Kuptimi i markës po evoluon, duke përfshirë edhe personalitetin e një produkti apo biznesi dhe mënyrën e perceptimit të tij nga konsumatorët. Markat mund të mbrohen ligjërisht. Në këtë rast krijohet një “Markë e Regjistruar” dhe zotëruesi fiton të drejtën për ta përdorur vetëm ai atë markë, dhe çdokush tjetër që kopjon markën e tij, përballet me probleme ligjore. Një markë duhet të përmbushë disa kritere që të jetë e besueshme dhe e sigurt për klientin. Mesazhi që ajo transmeton duhet të jetë i qartë, me qëllim krijimin dhe konfirmimin e besueshmërisë. Serioziteti i një marke e nxit konsumatorin për të blerë.
Por si duhet të jetë një markë?
Që një markë të arrijë një sukses duhet të:
- 1. Të mbahet mend lehtë. Një emër marke duhet të jetë sa më i thjeshtë për të shkuar dhe për të ngelur në mendjen e konsumatorëve. Jo vetëm emri, por edhe simbolet, logot dhe slloganet e një biznesi apo produkti duhet të jenë sa më thjesht të fiksueshme. Që të jetë kështu, duhet patjetër që emri i markës të jetë edhe i lehtë për t’u shqiptuar.
- Të ketë kuptim. Marka duhet të tregojë një informacion të përgjithshëm për atë produkt. Një karakteristikë, detaj, apo cilësi që vetëm ai produkt e ka dhe që e dallon nga të tjerët. Marka duhet të bëjë që një produkt të njihet. Në raste të ndryshme, marka duhet të tregojë grupin e targëtuar të klientëve apo qëllimin e përdorimit të një produkti.
- Të pëlqehet. Nëse të gjithë përbërësit e një marke nuk janë të lidhur bukur me njëri-tjetrin, atëherë marka rrezikon të mos pëlqehet nga konsumatorët në treg. Shenjat, mënyra e paketimit dhe gjithçka, duhet të realizohen në mënyrë të tillë që të tërheqin klientët.
- Të përshtatet. Nëse je një kompani apo ke një produkt me ambicie të mëdha, duhet të synosh një treg ndërkombëtar. Prandaj, duhet të mendosh që marka duhet të ketë të njëjtin efekt të suksesshëm në shtete dhe kultura të ndryshme, përfshirë edhe mundësinë e përkthimit në gjuhë të ndryshme. Për të realizuar këtë, duhet bërë një studim i kulturave kryesore të tregjeve botërore.
- Të jetë e mbrojtshme. Marka që do të krijohet duhet të jetë legjitime për t’u regjistruar dhe për t’u mbrojtur ligjërisht. Një patentë, krijon avantazh konkurrues dhe bën që vlera e markës të rritet.
Logot dhe slloganet.
Një logo e markës mund të ketë ose jo lidhje me emrin e biznesit apo produktit. Mund të jetë një shkronjë, disa iniciale, një simbol, apo një figurë abstrakte. Në rastin e kompanisë ‘Apple’, edhe logoja e saj është një mollë, ose në logon e kompanisë ‘Ford’, i gjithë emri është pjesë e logos. Por, nuk ka pse logoja të ketë patjetër lidhje me emrin, që të jetë e suksesshme. Marrim këtu shembullin e ‘Mercedes-Benz’, ku ylli me tre cepa nuk ka asnjë lidhje me emrin e kompanisë, apo me industrinë e automobilave. Megjithatë, kjo logo është ndër më të vlerësuarat dhe të njohurat në të gjithë botën. Logoja duhet të plotësojë të gjitha karakteristikat që përmenden më lart për të patur një markë të kompletuar. Ajo duhet të jetë atraktive, të mbahet mend, të tregojë diçka për produktin, etj. Logoja e ‘Nike’ është ndër më të njohurat sot. Është aq e thjeshtë, por me një vlerë të jashtëzakonshme. Ajo transmeton besim, kënaqësi dhe vlerësim.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.