Vizitorë të shumtë të panairit ‘Interantional Green Week’ në Berlin janë interesuar dhe kanë blerë prodhimet nga Kosova që po prezantohen në këtë ngjarje të madhe për bujqësinë në botë. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi së bashku me përfaqësuesit e 12 kompanive nga Kosova që po marrin pjesë në këtë panair, kanë pavijonin e Kosovës, e ku kanë marrë pjesë edhe afaristë shqiptarë e të tjerë në Gjermani si dhe Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti.
Në këtë panair po marrin pjesë shumë shtete nga e mbarë bota. Nga Kosova po prezantohen kompani prodhuese dhe përpunuese të pemëve dhe perime, frutave të malit, kërpudhave, etj.
Ministri Memli Krasniqi tha se Kosova po bën një prezantim mjaft dinjitoz dhe ka sjellë para konsumatorit evropian prodhime cilësore e që mund të jenë konkurrente në tregun evropian.
“Shumë prej këtyre produkteve tashmë kanë gjetur treg në marketet evropiane por ky panair dhe shumë panaire të tjera ndërkombëtare që ne do t’i dërgojmë prodhimet tona janë mundësi ideale që agrobizneset tona të krijojnë lidhje me agrobiznese nga mbarë bota, që në të ardhmen të rrisin eksportin”, tha ministri Krasniqi.
Përfaqësues të agrobizneseve pjesëmarrëse janë shprehur shumë të lumtur me këtë mundësi që iu është ofruar atyre.
“Për neve është shumë me rëndësi ky hap i ndërmarrë nga ministria sepse vërtet ne kemi nevojë që prodhimet tona t’i shesim edhe në vendet e tjera, sepse kështu ne kemi qëndrueshmëri dhe rritje të afarizmit”, ka thënë Fatmir Krasniqi nga kompania për prodhimin dhe përpunimin e kërpudhave Fungo FF.
Ky panair do të qëndrojë i hapur për gati dy javë dhe është i hapur për vizitorët. Përveç prezantimit, prodhimet në këtë panair edhe mund të shiten.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.