Duket një mision i pamundur ulja e borxhit publik. Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë, borxhi i jashtëm në fund të tremujorit të tretë u rrit me 8.2% në terma vjetorë, ndërsa stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë shënoi vlerën totale prej 7,475.8 milionë eurosh.
Vlera e regjistruar e stokut të borxhit u rrit me rreth 569.4 milionë euro, krahasuar me fundin e tremujorit të tretë të vitit 2014. Stoku aktual i borxhit të jashtëm bruto vlerësohet në 73.1% në raport ndaj PBB-së nominale, raport ky rreth 3.3 pikë përqindje më i lartë krahasuar me atë të së njëjtës periudhë të një viti më parë. Kontribuuesi kryesor në zgjerimin e borxhit të jashtëm bruto të vendit tonë ishte qeveria. Sipas Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2015, borxhi publik ishte 72.5 për qind, megjithatë analiza e BSH-së, ndalet vetëm në borxhin e jashtëm. Strategjia e uljes së borxhit publik, e rënë dakord me BB-në dhe FMN-në, ka vendosur objektiv uljen e borxhit në 70.9% të PBB-së në vitin 2016 dhe në 65.5% në 2017-n.
Borxhi i ri
Tërheqja e borxhit të ri të huaj për të gjithë ekonominë ishte rreth 313.9 milionë euro. Ashtu si dhe përgjatë vitit të shkuar, tërheqjet u dominuan nga borxhi i qeverisë, i cili përfaqëson rreth 93.1% ndaj totalit të borxhit të ri të disbursuar për tremujorin e tretë 2015. Borxhi i ri i marrë nga qeveria ishte 51.4% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkaq, tërheqjet në trajtën e borxhit të sistemit bankar dhe të sektorit privat u zvogëluan në nivel vjetor këtë tremujor, raporton BSH-ja. Nga një tjetër pikëvështrim, qeveria është sektori me peshën më të madhe në totalin e stokut të borxhit të jashtëm, me rreth 41%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pesha e borxhit të qeverisë shënoi një rritje me rreth 3.2%. Stoku i borxhit të qeverisë arriti vlerën 3,062 milionë euro dhe u vlerësua në 29.9% ndaj PBB-së. Në përbërje të borxhit të jashtëm janë edhe korporatat depozituese (përjashtuar Bankën Qendrore), huaja e të cilave rezultoi në 1,296.5 milionë euro, në rritje me 63.6 milionë euro krahasuar me 2014-n. Pjesa e borxhit të jashtëm e sektorëve të tjerë u vlerësua në rreth 1,363.6 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore me rreth 31.4 milionë euro. Kurse stoku i huave të kompanive të huaja (investimet) u vlerësua në rreth 1,678.7 milionë euro, në rritje vjetore me rreth 21.1 milionë euro.
Eksportet dhe borxhi
Monitorimi i qëndrueshmërisë në kohë të borxhit të jashtëm bruto ndahet në dy kategori: (a) tregues, të cilët matin aftësinë ripaguese të vazhdueshme të një vendi ndaj kreditorëve të tij ndërkombëtarë; (b) tregues, të cilët matin mjaftueshmërinë e likuiditetit, në kushtet e domosdoshmërisë së ripagimit të detyrimeve afatshkurtra. Eksporti i mallrave dhe i shërbimeve është një fluks i vazhdueshëm të ardhurash valutore nga jashtë në ekonomi. Treguesi sintetik që kombinon eksportin me borxhin e jashtëm bruto të shprehur në monedhë të huaj, ndihmon në analizën e kapacitetit dhe të potencialit afatgjatë ripagues të një vendi. Përkeqësimi i këtij treguesi sinjalizon një zvogëlim të aftësisë afatgjatë për të paguar borxhin. Që prej tremujorit të tretë të vitit 2011, treguesi i borxhit të jashtëm bruto kundrejt eksportit të mallrave dhe të shërbimeve ka tejkaluar pragun teorik optimal të propozuar prej institucioneve ndërkombëtare financiare. Në fund të vitit të kaluar, vlera e këtij treguesi ishte rreth 211.7%, duke u zgjeruar me rreth 15.9 pikë përqindjeje në nivel vjetor.
Raporti me të ardhurat fiskale
Një dritare tjetër për analizën është fluksi i të ardhurave fiskale, i cili ndihmon në ndërtimin e dy treguesve që matin aftësinë ripaguese të një vendi. Këto flukse duhet të mjaftojnë për të mbuluar një raport të caktuar të borxhit të jashtëm bruto dhe të stokut të borxhit të jashtëm të qeverisë. Treguesi i parë monitoron hapësirën që gëzon qeveria për të mënjanuar humbjen e besueshmërisë së vendit te kreditorët e huaj në kohë krize. Ndërsa treguesi i dytë monitoron rrezikun e të ardhurave fiskale që rishpërndahen nga shpenzime publike në fonde për amortizimin e borxhit të jashtëm publik. “Raporti i borxhit të jashtëm bruto kundrejt të ardhurave fiskale vlerësohet në nivelin 289.5%. Ky tregues është zgjeruar me rreth 11 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe me 25.1 pikë përqindje krahasuar me një tremujor më parë. Tashmë, të dy këta tregues qëndrojnë ndjeshëm mbi nivelet teorike optimale të propozuara nga literatura e fushës”, konkludon analiza e BSH-së.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.