Tashmë fjalimet e 16 vjeçares janë bërë rutinë. Në Dhjetor, ajo iu drejtua Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Poloni; në Janar ajo qortoi miliarderët në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër. Fjalimi i saj në Londër ishte ndalesa e fundit e një turneu që përfshinte takimin me Papën.
Vetëm nëntë muaj më parë, Thunberg nuk kishte audienca të tilla. Ajo ishte një figurë e vetme që qëndronte jashtë Parlamentit Suedez në Stokholm, duke mbajtur një pankartë në lidhje me ndryshimet klimatike. Ajo ishte atje për një arsye që dukej e thjeshtë dhe personale. Ndërsa Thunberg po studionte ndryshimin e klimës në shkollë në moshën 11-vjeçare, ajo reagoi në një mënyrë të habitshme: ajo pësoi një depresion të rëndë. Vetëm pas disa kohësh e mori veten.
“Ndjeva se gjithçka ishte e pakuptimtë dhe nuk kishte asnjë kuptim për të shkuar në shkollë nëse nuk kishte të ardhme”, thotë Thunberg. Por këtë herë, në vend që të vuante nga dhimbja, ajo vendosi të ecte përpara me kauzën e saj, duke e kanalizuar trishtimin e saj në veprim. “Unë i premtova vetes se do të bëja gjithçka për të sjellë një ndryshim”, thotë ajo.
Frymëzuar nga të mbijetuarit nga të shtënat në shkollën e Parkland, Fla, ajo filloi një grevë çdo të premte, duke u kthyer në mediat sociale për t’u bërë thirrje politikanëve që të mbështesnin dhe të ndërmerrnin hapa drejt ndalimit të emetimit të karbonit. Që nga konferenca e Ndryshimeve Klimatike në Dhjetor, ndjekësit e Thunberg janë rritur, duke bërë që shumë prej tyre ta përkrahin në këtë nismë. “Më përpara, kurrë nuk kam folur për këtë qoftë dhe me shokët e mi të klasës, por tani po i flas të gjithë botës”. Bota po dëgjon. Organizatorët thonë se më 15 Mars, 1.6 milionë njerëz nga 133 vende morën pjesë në një grevë klimatike të frymëzuar nga veprimi i Thunberg – kryesisht studentë që lanë mësimin për disa minuta, disa orë ose një ditë. Që atëherë, marshimet kanë vazhduar, me studentët anembanë botës bashkuar nga hashtage #FridaysForFuture dhe #YouthStrike4Climate.
Lexoni: Aktivistja 16 vjeçare, Greta Thunberg përzgjidhet për Çmimin Nobel të Paqes
Ndërsa lëvizja ka tërhequr vëmendjen, jeta e Thunbergut është transformuar. Ajo kurrë nuk priste gjithë këtë interes, duke thënë se fillimisht ishte e ndërlikuar të bindte studentët e tjerë për t’u bashkuar me veprimin e saj. Thunberg ia atribuon vendosmërinë e saj diagnozës së Asperger, një formë e butë e çrregullimit të spektrit të autizmit. “Më bën të shoh botën ndryshe. I shoh më lehtësisht gënjeshtrat”, thotë ajo. “Nuk më pëlqen kompromentimi. Për mua, ose jeni i qëndrueshëm ose jo – nuk mund të jeni pak i qëndrueshëm. Të jesh i ndryshëm nuk është një dobësi. Është një forcë në shumë mënyra, sepse ti qëndron jashtë turmës”.
Edhe pse ka tërhequr gjithë këtë vëmendje, ajo prapë nuk i largohet mesazhit të saj, “Unë besoj se sapo të fillojmë të sillemi sikur të ishim në një krizë ekzistenciale, atëherë mund të shmangim një shkatërrim klimatik dhe ekologjik, por mundësia për ta bërë këtë nuk do të zgjasë shumë. Ne duhet të fillojmë sot. “ Qëllimi kryesor i Thunberg është që qeveritë të reduktojnë emetimet në përputhje me Marrëveshjen e Parisit, duke kufizuar rritjen globale të temperaturës në 1.5 ° C në krahasim me nivelet para-industriale. Në Tetor të vitit të kaluar, Paneli Ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike (IPCC) publikoi një raport historik që paralajmëroi se emetimet e karbonit do të duhej të uleshin me 45% deri në vitin 2030 për të arritur këtë objektiv.
Ajo arrin të jetojë në të dy botët, duke studiuar për një provim dhe pastaj duke shkruar një fjalim, duke përfunduar detyrat e shtëpisë dhe duke organizuar një grevë. Ndryshe nga shumica e figurave globale, Thunberg nuk ka një ekip të sajin; prindërit e saj bëjnë atë që munden për të mbajtur një ndjenjë normaliteti për të dhe motrën e saj 13-vjeçare, Beata.
“Është mjaft qesharake kur e vetmja gjë që mund të bëjnë njerëzit është të tallen me ty ose të flasin për pamjen ose personalitetin tënd, pasi do të thotë se ata nuk kanë argumente, ose asgjë tjetër për të thënë,” thotë ajo, duke lexuar disa komente negative që ka marrë në një tweet të fundit. “Nuk do të lejoj që kjo të më ndalë“, thotë ajo, “sepse e di që kjo është shumë më e rëndësishme”.
Greta gjithashtu është bërë imazhi kryesor në kopertinën e revistës Time, nën titullin “Udhëheqësit e brezit të ardhshëm – Greta Thunberg, adoleshentja në grevë për planetin”
burimi: Time
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.