Shifra e saktë jepet nga tabloidi “Daily Star”. Edhe pse kërkesat pritet të jenë shumëfish më të mëdha, tifozët shqiptarë që nuk do të arrijnë të pajisen me një biletë, duhet të mendohen dy herë para se të shfryjnë ndaj FSHF-së, jo vetëm për faktin se gjithçka vendoset nga UEFA, por sepse janë më me fat se sa tifozët e vendit ku lindi futbolli, Anglisë. “Daily Star” në fakt shfryn gjithë irritimin, pasi Anglia me një popullsi prej 54 milionë banorësh ka në dispozicion vetëm 23 520 bileta, më pak madje se Islanda, që ka diçka më tepër se 300 mijë banorë. “Daily Star” nuk harron ta theksojë se është befasuese për anglezët që do të kenë më pak bileta se sa Shqipëria, suksesi i të cilës në Euro 2016 kuotohet 1/500.
Një shpërndarje e tillë i dedikohet faktit se numri i biletave të ndara është përcaktuar në bazë të kapacitetit të stadiumeve ku luajnë skuadrat dhe jo të popullsisë. Për sa i përket Shqipërisë, lajme të mira për tifozët kuqezi vijnë, ndërkohë edhe nga shefi i Sektorit të Marketingut në FSHF, Gazmend Malaj, i ftuar në emisionin “Fans Zone” në “Supersport”, deklaroi se FSHF është në negociata me UEFA-n, në mënyrë që të krijojë mundësinë që të aplikojnë për bileta për ndeshjet e Shqipërisë edhe nga ana e shqiptarëve që jetojnë në kufijtë e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në mënyrë që edhe ata të pajisen direkt me bileta, siç ndodh me shqiptarët e Kosovës.
FSHF do të ketë në dispozicion 16% të kapacitetit të stadiumeve ku do të luajë Shqipëria. Shefi i Marketingut në FSHF bëri të ditur se deri tani vetëm për ndeshjen me Zvicrën, që do të luhet në Lens, ka pasur 40 mijë aplikime nga 5 mijë deri në 6 mijë bileta, që janë në dispozicion për sektorin e tifozëve shqiptarë.
Gjithsesi, ka rëndësi të theksohet se shqiptarët që jetojnë në Zvicër dhe janë nënshtetas të saj mund të aplikojnë për këtë ndeshje edhe në sektorin e tifozëve të Zvicrës, pasi askush nuk mund t’i ndalojë për t’u pajisur me një biletë pavarësisht se emri tregon origjinën e tyre shqiptare. Afati i fundit i aplikimeve për bileta për një vend në stadiumet e “Francë 2016” është deri në 18 janar dhe është e rëndësishme që të gjithë ata që aplikojnë të japin të dhënat e tyre të sakta, në mënyrë që të kenë shanse për t’u pajisur me bileta.
/BalkanWeb/
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.