A mund të marrim vendime të mëdha për karrierën tonë bazuar në astrologji? - Business Magazine Albania

A mund të marrim vendime të mëdha për karrierën tonë bazuar në astrologji?


Nëse ju pyes për shenjën tuaj të zodiakut, ndoshta do të ma tregoni pa asnjë problem dhe jam e sigurtë se e keni lexuar horoskopin tuaj të paktën një herë në jetë.

Në fakt, astrologjia nuk njihet si shkencë. E megjithatë vlerësohet se 30% e njerëzve besojnë në të. Shumë madje marrin vendime të mëdha mbi jetën e tyre bazuar në parashikimet astrologjike, duke përfshirë edhe karrierën e tyre. Këtu janë tre njerëz që e kanë bërë këtë dhe nuk ndiejnë asnjë keqardhje.

Lexoni: Shenjat e horoskopit që janë më të predispozuara për të qenë të pasur

Surpriza e ditëlindjes

Për Nicholas Farmen, një 23-vjeçar nga Denver që punon në departamentin e marketingut të një kompanie softuerike, astrologjia ishte një pjesë normale e edukimit të tij. “Prindërit e mi gjithmonë lexonin gazetat kur isha fëmijë. Ne plotësonim fjalëkryqet dhe më pas horoskopi u bë diçka që ne si familje e lexonim herë pas here.”

Kur ai u rrit, nëna e Farmen i dërgonte horoskopin e shenjës së tij, sidomos në ditën e lindjes së tij. Ai tha se parashikimet pozitive i jepnin atij një dozë besimi për ditën dhe tani e ka si një ritual vjetor për të kontrolluar horoskopin e tij në datën e lindjes. “Vitin e kaluar, do të thoja se e kam kontrolluar shumë më shpesh,” tha Farmen.

Më parë, Farmen ka punuar në marketing për një kompani real-estate. Por ai nuk ishte i kënaqur dhe i lumtur me punën atje. “Nëna ime më dërgoi horoskopin për ditëlindjen time dhe unë po mendoja se sa mirë do të ishte të jepja dorëheqjen sot? Sepse është ditëlindja ime dhe horoskopi im po më thotë se diçka e mirë mund të ndodhë.” Farmen hyri në zyrën e shefit të tij dhe dha dorëheqjen. “Kështu që hyra në temë dhe u largova … Doja të kisha një ditë të mirë,” tha ai.

Pasi kishte lënë punën, ai shkoi në qendër të qytetit për të pirë një kafe. Aty, ai rastësisht pati një bisedë me një grua interesante që mesa duket po zhvillonte takime për të rekrutuar talente për kompaninë e saj. Ata kishin një vend të hapur pune dhe pas disa muajsh kontaktuan Farmen për t’i ofruar vendin e punës.

Farmen thotë se astrologjia ofron një konfirmim përfundimtar kur peshon një zgjedhje. Ai nuk bazon vendimet mbi parashikimet e horoskopit të tij, por e sheh atë si një përforcues besimi. “Në sjelljen time të përditshme të punës tani, është si qershia mbi tortë.”

Lexoni: Puna që ju përshtatet sipas shenjës së horoskopit

Një hap besimi

Amira Irfan, një avokate 35-vjeçare, gjithashtu u njoh me astrologjinë falë familjes së saj. Në fakt, disa prej anëtarëve të familjes së Irfan janë astrologë. “Edhe kur isha fëmijë … ata bënin parashikime dhe shihnin pozicionin e yjeve dhe se si gjërat ndryshonin nga muaji në muaj.” Ajo tha se filloi t’i jepte më shumë besim, kur disa nga parashikimet rezultuan të vërteta.

Një nga parashikimet më të dukshme ndodhi kur ajo jetonte në New Jersey dhe ishte e pakënaqur me punën e saj. Ajo nuk kishte ndërmend të lëvizte nga puna, por pasi foli me tezen e saj, që është një astrologe, ajo e këshilloi se një ndryshim i madh po vinte dhe duhet të kërkonte punë në Florida.

“Dhe për arsye se ajo kishte qenë e saktë për shumë gjëra të tjera në jetën time më parë përfundova duke bërë siç tha ajo. Brenda një muaji, një mundësi e shkëlqyer m’u shfaq dhe u zhvendosa në Florida. Ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm për karrierën time,” tha Irfan.

Irfan e konsideron fuqishëm astrologjinë si një parashikuese të saktë për të ardhmen. “Të paktën, në përvojën time, ka qenë,” tha ajo. “Por përvoja e të gjithëve është e ndryshme.”

Aktorja që u kthye në astrologe

Kur ishte adoleshente Joanne Madeline Moore kishte një karrierë si aktore në Australi, duke dalë në shfaqje të ndryshme televizive, në filma dhe në shfaqje teatrale. Megjithatë, ajo shpejt u zhgënjye nga industria e argëtimit dhe filloi të mendonte se çfarë mund të bënte tjetër.

“Kur isha 20 vjeç kam pasur një horoskop personal që ma lexonte astrologia e mrekullueshme Athena Starwoman, e cila shkruan horoskopin për American Vogue,” tha Moore. “Ajo shikoi në tabelën time të lindjes dhe zbuloi se Urani ishte në shtëpinë time të karrierës dhe parashikoi se një ditë do të isha një astrologe e suksesshme.” Në ato momente Moore menjëherë filloi të studionte astrologjinë dhe nuk u kthye më mprapa.

Rreshtat e saj të horoskopit tani janë në të pesë kontinentet dhe ajo drejton një faqe interneti të suksesshme astrologjike. Një nga këshilla më të mëdha që ajo u jep klientëve? “Mos merrni vendime të mëdha karriere dhe për paratë kur Mërkuri është duke u tërhequr,” tha Moore. “Kur Mërkuri është duke u tërhequr, ka më shumë gjasë për kaos, vonesa dhe keqkuptime që përfshijnë komunikimin, tregtinë dhe kontratat.”

Lexoni: Vera më e mirë për çdo shenjë horoskopi

A duhet t’i besoni astrologjisë për vendimet e karrierës?

Ekzistojnë kaq shumë faktorë që ndikojnë në mënyrën se si jetojmë jetët tona, duke përfshirë mjedisin, edukimin, gjendjen sociale-ekonomike dhe sigurisht vullnetin e mirë. A është ndonjëherë e këshillueshme të mbështetesh në një pseudo-shkencë si astrologjia kur duhet të merrni një vendim që ju ndryshon jetën?

Pyesni një astrolog dhe pa dyshim, përgjigjja është një po. “Astrologjia mund të jetë një mjet i dobishëm për të marrë vendime të rëndësishme karriere dhe financiare,” tha Virginia Paciocco, një praktikante e “Spirit and Spark” në Las Vegas. “Sipas mendimit tim, ka disa planete dhe aspekte që, kur hynë në tabelën tuaj të lindjes, mund të jenë tregues të mirë të bollëkut dhe ndryshimit”.

Por edhe Paciocco thotë se për njerëzit që e ndjekin atë, astrologjia duhet të përdoret si mjet dhe jo për t’u ndjekur verbërisht. “Astrologjia është një mjet i mrekullueshëm për të marrë vendime të rregullta,” tha Paciocco. “Ne të gjithë kemi vullnet të lirë, por një ndihmë e vogël nga yjet mund të na mbështesë në marrjen e një vendimi të informuar”.

Lexoni: Horoskopi për vitin 2019

burimi: huffpost

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0