Fermeri Zija Keshi: "Vendi im më dha mundësinë të jem sipërmarrës"

Fermeri Zija Keshi: “Vendi im më dha mundësinë të jem sipërmarrës”


Zija Keshi, ka punuar më parë bojaxhi në Itali. Ai sot drejton një fermë të çertifikuar në Dibër dhe është konfirmuar tashmë si një sipërmarrës i suksesshëm. 

Ai nisi të kultivojë sherebelë në vitin 2012. Dëshira për të sjellë varietete të reja medicinale në Shqipëri e ka shtyrë të zgjerojë aktivitetin. 

Në kultivim, ai ka përfshirë dy varitete të panjohura dhe shumë të dobishme për shëndetin e njeriut: frutin Aronia dhe Goji-berry. Për BusinessMag.al ai tregon se për të patur këto dy fruta pjesë të parcelës së tij i është dashur t’i blejë në vende të largëta. Frutin e Aronjës e ka marrë në Amerikë e ndërsa atë të Goji-berry në Kinë.

Zija Keshi është shumë i kujdeshëm dhe i matur në punën e tij. Para se të fillojë të kultivojë frutin medicinal, ai paraprakisht bën eksperimente. Nëse bima nuk adaptohet me kushtet klimatike të zonës së Dibrës, ai nuk vazhdon më tej, por hidhet në kërkim të diçkaje tjetër. Ai është vazhdimisht në kërkim të zgjerimit të fermës së tij, pasi numri i klientëve i është shtuar. Sasia e Aronjës që prodhon në fermën e tij, nuk e përballon dot tregun shqiptar dhe për këtë ka menduar edhe rritjen e numrit të fidanëve. Të dyja këto fruta njihen si çudibërëse për shëndetin, dhe zotërojnë vitaminën P që nuk e ka asnjë frut tjetër.

Aronia  përveç vlerave kurative si: kurimi i diabetit, tensionit, sëmundjeve të zemrës etj, ka edhe një çmim të kënaqshëm për shitje. I pyetur nga BusinessMag.al se ku ndryshon ferma e tij nga fermat e tjera, ai shprehet se nuk di të thotë diçka për aq kohë sa nuk është në brendësi të tyre, por për fermën e tij ai thotë se gjithçka trajtohet në mënyrë 100% organike vetëm me ujë dhe me pleh organik.

Fokusi i tij nuk është vetëm fitimi i të ardhurave monetare, por zgjerimi informacionit rreth këtyre bimëve tek shqiptarët. Thekson shpesh se mungesa e informacionit për këto bimë medicinale është e madhe dhe se ndërgjegjësimi është me e pakta që mund të bëhet.

Lexo: Eliksir, lëngu i frutave që prodhohet në Dibër dhe eksportohet në Azi

Mbështejtja më e madhe e tij në gjithë këtë rrugëtim ka qenë familja e tij. Një tjetër hap i ndërmarrë nga ai, është edhe kultivimi i paulonjës. Nga kultivimi i paulonjës ai nuk ka marrë rezultatet e pritura, pasi kushtet klimatike të zonës nuk favorizojnë siç duhet rritjen e saj.

Një pasuri e fermës së tij është çertifikimi nga Enti Shtetëror i Degës së Farave dhe Fidanëve, për prodhim dhe kultivim fidanësh. Vitin e kaluar ai shtoi lajthinë turke dhe boronicën, të cilat dhanë rezultate të shkëlqyera.

Në të ardhmen synon që të rrisë sipërfaqen e fermës me bimë të reja medicinale. Këtë vit ai do të nisë edhe trajnimin e studentëve me seminare dhe praktikë lidhur me këto bimë çudibërëse.

Mesazhi i tij për të rinjtë është se, “Mundësinë për t’u bërë sipërmarrës ma dha vetëm vendi im. Shqipëria është vendi i mundësive. Nëse keni vullnet dhe dëshirë gjithçka mund të arrihet”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0