Inflacioni dhe deflacioni si tregues ekonomikë - Business Magazine Albania

Inflacioni dhe deflacioni si tregues ekonomikë


Si rrallëherë, inflacioni shumë i ulët i regjistruar për muajin shkurt, e bëri deflacionin një term politik. Deputeti kritik i Partisë Socialiste Ben Blushi foli për të bashkë me ish-kreun e opozitës Sali Berisha. Banka e Shqipërisë iu përgjigj me shkrim kërkesës së medias për komente duke refuzuar idenë se vendi është në situatë deflacionare. Disa shpjegime bazë mbi inflacionin dhe deflacionin mund të ndihmojnë për të shpjeguar situatën.

Në botën e ekonomiksit inflacioni apo indeksi i çmimeve të konsumit, është një nga treguesit më të vështirë dhe të debatueshëm. Instituti i Statistikave e llogarit Indeksin e Çmimeve të Konsumit duke grumbulluar informacion mbi rreth 400 çmime në të gjithë territorin e vendit. Çmimet e mallrave dhe shërbimeve të grumbulluara një nga një, vendosen në një sistem peshash, për t’i dhënë secilit çmim rëndësinë që ka, për të nxjerrë shifrën finale.

Banka e Shqipërisë, e cila ka për arsye të ekzistencës së vet “stabilitetin e çmimeve”, është gjithsesi përgjegjëse për vetëm një pjesë të inflacionit apo deflacionit dhe nuk ka fuqi të ndërhyjë për një pjesë të konsiderueshme të asaj që ne e njohim si kosto jetese.

Si pjesë e misionit të saj, Banka e Shqipërisë ka krijuar një seri rikategorizimesh të inflacionit, secili prej të cilëve ka studime të tëra të kryera përgjatë viteve si themel.

Gjithsesi, debati politik nisi nga fakti që Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 0.2 për qind në muajin shkurt 2016, në krahasim me shkurtin 2015.

Një studim i para shumë viteve nga ana e Bankës së Shqipërisë, doli në konkluzionin se inflacioni pranë zeros në kushtet e Shqipërisë, nënkupton deflacion. Megjithatë, Banka e Shqipërisë iu përgjigjOra News dje se nuk e mendonte në këtë rast kështu.

Në raportet e saj, Banka e Shqipërisë e torturon Indeksin e Çmimit të Konsumit në shumë forma për të gjetur të fshehtat e këtij treguesi. Në raportin e fundit vjetor, psh, i cili po shqyrtohet aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë, flitet për Inflacion Bazë, Çmime të Huaja, NEER, TPHI, Ushqime të Papërpunuara, Ushqime të Përpunuara etj. Një nga disa termat e tjerë të përdorur dhe që nuk janë në këtë raport është termi domethënës: çmime të administruara.

Inflacioni si fenomen monetar

Inflacioni është në thelb, rritje e masës monetare në ekonomi më e lartë se sa rritja e prodhimit. Problemi është se masa monetare në ekonomitë e hapura përbëhet nga monedha vendëse dhe monedha të huaja. Banka e Shqipërisë është përgjegjëse vetëm për monedhën vendëse. Që prej pesë vitesh, Banka e Shqipërisë është përpjekur të rrisë masën monetare në qarkullim duke ulur interesin me të cilin ofron para për bankat e nivelit të dytë. Suksesi ka qenë i dobët.
Siç dallohet edhe nga të dhënat e publikuara në raportin vjetor të BSH, inflacioni i përgjithshëm ka qenë me tendencë rënëse nga viti 2010 deri më sot, me një përjashtim të lehtë të vitit 2015. Kjo na shpie te treguesi tjetër, inflacioni bazë.

Inflacioni bazë

Banka e Shqipërisë llogarit nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit një nënindeks të quajtur Inflacion Bazë, me qëllim që të dallojë nga inflacioni atë pjesë të treguesit që flet për ecurinë e çmimeve duke përjashtuar disa faktorë çorientues, të tillë si inflacioni fiskal apo inflacioni i shkaktuar nga katastrofat natyrore apo tronditjet politike.

Ky është lloji i inflacionit që matet si tregues më i besueshëm i ecurisë reale të Shqipërisë. Dhe BSH në raportin e saj vjetor thotë se edhe ky tregues është në rënie gjatë të gjitha viteve të fundit, përfshirë edhe vitin 2015. Për më tepër, në vitin e kaluar, inflacioni bazë rezulton minus 0.2 për qind.

Fiskal dhe i administruar

Kjo na shpie te pjesa tjetër e inflacionit, ajo që në vitin 2015 ka pësuar rritje. Ky lloj inflacioni klasifikohet në disa mënyra: inflacioni fiskal është ajo pjesë e rritjes së çmimeve të shkaktuar nga rritja e taksave. Aktualisht nuk është e lehtë që të dallohet se cili është ndikimi i saktë i rritjes së taksave, tarifave apo kostove të tjera që përcaktohen nga qeveria në inflacionin total, megjithatë, është e gjithëditur se në dy vitet e fundit, taksat mbi karburantet dhe cigaret janë rritur, duke ndikuar në inflacion. Ky është një nga shumë llojet e inflacionit që janë jashtë aftësisë së Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë. Kur qeveria rrit taksat, politika monetare nuk ka çfarë të bëjë. Anasjelltas, nëse inflacioni është rritur si pasojë e rritjes së taksave, atëherë inflacioni i vërtetë është më i ulët dhe se inflacioni total nuk e shpreh tërësinë e gjendjes ekonomike të vendit.

Pastaj kemi problemin e çmimeve të administruara. Qeveria ka rritur vitin e kaluar tarifat për studimet në universitete. Zëri i shpenzimeve për arsim në muajin shkurt shënoi rritje vjetore prej 4.8 për qind. Është një rritje e rëndë që i është bërë barrë familjeve shqiptare. Vitin e kaluar, shpenzimet për arsim u shtrenjtuan me 10 për qind. Megjithatë, politika monetare nuk ka gjë në dorë edhe në këtë drejtim. Pastaj kemi çmimin e dritave, i cili u rrit për bizneset që nga viti 2015, me ndikim gjithashtu në inflacionin e çmimeve të administruara.

Edhe sektori privat luan shpesh një rol në këtë lloj inflacioni të administruar, por në këtë rast, mund të krijohet një tregues i ri jozyrtar: çmimet oligopolistike apo çmimet monopol. P.sh, para ca vitesh, kompanitë e sigurimeve krijuan një kartel dhe rritën papritur çmimet e policave të sigurimeve. Ato hynë te statistikat e INSTAT si zëri “Mallra dhe Shërbime të Ndryshme”.

Inflacion i importuar

Treguesi tjetër i çmimeve është inflacioni i importuar. Nëse çmimet e mallrave të importuara në Shqipëri rriten papritur, ose bien papritur, siç kanë rënë aktualisht, atëherë edhe ky është një problem që nuk lidhet me funksionet dhe mundësitë e Bankës së Shqipërisë.

Në raportin vjetor të BSH shkruhet: “Treguesi i “Çmimeve të huaja” u rrit me 3.7% në terma vjetorë, duke mbajtur të njëjtin ritëm me atë të vitit të kaluar. Ndryshe nga zhvillimet e vitit 2014, nënçmimi i monedhës vendase në terma të NEER-it shtoi praninë e presioneve të huaja inflacioniste në vend, veçanërisht në gjashtëmujorin e parë të vitit. Në reflektim të tyre, indeksi TPHI u zgjerua me 5.3% gjatë vitit 2015”. Nëse jeni hutuar nga akronimet, mund të tentojmë t’i shpjegojmë. NEER është norma efektive e këmbimit valutor të lekut. Ajo është një “shportë monedhash” e përbërë nga dy monedha, euro dhe dollar amerikan, në raportin 80 për qind euro dhe 20 për qind dollar. Ky është treguesi që mat ecurinë reale të lekut dhe që mundëson të dallosh luhatjen përballë të dyja monedhave kryesore të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë. BSH e përdor këtë tregues për të parë se sa nga inflacioni i çmimeve të importit është shkaktuar nga nënçmimi apo mbiçmimi i lekut. Kjo krijon nevojën për krijimin e treguesit tjetër: TPHI llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit NEER për muajin përkatës.

I hutuar?!

Normale.

Pafundësia e treguesve dhe nëntreguesve dhe kompleksiteti i inflacionit si njësi matëse ekonomike krijon mundësi për të dhënë argumente të pafundme në të dyja krahët e debatit: atë nëse ekonomia po ecën mirë apo po ecën keq.

Publiku i gjerë dhe bizneset vështirë se kanë nevojë për treguesit e inflacionit për të kuptuar si po ecën ekonomia. Ata e dinë vetë.

Por për efekt të debatit publik, është e qartë se goditjet rritëse të çmimeve nga ana e qeverisë, përmes taksave të rritura dhe çmimeve të administruara gjithashtu të rritura sugjerojnë se inflacioni aktual është shumë i ulët. Ajo që vlen në diskurs është tendenca e inflacionit më shumë se sa shifra fikse në një muaj të caktuar. Të dy treguesit kryesorë të përdorur nga Banka e Shqipërisë për këtë, inflacioni i përgjithshëm dhe inflacioni bazë, janë në tendencë rënëse, tashmë që nga viti 2011. Shpenzimet e larta të qeverisë përgjatë viteve 2014 dhe 2015 përmes rritjes së borxhit publik, qartazi nuk kanë pasur efekt në rritjen e inflacionit, për shkak se nuk kanë pasur efektin e pritshëm në ekonomi. Rritja ekonomike e dy viteve të fundit është më e ulët nga sa qe shpresuar. Pritshmëritë për rritje ekonomike dhe inflacion në vitet e ardhshme janë gjithashtu më të ulëta se sa qenë një vit dhe dy vjet më parë. Problemi është se inflacioni bazë negativ dhe inflacioni i përgjithshëm pranë zeros është në një pjesë të madhe i varur nga qeveria, në një pjesë më të vogël është shkaktuar nga çmimet e importit dhe në një pjesë tjetër, nga mungesa e efikasitetit të politikës monetare.

Sa për përkufizim! Banka e Shqipërisë në fjalorin e saj e shpjegon deflacionin në këtë mënyrë: Deflacion: proces i karakterizuar nga një rënie e vazhdueshme e nivelit të përgjithshëm të çmimeve gjatë një periudhe kohe të zgjatur. Në qoftë se pritet një rënie e vazhdueshme e çmimeve, blerjet e mallrave mund të shtyhen për më vonë për të përfituar nga çmime më të ulëta. Kjo prirje mund të çojë në një ulje të mëtejshme të çmimeve dhe si përfundim në një ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Rënia e çmimeve në disa sektorë të ekonomisë si rrjedhojë e progreseve teknike ose rritjes së konkurrencës, nuk duhet konsideruar si deflacion.

Burimi: Fjalori i Bankës së Shqipërisë

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0