Rrëzohet shumica e kabinetit qeveritar - Business Magazine Albania

Rrëzohet shumica e kabinetit qeveritar


Shkruar nga Gjergj Erebara/Reporter.al

Kryeministri Edi Rama shpalli ndryshime të mëdha në të gjithë kabinetin qeveritar, duke hequr ministrat dhe duke i zëvendësuar me zëvendësministra ose drejtorë ndërsa u përpoq të argumentonte se ndryshimet “nuk janë pasojë e dështimeve”.

Kryeministri Edi Rama shpalli shkarkimin e shumicës së ministrave të kabinetit të tij qeverisës për t’i zëvendësuar me zëvendësministra apo drejtorë si dhe duke marrë disa nga deputetët e tij në kabinetin qeveritar, ndërsa u përpoq ta prezantojë ndryshimin jo si dështim, por si përmirësim.

“Është e pavërtetë që ndryshimi vjen si pasojë e dështimeve,” deklaroi Rama para se të shpallte të shkarkuar ministrat më jetëgjatë të kabinetit të tij qeveritar në mandatin e kaluar dhe mandatin aktual.

Të gjithë ministrat e shkarkuar morën lavde të mëdha si reformatorë dhe transformues para se të shpalleshin të shkarkuar.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj u shkarkua nga detyra për t’u zëvendësuar me Anila Denaj, një ish-drejtuese banke private dhe drejtoreshë në Ministrinë e Financave gjatë viteve të fundit. Sipas Ramës, sukseset e jashtëzakonshme të Ahmetajt “kanë humbur në vorbullën e kazanit”.

Ministri Damian Gjiknuri, i cili ka drejtuar Ministrinë e Energjisë dhe atë të Transportit, zëvendësohet me Belinda Ballukun, aktualisht drejtoreshë e kompanisë publike të kontrollit të trafikut ajror Albkontroll. Rama deklaroi se Gjiknuri është i pafajshëm në lidhje me skandalin e kompanisë DH Albania dhe shtoi se problemi i hasur me këtë kompani “do të zbardhet deri në fund dhe do të provojë pafajësinë totale të ministrit”.

Ministrja Lindida Nikolla mori lavde si reformatore e madhe e teksteve shkollore dhe e sistemit të maturës shtetërore para se të shkarkohej nga detyra për t’u zëvendësuar nga Besa Shahini, aktualisht zëvendësministre e Arsimit. Në këtë rast Rama deklaroi se nuk ka ndër mend të plotësojë një nga kërkesat e studentëve, atë të shfuqizimit të ligjit të shumëdebatuar të arsimit të lartë.

“Ligji arsimit të lartë është ai që i jep fund tranzicionit në arsimin e lartë. Duhet vetëm ta zbatojmë,” deklaroi ai.

Edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati humbi sot postin që kishte mbajtur që nga viti 2013.  Ai do të zëvendësohet me Gent Cakën, më parë, këshilltar i Ramës dhe së fundmi, zëvendësministër i jashtëm.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shkarkua për t’u zëvendësuar nga Elda Margariti, një tjetër këshilltare e kryeministrit, të cilën Rama e prezantoi si koordinatore e projektit te 100 fshatrave.

Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi u shkarkua për t’u zëvendësuar me Blendi Çucin.

Eduart Shalsi zëvendësoi Sonila Qaton si ministre shteti, ndërsa Erjon Braçe u emërua zëvendëskryeministër.

Vendin e punës e humbi edhe Ermonela Felaj, ministre për marrëdhëniet me parlamentin, e cila u zëvendësua nga Elisa Spiropali, ish-drejtoreshë e përgjithshme e doganave.

Rama në fund i uroi Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste “gëzuar vitin e ri”.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0