Ionian Refining dhe Trading Co, është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 13 qershor të vitit 2016. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt Britanikë Virgin, duke vijuar me “traditën” e kompanive më aksionerë të panjohur që hyjnë në aktivitetin e naftës në Shqipëri.
Nga Ministria e Industrisë nuk ka informacion se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re me rafinerinë ARMO dhe si do të veprohet me detyrimet e shumta që ka ARMO.
Deri tani, rafineria e ARMO ishte marrë në shfrytëzim nga dy kompani, TPD Drilling dhe Deveron.
ARMO, një histori problematike borxhesh
Rafineria ARMO, është një nga kompanitë më problematikë në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve.
Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës, një shumë kjo që është gati sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrol-it, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.
Punonjësit kanë filluar protestat për mosmarrjen e pagave prej muajsh.
Në gusht të 2013-s, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85% të aksioneve të ARMO sh.a (15% i ka akoma shteti). Në datën e blerjes, Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë, të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO, gjatë vitit 2014, përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre.
Mirëpo, detyrimet e kompanisë janë shtuar në mënyrë galopante dy vitet fundit, duke shkuar në gati 600 milionë dollarë. ARMO është ndërkohë kreditori më i madh i keq në vend, në listën e 35 kompanive që kanë 60% të huave me probleme në vend. Kredia ndaj bankave në Shqipëri vlerësohet në rreth 50 milionë euro.
Asetet e ARMO-s muajt e fundit kanë qenë në shitje nga kreditorët, si Raiffeisen, ndërsa një pjesë e tyre është sekuestruar nga Albpetrol si rrjedhojë e mosshlyerjes së detyrimeve ndaj kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës, që arrijnë rreth 50 milionë dollarë. Në sekuestro së fundmi asetet e ARMO-s kanë qenë dhe nga Dogana Fier.
burimi: monitor
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.