Ja çfarë thotë parashikimi i fundit i FMN për Shqipërinë - Business Magazine Albania

Ja çfarë thotë parashikimi i fundit i FMN për Shqipërinë


FMN ka publikuar sot rishikimin e Panoramës Ekonomike Globale, ku thekson se rimëkëmbja e parashikuar në raportin e muajit Prill mbetet në rrugë të mbarë, me rezultatin global të parashikuar të rritet me 3.5 % në vitin 2017 dhe 3.6 % në 2018. Parashikimet për ekonominë globale kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me raportin e muajit Prill, por kjo ka ardhur kryesisht nga ulja e pritshmërive për SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, ndërsa për Europën perspektiva është përmirësuar.

Lexoni: FMN konfirmon trendin rritës të ekonomisë shqiptare

 Parashikimet e rritjes së SHBA-së janë më të ulëta se në muajin Prill, kryesisht duke reflektuar supozimin se politika fiskale do të jetë më pak ekspansioniste, se sa parashikohej më parë. Rritja për SHBA-n është rishikuar nga 2.3% në 2.1% në 2017 dhe nga 2.5% në 2.1% në 2018.

Rritja është rishikuar për Japoninë dhe sidomos për zonën e euros, teksa ecuria pozitive e aktivitetit në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017 tregojnë për një rimëkëmbje të qëndrueshme. Parashikimet e rritjes së Kinës janë rishikuar gjithashtu, duke reflektuar një tremujor të parë të fortë të 2017 dhe pritjet e mbështetjes fiskale të vazhdueshme. Inflacioni në ekonomitë e zhvilluara mbetet i ulët dhe përgjithësisht nën objektiv. Gjithashtu ka rënie në disa ekonomi në zhvillim, si Brazili, India dhe Rusia.

Rimëkëmbja e Europës
FMN parashikon se rimëkëmbja ciklike mund të jetë më e fortë dhe më e qëndrueshme në Europë, ku rreziku politik është zvogëluar. Ekonomia e eurozonës pritet të rritet me 1.9% në 2017-n, nga 1.7% që ishte parashikimi i Prillit.

Pritshmëria për rritjen ekonomike është rishikuar për shumë shtete të eurozonës, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Spanjën, ku performnca ka qenë përgjithësisht më e mirë sesa pritej në tremujorin e parë të vitit.

Kjo, thekson FMN, së bashku me rishikimet pozitive të rritjes për tremujorin e fundit të 2016-s dhe treguesit me frekuencë të lartë për gjysmën e dytë të 2017-s, tregojnë për një ecuri më të forte të kërkesës së brendshme, në krahasim me atë që pritej.

Edhe për Europën në zhvillim, pritshmëritë mbeten pozitive, të udhëhequra nga një rritje më e fortë sesa parashikimi në Turqi, si rrjedhojë e eksporteve të larta. Edhe kërkesa e jashtme pritet të jetë pozitive si rrjedhojë e përmirësimit të aktivitetit të partnerëve të eurozonës.

Shqipëria mbetet me rritjen më të lartë në rajon
Për Shqipërinë, raporti i Korrikut nuk ka të dhëna të detajuara, por burime nga FMN pohojnë se ato i qëndrojnë parashikimeve të raportit të Prillit, sipas të cilit rritja në 2017-n pritet të jetë 3.7%, për t’u përshpejtuar në 2018-n në 4.1% dhe deri në vitin 2022 pritet të jetë në këto nivele.

Për 2017-n, Shqipëria pritet të ketë rritjen më të lartë në rajon, e ndjekur nga Kosova me 3.5, Mali i Zi me 3.3%, Maqedonia me 3.2%, Serbia dhe Bosnja me nga 3%.

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0