Qeveria ka miratuar p/ligjin “Për zejtarinë” i cili ka për qëllim nxitjen e zhvillimit të zejtarisë nëpërmjet garantimit të kushteve për mbrojtjen e interesave të zejtarëve dhe për mbrojtjen e konsumatorëve të produkteve dhe shërbimeve të zejtarisë, si dhe mbështetjen për zhvillimin e kualifikimit profesional në këtë fushë.
Fokusi i këtij projektligji është nxitja e veprimtarisë zejtare, kualifikimit profesional në këtë fushësi dhe organizimi i subjekteve zejtare, nëpërmjet krijimit të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë që përfaqëson, organizon dhe mbështet veprimtarinë e subjekteve zejtare, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me institucionet shtetërore. Dhoma mund të ketë dhe degët e saj nëpër rrethe në varësi të numrit të zejtarëve në rajonet përkatëse dhe kur e gjykon të nevojshme.
Projektligji përcakton financimin e Dhomës Kombëtare të Zejtarisë e cila do të jetë me financim nga: kuotat e anëtarësisë, shërbimet që ofron vetë Dhoma, çdo financim tjetër i ligjshëm (donatorët), si dhe nga buxheti i shtetit. Për të lehtësuar zbatimin e këtij ligji nga subjektet zejtare dhe në kushtet e një mungese të një tradite të mëparshme të një Dhome Kombëtare Zejtarie është menduar që në dy vitet e para të krijimit të saj kjo Dhomë të mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit.
Po ashtu, p/ligji synon mbështetje dhe nxitje e zejtarisë, organizimi i zejtarëve me qëllim që të rriten aftësitë e tyre prodhuese dhe punësimi. Projektligji ka në qendër të tij kualifikimin profesional në zejtari, nëpërmjet një sistemi dual që merr fillesën nga ushtrimi në praktikë i zejes pranë një subjekti zejtar dhe kualifikimi teorik pranë një institucioni të arsimit e formimit profesional.
Projektligji vendos një bashkëpunim ndërmjet subjekteve zejtare dhe organizatave të tyre me sektorët publikë duke qënë në përputhje me vizionin e qeverisë për aftësimin profesional të lidhur ngushtë me partneritete publike – private. Përmes tij, synohet të adreson disa nga problematikat e evidentuara si: rritja e cilësisë së kualifikimit të fuqisë punëtore shqiptare, e orientuar nga nevojat konkrete të kompanive për fuqi punëtore të kualifikuar, lehtësimi i qasjes kërkesë-ofertë, përfshirja e drejtpërdrejt e ndërmarrjeve në formimin profesional të punonjësve të tyre. Formimi është i orientuar nga kërkesa konkrete të tregut të punës, duke ofruar, në këtë mënyrë, garanci për punësimin në të ardhmen e qëndrueshme të punonjësve në kompanitë e tyre. Është gjithashtu në përputhje dhe me objektivin e çertifikimit të eksperiencave profesionale.
Projekligji gjithashtu bën të mundur çertifikimin e eksperiencave të mëparshme profesionale të fituara jashtë apo brenda vendit nëpërmjet një sistemi joformal arsimi. Ky projektligj vjen si një risi në këtë fushë. Deri më sot nuk ka pasur një ligj që të rregullonte veprimtarinë zejtare, kualifikimin dhe aftësimin profesional në zejtari dhe organizimin e zejtarëve e ngritjen e Dhomës Kombëtare të Zejtarëve. Vendet e rajonit ku ne bëjmë pjesë, si Kroacia, Kosova, Bosnjë – Herzegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Bullgaria e kanë rregulluar zejtarinë dhe ushtrimin e organizimin e zejeve me ligj të posaçëm, duke bërë që të jemi i vetmi vend ku nuk ka një rregullim të tillë.
Projektligji i miratuar nga qeveria ka mbërritur në komisionet parlamentare për diskutim.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.