Banka shqiptare “Union Bank” i bashkohet programit të BERZH për Lehtësimin e Tregtisë duke forcuar kështu operacionet e saj në financimin e tregtisë. Dy partnerët afatgjatë kanë nënshkruar një marrëveshje në Tiranë sipas të cilës Union Bank do të jetë një bankë që do të lëshojë garanci për financimin e tregtisë për të mbështetur aktivitetin e importit dhe eksportit të kompanive vendase.
Përmes linjës prej 5 milionë euro për financimin e tregtisë, Union Bank do të lëshojë garanci në favor të bankave konfirmuese. Një theks i veçantë do të vendoset tek importi i teknologjive të avancuara dhe shërbimeve që mbështesin tranzicionin e vendit në ekonominë e gjelbër në përputhje me qasjen e BERZH për Tranzicionin në Ekonominë e Gjelbër.
Charlotte Ruhe, Drejtoresha e BERZH për Europën Qendrore dhe Jug-Lindore theksoi gjatë nënshkrimit: “Ky është një hap i rëndësishëm që shënon rikthimin e një programi të suksesshëm të BERZH për lehtësimin e tregtisë së Shqipëri pas pothuaj 20 vitesh. Kjo do të ndihmojë ekonominë vendase duke lehtësuar tregtinë dhe integrimin ekonomik ndër-kufitar, i cili është një nga prioritetet strategjike të BERZH për Ballkanin Perëndimor. Bizneset shqiptare do të përfitojnë nga hyrja në tregje më të mëdha falë përfitimeve të ofruara nga ky Program.”
Gazmend Kadriu, CEO, Union Bank shtoi: “Prej disa kohësh Union Bank po lufton për përdorim më të mirë të financimit të tregtisë nga bizneset shqiptare, shpesh duke përdorur kontakt edhe pagesa direkte me vendet fqinje që janë edhe partnerët tanë kryesorë në biznes. Krahas gjithë karakteristikave të shkëlqyera të ‘Programit për Lehtësimin e Tregtisë’, asistenca me trajnim që ofron BERZH ishte një tjetër arsye pse ne u bëmë pjesë e këtij programi. Ne shpresojmë ta përdorim sa më mirë këtë mbështetje duke e kthyer ‘Programin e Lehtësimit të Tregtisë’ në një sukses për bankën tonë dhe për klientët.”
Që prej fillimit të veprimtarisë së saj në vitin 2006, Union Bank ka rritur vazhdimisht biznesin dhe fitimet e fokusuar në nevojat bankare të individëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me një spektër të gjerë produktesh bankare sipas nevojave të klientëve. Rritja e qëndrueshme ndër vite ka bërë që Union Bank të ketë rreth 350 milionë euro në asete.
Prezantuar në vitin 1999, Programi i BERZH për Lehtësimin e Tregtisë synon të promovojë tregtinë e jashtme drejt, nga dhe midis vendeve në të cilat BERZH investon. Përmes këtij programi, BERZH ofron garanci për Bankat ndërkombëtare dhe hua afat-shkurtra ndaj bankave të përzgjedhura dhe kompanive të faktoringut me qëllim huadhënien për eksportuesit, importuesit dhe tregtarët vendas.
Që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar mbi 1 miliardë euro në vend në rreth 80 projekteve. Banka është aktive në të gjithë sektorët e ekonomisë me një fokus të veçantë në infrastrukturë, energji dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
/UnionBank
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.