Kryetari i ri i pranisë së OSBE-së në vendin tonë do të jetë Bernd Borchardt, një lajm ky i publikuar nga vetë prania e OSBE-së në Shqipëri përmes llogarisë në Twitter.
Diplomati gjerman, një emër i njohur për shqiptarët, ka qenë ambasador i Gjermanisë në Shqipëri gjatë viteve 2007-2010, ndërkohë që së fundi ka shërbyer edhe si kreu i EULEX-it në Kosovë.
Emërimi i Borchardt si ambasador i OSBE-së në Shqipëri vjen në një moment shumë të rëndësishëm, pas miratimit të Reformës në Drejtësi dhe në prag të zbatimit të saj.
Përveç eksperiencës si diplomat karriere, Borchardt pritet të sjellë edhe eksperiencën e fituar gjatë drejtimit të EULEX-it, pasi Shqipëria ka një model deri diku të ngjashëm me atë të Kosovës në sistemin e drejtësisë.
Faktikisht, edhe drejtësia e re shqiptare do të ketë në krye një mision ndërkombëtar, i cili edhe pse jo vendimmarrës, do të ketë një rol të fortë monitorues.
Pas përfundimit të misionit si ambasador në Shqipëri, diplomati gjerman ka punuar në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë si koordinator i stafit gjerman, që shërbente në organizata ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit 2012, ai u emërua në postin e kreut të EULEX-it në Kosovë. Tashmë ai do të pasojë në këtë rol të ri ish-ambasadorin austriak Florian Raunig.
Sa i përket veprimtarisë së pranisë së Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, ajo kujdeset më së shumti për fusha të tilla: nga kontrolli i armëve dhe lufta kundër trafikimit, e deri te reforma zgjedhore, nismat kundër korrupsionit, projektet për integrimin gjinor dhe mjedisor, mbrojtja e të drejtave të njeriut, reformat legjislative, gjyqësore dhe të medias, si dhe ngritja e kapaciteteve të oficerëve të zbatimit të ligjit.
Burimi: Top-Channel
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.