numrin e të infektuarve brenda kapacitetit të lejuar të spitaleve. Qëllimi i mjekëve është të shpëtojnë pacientët, që janë në gjendje kritike. Gjithashtu, po punojmë vazhdimisht edhe për gjetjen e vaksinës.

Shumë ekipe shkencore janë duke punuar për gjetjen e vaksinës, a duhet të qëndrojmë në karantinë deri në zbulimin dhe shpërndarjen e saj?

Kjo varet nga shtetet përkatëse. Nëse masat dhe protokollet e izolimit janë zbatuar siç duhet, mund të ketë lehtësime. Megjithatë, shëndeti i njerëzve duhet balancuar me atë të ekonomisë. Bizneset duhet të hapen ngadalë sepse njerëzit kanë nevojë për të ardhura, për të siguruar jetesën. Këtu në SHBA, është ende herët për të lehtësuar masat sepse piku i infeksionit nuk është arritur ende. Vazhdoni të qëndroni optimistë, në Amerikë disa vaksina dhe trajtime kanë dhënë rezultat pozitiv. Kam shpresë se brenda një kohe të shkurtër do të kemi një përgjigje ndaj koronavirusit.

A keni kryer trajtime, të cilët kanë qenë efektive? 

Një nga trajtimet që kemi kryer është marrja e plazmës së gjakut të një ish- të infektuari që ka përballuar virusin. Kur ai infektohet, qelizat e imunitetit të këtij njeriu të shëruar krijojnë një memorie, që e gjen sërish dhe mund të vrasë virusin. Pra, ne marrim gjakun e ish të infektuarit, e filtrojmë me plazmën dhe e injektojmë tek individët e sëmurë. Deri tani kemi marrë rezultate pozitive tek pacientët, të cilët janë trajtuar në këtë mënyrë.

Cilat janë simptomat për të kuptuar që dikush ështe mbartës i COVID-19?

Simptomat e COVID-19, ngjajnë shumë me ato të gripit. Por, temperatura, kolla e thatë, vështirësitë në frymëmarrje, lodhja dhe dhimbja e muskujve janë simptomat kryesore.

Lexoni: COVID-19, Anulohet Oktoberfest, festivali më i madh i birrës

Cilat kategori njerëzish janë më të ekspozuar ndaj koronavirusit?

Individët më të rrezikuar janë të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike si diabeti, sëmundjet e zemrës, të mushkërive apo duhanpirësit. Ka pasur edhe raste të pacientëve, që kanë qenë të rinj dhe të shëndetshëm, por kanë humbur jetën për shkak të COVID-19. Prandaj duhet të tregojmë kujdes maksimal, pasi të gjithë mund të infektohemi.

A mund të infektohen sërish pacientët e shëruar?

Po, por nuk kanë risk të lartë. Pasi trupi e lufton virusin, ai krijon imunitet, falë antitrupave. Nuk e dimë me saktësi se sa zgjat ky imunitet, por për të paktën një vit, antitrupat funksionojnë më së miri.

A keni pasur kontakte me komunitetin shqiptar në SHBA, si është gjendja e tyre lidhur me COVID-19?

Po, kam kontaktuar me shumë prej tyre. Kam marrë qindra mesazhe dhe jam përpjekur t’u përgjigjem të gjithëve. Unë kam përgatitur disa materiale me informacione mbi simptomat, si mund të veprojnë në kushte shtëpie dhe gjera të ngjashme, për të ndihmuar komunitetin shqiptar. Ka pasur pacientë shqiptarë të infektuar. Fatkeqësisht, disa prej tyre kanë ndërruar jetë.

 Çfarë mund të bëjmë për të qëndruar sa më të shëndetshëm në kushtet e shtëpisë?

  • Lani duart për të paktën 20 sekonda;
  • Nëse nuk përdorni ujë dhe sapun, përdorni një dezinfektues, që përmban të paktën 60% alkool;
  • Nëse keni simptoma të buta, për temperaturë përdorni paracetamol ose acetaminophen;
  • Për kollitje mund të përdorni një ilaç të quajtur robitussin;
  • Për fëmijët mbi 2 vjeç përdorni një lugë mjaltë në ditë;
  • Për dhimbje gryke përdorni një gotë me ujë të ngrohtë dhe gjysmë luge kripë, konsumojeni dy herë në ditë;
  • Pini të paktën 6-8 gota ujë ose lëngje, në ditë;
  • Përpiquni të shmangni pijet me kafeinë, si coca-cola apo kafe, sepse ato i largojnë lëngjet nga trupi;
  • Hani sa më shumë zarzavate, fruta që kanë vitamin C dhe zink sepse ndihmojnë në forcimin e imunitetit, sipas studimeve;
  • Hani më pak, por më shpesh.

Lexoni: Rama: Maji me masa më të lehta qarkullimi. Do të ketë vendim për shkollat dhe turizmin

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0