Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ruajtur pothuajse të njëjtat vlerësime për zhvillimet ekonomike në vendin tonë, përjashtuar borxhin publik, të cilin e paraqitet më të lartë krahasuar me parashikimet e fundit, të bëra në tetor të vitit të kaluar.
Ne raportin për zhvillimin ekonomik të vendeve, FMN flet për rritje ekonomike në Shqipëri 3.7% këtë vit dhe 3.8% në 2019-ën. Po aq sa vlerësohej në projeksionet e kaluara.
Vlerësimet e fundit të institucionit ndërkombëtar, tregojnë se ecuria për vitin që shkoi ishte më e mirë se pritshmëritë fillestare duke sjellë një rritje 3.9% nga 3.7% që ishte më parë.
Por, shqetësuese për vendin mbetet borxhi i lartë publik. Raporti verën se borxhi për këtë vit parashikohet mbi 71% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vitin e ardhshëm sipas FMN-së pritet të bjerë në 68.5%. Në fakt, në të dy rastet, përfshirë edhe vitin e kaluar, borxhi publik është rishikuar në rritje nga FMN.
Ky është viti i dytë, pas përfundimit të marrëveshjes trevjeçare me FMN. Marrëveshja i siguroi qeverisë shqiptare një financim 330 milionë dollarë dhe kishte si objektiv shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj privatit dhe konsolidimin e buxhetit. Ulja e borxhit publik parashikohej të kishte filluar, por FMN sheh me rrezik për buxhetin, kontratat e partneritetit publik privat.
Nga të dhënat e raportit, rezulton se Shqipëria ka borxhin publik më të lartë mes vendeve fqinje në Ballkan.
Për sa i përket rritjes ekonomike në Ballkan, kryeson Kosova me 4%.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto