Një raport i Bankës Botërore vëren se, Shqipëria është një nga vendet me rënien më të shpejtë të lindshmërisë në Europë.
Raporti i titulluar “Plakja e artë” vëren se, në vitin 1970, në Shqipëri lindnin mesatarisht 5 fëmijë për një grua. Por në vitin 2012, shifra zbriti poshtë normës së zëvendësimit të popullsisë, që është nën 2 fëmijë për grua. Sipas Bankës Botërore, kjo është një rënie dramatike.
Në Francë u deshën dy shekuj, që lindshmëria të binte nga 5 fëmijë për një grua, nën normën e zëvendësimit të popullsisë. Në Shqipëri kjo ndodhi vetëm për 34 vite.
Banka vëren se, kjo është rënia e tretë më e shpejtë e lindshmërisë që është regjistruar ndonjëherë në historinë botërore, pas Republikës së Koresë dhe Rusisë. Sipas saj, bashkë me emigrimin masiv, ulja e lindshmërisë po shkakton plakjen e shpejtë të popullsisë në Shqipëri.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, në vitin 2012, mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri ishte 35.7 vite. Por sipas BB-së, në vitin 2016 “shqiptari mesatar” do të jetë 47.5 vjeç.
Plakja me ritme të shpejta e popullsisë ka pasoja jo të vogla për ekonominë. Sipas raportit, ky fenomen jo vetëm që rrudh të ardhurat nga taksat, por do të rrisë edhe shpenzimet për pensione, duke vënë në vështirësi financat e shtetit.
Paralelisht, rritja e pjesës së moshuar të popullsisë do të cenojë edhe rritjen ekonomike, pasi ul forcën punëtore dhe popullsinë aktive që kontribuon në rritjen e prodhimit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.