Plani për të shtrirë partneritetin publik privat pritet të konkretizohet në 2018-ën, në ndërtimin e shkollave të reja, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj ka theksuar se do t’i kushtohet më shumë vëmendje edhe programit të strehimit dhe investimeve në mirëmbajtjen e kryeqytetit. Taksa e pronës dhe të ndërtimit do të kenë peshën më të lartë në të ardhura, me rritje rekord. Me 2.5 miliardë lekë, të ardhurat nga taksa e pronës (kryesisht pasurisë së paluajtshme) do të rriten në një vit 37%. Vetëm familjet parashikohet të paguajnë 510 milionë lekë.
Kalimi nga vlerë fikse në përqindje në bazë të vlerës së pronës, e rrit këtë taksë në të gjithë vendin vitin e ardhshëm. Por, ky është vetëm hapi i parë drejt rritjes. Me krijimin e bazës së të dhënave, taksa pritet të rritet edhe më tej. Bashkia e Tiranës ka planifikuar tashmë që pas dy vitesh, detyrimi i familjeve te kalojë nga 510 në 850 milionë lekë.
Një burim i rëndësishëm të ardhurash për Bashkinë e Tiranës, duke nisur nga 2017-a, është taksa e ndërtimit (më saktë taksa që ndërtuesit paguajnë për ndikimin në infrastrukturë). Me rritje vjetore mbi 18%, pagesa e kësaj takse pritet të jetë mbi 3 miliardë lekë në 2018-ën. Pas ngritjes së infrastrukturës për parkimet me pagesë në kryqytet, bashkia pret që të sigurojë shumë më tepër të ardhura nga parkimi. Më saktë, vitin e ardhshëm pritet të paguhen 300 milionë lekë, në dy vitet e fundit, pagesa për parkimet rritet mbi 4 herë. Gati 900 milionë lekë parashikohet të paguhen si taksë e arsimit me një rritje vjetore rreth 1%.
Një lehtësim në taksa vitin e ardhshëm, pritet të kenë sipërmarrjet që përdorin hapësirën publike. Një tarifë që pritet tu kushtojë të gjitha sipërmarrjeve vitin e ardhshëm rreth 490 milionë lekë, ose 20% më pak se këtë vit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto