Kjo është historia interesante, e treguar nga një sipërmarrës, sesi një orë e bërë dhuratë nga gjyshi i tij, e bëri të shihte jetën në një tjetër këndvështrim.
Gjyshi im ishte një sipërmarrës. Ai u lind dhe u rrit në Brooklyn dhe e krijoi vetë pasurinë e tij, duke filluar, besojeni ose jo, me një kompani çakmakësh në vitet 60. Ai ishte një njeri interesant i cili bënte një jetë luksoze, (ose të paktën kështu më dukej mua në moshën 13 vjecare). Ai ishte heroi im.
Ai kishte një orë, një Omega Speedmaster, që unë e dashuroja. Kishte një kronograf dhe atë që njihet si një komplikim i trefishtë date: ditën e javës, muajin dhe datën. Nuk dukej si gjithë orat e zakonshme. Ishte blu, e bardhë dhe gri. Sa herë që e takoja e pyesja për të dhe herë pas here më linte dhe ta vendosja në dorë.
Kur gjyshërit e mi shitën shtëpinë e tyre ne po i ndihmonim të nxirrnin jashtë kutitë me sende. Ai më mori menjanë kur nuk kishte njeri rrotull dhe më dha orën e tij. Ai tha, ‘’Dua që ti ta kesh këtë’’. Kaq ishte. Isha 16 vjec. Kisha mbetur i shtangur.
Vite më vonë, në 2008-ën, kisha një punë të mirë në një bankë të madhe por e urreja atë. Kur ekonomia pati disa probleme, shefi më tha, ‘’ Shiko, ne preferojmë që mos të të lëmë të largohesh në rast se gjërat përmirësohen, kështu që do të të duhet të vish cdo ditë por rregulloje vetë kohën tënde. Thjesht hajde dhe bëj cfarë të duash.’’ Unë thashë, ‘’Shkëlqyer.’’
I ulur në vëndin tim një ditë, bëra disa kërkime rreth orës së gjyshit tim. Pashë fillimisht disa informacione të postuara në Tumblr thjesht për të kaluar kohën. Më pas fillova të kërkoj rreth orave të tjera si Rolex që mbante Steve McQueen apo Patek Philippe i mbajtur nga John Lennon dhe fillova të shkruaj për to. Nga këtu gjërat filluan të rriteshin. Fillova të shoh se e gjithë kjo mund të kishte një të ardhme. E lashë punën time dhe aplikova në Columbia Journalism School. U pranova çuditërisht.
Ndërkohë faqja e internetit, të cilën e quajta Hodinkee, një lojë fjalësh me hodinky, që në gjuhën çeke do të thotë ‘’ orë dore’’, për arsye të cilat nuk di ti shpjegoj plotësisht, filloi të bënte para. U diplomova dhe punësova pjesëtarët e parë të stafit, me kohë të plotë. Më pas takova Kevin Rose, Tony Fadell dhe Jason Fried. Të tre ishin sipërmarrës të shkëlqyer dhe fansa të Hodinkee. U bëmë miq shumë të mirë. Së bashku mblodhëm disa para dhe ngritëm një ‘’ekip ëndrrash’’ me shkrimtarë, dizajnerë dhe zhvillues. Tashmë ishim në garë.
Hodinkee tashmë është bërë një aktivitet tregtar i madh, me dyqane pop up dhe me një staf prej 25 vetësh dhe unë kam një karrierë që e dashuroj, që më lejon të udhëtoj, të jem kreativ, të takoj njerëz dhe të provoj gjëra të reja. Asnjë nga këto nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kisha marrë orën nga gjyshi im. Ka qënë me mua përmes gjithë këtyre ngjarjeve dhe do të jetë me mua deri ditën që do vdes. Nëse do të kem fëmijë, shpresoj që t’ua lë atyre dhe ti them, ‘’Shtëpia ku jetojmë, makinat dhe çdo gjë që kemi kanë ardhur si shkak i kësaj ore’’. Ndryshoi gjithçka. Më dha një karrierë. Më dha jetën time.
burimi: entrepreneurs.com
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.