Kërkesat e shumta për të bërë diçka me mbiçmimin e lekut kanë gjetur përgjigje nga Banka e Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, Guvernatori i Bankës Gent Sejko paralajmëroi se do të hyjë në tregun valutor, duke blerë valutë. Ky është një veprim të jashtëzakonshëm që synon që të ndalojë rënien e lirë të monedhës së përbashkët.
Sekjo tha se, operacionet e blerjes së valutës do të ruajnë kohëzgjatjen e nevojshme për të arritur objektivat e deritanishme. Sipas tij, ky është një rast i veçantë i ndërmarrë në rrethana specifike, që po bëhet në mënyrë që të frenohet përshpejtimi i rënies së euros, që në muajin maj ka dalë përtej parametrave.
Vendimi për të ndëryrë në treg është marrë nga Këshilli Mbikëqyrës , i cili njëkohësisht vendosi të ulë normës bazë me 0.25 pikë përqindje, duke e zbritur në 1%.
Sekjo theksoi se leku po forcohet nga oferta për valutë dhe nga konvertimi i kapitalit të bankave.
Qëllimi kryesor i operacioneve monetare do të ndërmerren vetëm për nevoja të përmbushjes së objektivave të inflacionit, pasi rënia e euros rrezikonte objektivin e inflacionit.
Sipas tij, në Shqipëri do të vazhdojë të jetë regjimi i lirë i kursit këmbimit, por BSH ka të drejtën e saj për të rregulluar parametrat e tregut.
Në fakt, euro ndaloi zhvlerësimin ndaj lekut gjatë ditës së mërkurë.
Lexoni deklaratën e plotë të guvernatorit
Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u njoh me zhvillimet më të fundit në tregjet financiare në vend. Në veçanti, ai u ndal në analizën e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit, në ndikimin e pritur të tij në ecurinë e inflacionit gjatë horizontit afatmesëm, si dhe në vlerësimin e përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare.
Në deklaratën për shtyp të datës 2 maj, bazuar në analizën e faktorëve mbështetës, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ritmet e forcimi të kursit deri në muajin prill do të kishin një efekt të kufizuar dhe kalimtar në inflacion.
Megjithatë, ecuria e kursit të këmbimit gjatë muajit maj tregoi një forcim të mëtejshëm dhe më të shpejtë të tij. Ky mbiçmim ka shkuar përtej trendit forcues të dy viteve paraardhëse dhe duket se pasqyron krijimin e pritjeve të njëanshme – në kahun forcues të kursit të këmbimit – nga operatorët e tregut valutor.
Këto pritje janë shkaktuar nga informacioni për rritje të ofertës valutore, kryesisht në përgjigje të konvertimit të pritur të kapitalit nga disa banka të sistemit, të disbursimit të një kredie në valutë në favor të një kompanie publike, si dhe të pritjeve për një sezon të mirë turistik. Si rrjedhojë, pritjet kanë sjellë njëkohësisht rritje të ofertës dhe reduktim të kërkesës për valutë.
Veprimi i këtyre faktorëve – ndonëse vlerësohet të jetë i përkohshëm – ka rezultuar në mbiçmim të fortë të kursit. Ky mbiçmim – i cili u identifikua si një faktor rreziku në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës në muajin maj – ka forcuar presionet në kahun rënës të inflacionit.
Gjykimi ynë mbi situatën dhe perspektivat ekonomike dhe financiare të vendit nuk ka ndryshuar. Trendi i zhvillimit pritet të jetë pozitiv, i karakterizuar nga rritja e mëtejshme ekonomike, nga lëvizja graduale e ekonomisë drejt ekuilibrit, si dhe forcimi progresiv i presioneve të brendshme inflacioniste. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se përcjellja e forcimit të kursit të këmbimit në çmimet e konsumit e frenon shpejtësinë e kthimit të inflacionit në objektiv. Gjithashtu, edhe pse në mungesë të ndryshimit të faktorëve fondamentalë, pritjet e njëanshme afatshkurtra mbi kahun forcues të kursit të këmbimit rrezikojnë të shndërrohen në pritje të qëndrueshme dhe afatgjata. Konsolidimi i këtyre pritjeve dhe krijimi i dimensionit vetë-përmbushës të tyre, mund të krijojnë një rreth vicioz me ndikim të dëmshëm në inflacion dhe në treguesit e tjerë ekonomikë.
Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi si të nevojshëm lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare. Ky vlerësim është në konsistencë të plotë me vlerësimet dhe komunikimet tona paraardhëse.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
Të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 1.00%;
Të ulë me 0.15 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e zbritur atë në nivelin 0.10%;
Të ulë me 0.35 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e zbritur atë në nivelin 1.90%.
Rritja e stimulit monetar pritet të shoqërohet me reduktim të mëtejshëm të normave të interesit të kredisë dhe me rritje të qarkullimit të mjeteve monetare në lekë. Në këtë mënyrë, ai pritet t’i japë një impuls shtesë kërkesës agregate, si nëpërmjet uljes së kostos së financimit të konsumit dhe të investimeve edhe nëpërmjet riekuilibrimit të kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun financiar.
Gjithashtu, duke u nisur nga nevoja e krijimit të kushteve të duhura monetare për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve si dhe duke reflektuar mbi reduktimin e hapësirës së përdorimit të instrumentit tradicional të politikës monetare, normës bazë të interesit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ndërmarrjen e operacioneve të blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor. Këto operacione do të ndërmerren në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ.
Operacionet e blerjes së valutës do të synojnë eliminimin e tepricës së përkohshme të valutës në treg dhe frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit, forcim i cili do të dëmtonte përmbushjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve. Në këtë mënyrë, operacionet do t’i shërbejnë plotësimit dhe përforcimit të stimulit monetar, të transmetuar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Gjithashtu, ato do të ndihmojnë tregun për të gjetur çmimin e drejtë të këmbimit të lekut kundrejt valutave, në linjë me raportet e qëndrueshme dhe afatgjata të kërkesës dhe ofertës për të.
Operacionet e blerjes së valutës do të ruajnë kohëzgjatjen e nevojshme dhe të mjaftueshme për përmbushjen e objektivave tanë.
Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se kursi i këmbimit në Shqipëri ka qenë, është dhe do të jetë një kurs i lirë, i cili përcaktohet nga raportet e kërkesës dhe ofertës në tregun valutor. Për këtë arsye, ftojmë dhe një herë të gjithë operatorët e ekonomisë dhe të tregjeve financiare të shmangin ekspozimet e pastudiuara, të pambrojtura dhe të padëshiruara në valutë.
Përdorimi i operacioneve valutore është dhe do të mbetet një rast i veçantë, i ndërmarrë në rrethanat specifike të nevojës për reagim të politikës monetare dhe të ngushtimit të hapësirës së veprimit të instrumenteve të saj tradicionalë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.