Sekretarit i Përgjithshëm i OKB: Drejtuesit e G20 të mblidhen urgjentisht

Sekretari i Përgjithshëm i OKB: Drejtuesit e G20 të mblidhen urgjentisht


Sekretarit i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka zhvilluar një takim virtual me mediat, për krizën COVID-19.

“Ne po përballemi me një krizë globale shëndetësore, si asnjë tjetër përgjatë historisë 75-vjeçare të Kombeve të Bashkuara – e cila po përhap vuajtjet njerëzore, duke infektuar ekonominë globale dhe duke përmbysur jetët e njerëzve” tha Guterres.

Sipas tij, një recesion global – ndoshta me përmasa rekord – është e ardhme e sigurt.

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) sapo ka raportuar se punëtorët në të gjithë botën mund të humbin 3,4 trilionë dollarë amerikanë të ardhura deri në fund të këtij viti. Kjo është, mbi të gjitha, një krizë njerëzore që kërkon solidaritet.

“Familja jonë njerëzore është e tensionuar dhe pëlhura sociale po griset. Njerëzit janë duke vuajtur, të sëmurë dhe të frikësuar. Reagimet aktuale në nivel shteti nuk do të zgjidhin normën globale dhe kompleksitetin e krizës. Ky është një moment që kërkon veprim politikash të koordinuara, vendimtare dhe novatore nga ekonomitë kryesore në botë. Ne duhet të pranojmë që më të varfërit dhe më të prekurit – veçanërisht gratë – do të goditen më rëndë”, tha Sekretari i OKB-së.

Ai mirëpret vendimin e drejtuesve të G20 për të mbledhur një samit urgjent javën e ardhshme për t’iu përgjigjur sfidave epike të shfaqura prej pandemisë COVID-19.

Mesazhi i tij është i qartë. “Ne jemi në një situatë të paprecedent dhe rregullat normale nuk vlejnë më. Ne nuk mund të përdorim mjetet e zakonshme në periudha të tilla të pazakonta. Krijimtaria në reagim duhet të përputhet me natyrën unike të krizës – dhe shkalla e përgjigjes duhet të përputhet me nivelin e saj. Bota jonë përballet me një armik të përbashkët. Ne jemi në luftë me një virus”.

Ai theksoi gjatë konferencës së tij online se, COVID-19 po vret njerëz dhe po e sulmon ekonominë reale në thelb të saj – tregtinë, zinxhirët e furnizimit, bizneset, vendet e punës. Shtete të tërë dhe qytete janë të izoluar. Kufijtë po mbyllen. Kompanitë me vështirësi po mbajnë bizneset funksionalë dhe familjet thjesht po përpiqen të qëndrojnë pezull.

Por në administrimin e kësaj krize, ne kemi gjithashtu një mundësi unike.

Nëse veprojmë ashtu siç duhet, theksoi António Guterres, mund të drejtojmë rilindjen drejt një shtegu më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Por, politika të koordinuara keq rrezikojnë të mbajnë pezull – madje edhe të përkeqësojnë – pabarazitë tashmë të paqëndrueshme, duke zbrapsur zhvillimin e arritur me shumë mund dhe uljen e varfërisë.

Ai u bëri thirrje liderëve botërorë që të bashkohen dhe të ofrojnë një përgjigje urgjente dhe të koordinuar ndaj kësaj krize globale.

Guterres përmendi tri fusha kritike për veprim:

SË PARI, TRAJTIMI I URGJENCËS SHËNDETËSORE.

Shumë shtete kanë tejkaluar aftësinë për t’u kujdesur për raste edhe të buta në ambiente të dedikuara shëndetësore, ku shumë prej tyre nuk janë në gjende t’iu përgjigjen nevojave të tejmëdha të të moshuarve.

Edhe në vendet më të pasura, ne shohim që sistemet shëndetësore janë nën trysni.

Shpenzimet shëndetësore duhet të shtohen menjëherë për të përmbushur nevojat urgjente dhe rritjen e kërkesës – me shtim të testimit, shtimin e mjeteve në dispozicion, përkrahjen e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe sigurimin e furnizimeve të përshtashme – duke respektuar plotësisht të drejtat e njeriut dhe pa stigmë.

Është vërtetuar se virusi mund të izolohet. Duhet të izolohet. Nëse lejojmë që virusi të përhapet si zjarr i egër – veçanërisht në rajonet më të rrezikuara të botës – do të vriste miliona njerëz.

Dhe ne duhet të largohemi menjëherë nga një situatë ku secili shtet po ndërmerr strategjitë e veta shëndetësore, drejt një situate, që siguron në transparencë të plotë, një përgjigje të koordinuar globale, duke përfshirë ndihmën e vendeve që janë më pak të përgatitur për të trajtuar krizën.

Qeveritë duhet të japin mbështetjen më të madhe për përpjekjen shumëpalëshe për ta luftuar virusin, të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), thirrjet e së cilës duhet të përmbushen plotësisht. Katastrofa shëndetësore e bën të qartë se ne jemi po aq të fortë sa sistemi shëndetësor më i dobët.

Solidariteti global nuk është vetëm një detyrim moral, por është në interesin e të gjithëve.

SË DYTI: TË FOKUSOHEMI TEK NDIKIMI SOCIAL DHE PËRGJIGJIA EKONOMIKE DHE RIMËKËMBJA.

Në ndryshim nga kriza financiare e vitit 2008, injektimi i kapitalit vetëm në sektorin financiar nuk është zgjidhje. Kjo nuk është një krizë bankare – dhe në të vërtetë, bankat duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Dhe nuk është një tronditje e zakonshme në ofertë dhe kërkesë; është një goditje për shoqërinë si një e tërë.

Likuiditeti i sistemit financiar duhet të garantohet dhe bankat duhet të përdorin aftësinë e tyre për të mbështetur klientët e tyre. Por, të mos harrojmë se kjo është në thelb një krizë njerëzore.

Në thelb, ne duhet të përqëndrohemi te njerëzit – punëtorët me paga të ulëta, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ata që janë më të prekurit. Dhe kjo nënkupton mbështetje për pagat, sigurimet, mbrojtjen sociale, parandalimin e falimentit dhe humbjen e vendeve të punës.

Dhe kjo po ashtu nënkupton hartimin e reagimit fiskal dhe monetar për të siguruar që barra të mos bjerë mbi ata që më së paku mund ta përballojnë atë. Ringritja nuk duhet të bëhet në kurriz të më të varfërve – dhe ne nuk mund të krijojmë një armatë të varfërish të rinj.

Ne kemi nevojë për t’i çuar burimet direkt në duart e njerëzve. Një numër shtetesh po ndërmarrin nisma për mbrojtje sociale siç janë transfertat e parave dhe të ardhurat universale.

Ne duhet ta çojmë atë në nivelin tjetër, për të siguruar që mbështetja të mbërrijë tek ata që varen plotësisht tek ekonomia informale dhe shtetet më pak të afta për të reaguar.

Paratë e dërguara nga familjarët që jetojnë jashtë, janë shpëtim në botën në zhvillim – veçanërisht tani. Shtetet tashmë janë zotuar të ulin tarifat e dërgesave në 3 përqind, shumë më poshtë se nivelet mesatare aktuale. Kriza kërkon që ne të shkojmë më tej, duke iu afruar sa më shumë që të jetë e mundur zeros.

Për më tepër, udhëheqësit e G20 kanë ndërmarrë hapa për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe ekonomitë, duke hequr dorë nga pagesa e interesit. Ne duhet të zbatojmë të njëjtën logjikë për vendet më të rrezikuara në fshatin tonë global dhe të lehtësojmë barrën e borxhit të tyre.

Vlen për të gjithë ne, kemi nevojë për një angazhim për të siguruar lehtësira financiare të përshtatshme në mbështetje të vendeve në vështirësi. FMN-ja, Banka Botërore dhe Institucione të tjera Financiare Ndërkombëtare luajnë një rol kryesor. Sektori privat është thelbësor për të kërkuar dhe krijuar mundësi për investime dhe mbrojtjen e vendeve të punës.

Dhe ne duhet të përmbahemi përballë tundimit për të rënë drejt proteksionizmit. Kjo është koha për të çmontuar kufizimet tregtare dhe për të rivendosur zinxhirët e furnizimit. Duke parë pamjen në mënyrë më të plotë, çrregullimet ndaj shoqërisë po tregojnë se kanë ndikuar thellë.

Ne duhet të adresojmë ndikimin e kësaj krize tek gratë. Gratë e botës po mbajnë në mënyrë shpërpjestimore barrën në shtëpi dhe në ekonominë më të gjerë.

Fëmijët gjithashtu janë duke paguar një çmim të lartë. Më shumë se 800 milion fëmijë janë jashtë shkollës tani – shumë prej të cilëve mbështeten në shkollë për të siguruar të vetmin vakt ushqimor të tyre. Ne duhet të sigurohemi që të gjithë fëmijët të kenë qasje në ushqim dhe qasje të barabartë në mësim – duke zvogëluar ndarjen dixhitale dhe ulur koston e qasjes në rrjet.

Ndërsa jetët njerëzve janë ndërprerë, izoluar dhe përmbysur, ne duhet të parandalojmë që kjo pandemi të kthehet në një krizë të shëndetit mendor. Të rinjtë do të jenë më të rrezikuarit.

Bota ka nevojë të vazhdojë mbështetjen kryesore të programeve për shtresat më në nevojë, përfshirë edhe përmes planeve të OKB-së për koordinimin e ndihmës humanitare dhe planeve për mbështetjen ndaj refugjatëve. Nevojat humanitare nuk duhet të sakrifikohen.

E TRETA DHE E FUNDIT: KEMI NJË PËRGJEGJËSI PËR T’U “RIMËKËMBUR MË MIRË”

Kriza financiare e vitit 2008 tregoi qartë se vendet me sisteme të fuqishme të mbrojtjes sociale vuanin më së paku dhe e rimorrën veten më shpejt nga ndikimi i saj. Ne duhet të sigurojmë që mësimet janë nxjerrë dhe se kjo krizë siguron një pikë kthese për gatishmërinë e urgjencës shëndetësore dhe për investime domethënëse në shërbime publike të shekullit 21 dhe shpërndarjen efektive të mallrave publike globale.

Ne kemi një plan për veprim – Axhendën deri në vitin 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimin Klimaterik. Ne duhet t’i mbajmë premtimet tona për njerëzit dhe planetin.

Kombet e Bashkuara – dhe rrjeti ynë global i zyrave në nivel shtetesh – do të mbështesim të gjitha qeveritë për të siguruar që ekonomia globale dhe njerëzit të cilëve ne u shërbejmë të dalin më të fortë nga kjo krizë.

Kjo është logjika e Dekadës së Veprimit për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të).

Më shumë se kurrë më parë, ne kemi nevojë për solidaritet, shpresë dhe vullnet politik për ta përballuar këtë krizë së bashku.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0