Shitblerja e shtëpisë, por edhe e ndërtesave të tjera, do të taksohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Në paketën fiskale është vendosur taksa e kalimit të pronësisë mbi ndërtesat. Vendi është ndarë në tri zona kryesore. Në Tiranë dhe Durrës kjo taksë është 1.000 lekë/m2 për shtëpitë e banimit dhe
për shtëpitë e banimit dhe 2.000 lekë/m2 për ndërtesat për tregti dhe shërbime. Ndërkohë, tarifës së vendosur nga qeveria në paketën fiskale mund t’i heqë ose t’i shtojë pushteti vendor deri në 30% të vlerës.
Legjislacioni në fuqi i jep të drejtën pushtetit vendor ta mbledhë këtë taksë dhe të vendosë edhe shtimin me 30% të saj. Deri tani kalimi i pronësisë tatohej në bazë të ligjit mbi të ardhurat; taksa mbi kalimin e pronësisë do të shtojë detyrimet e individëve kundrejt shtetit. Një tjetër taksë mbi pronën është ajo për zënien e hapësirave publike. Edhe në rast vendi është ndarë në tri zona, ku taksa më e lartë është në Tiranë e Durrës, dhe zvogëlohet në mënyrë progresive në bazë të madhësisë së qytetit.
Taksa vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi to. Detyrimi tatimor llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tij. Baza e taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit, pronësia e së cilës transferohet. Kategoritë e ndërtesave, për efekt të bazës së taksueshme, jepen si në tabelë. Ndërsa për kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e tjera të paluajtshme baza e taksës është vlera e shitjes së tyre.
Niveli i taksës caktohet në përqindje dhe niveli tregues i taksës është 2 për qind. Në taksën mbi pasurinë e paluajtshme përfshihen taksa mbi ndërtesat, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi truallin. Niveli i taksës së ndërtesës është nga 5 lekë në vit për m2 në zonat rurale, deri në 400 lekë në vit për m2 në kryeqytet për bizneset. Bizneset do të paguajnë taksën për ndërtesën që është 400 lekë në vit për m2, që do të thotë që, një biznes me sipërfaqe 100m2 do të paguajë 40.000 lekë në vit taksë për ndërtesën. Një tjetër taksë e parashikuar në paketën fiskale është ajo për truallin, që është parashikuar në masën 5.600 lekë/ha në vit në qytetet kryesore, deri në 1400 lekë/ha në vit në qytetet e vogla.
Taksa mbi truallin
Baza e taksës mbi truallin është sipërfaqja e truallit, në hektar, në pronësi apo përdorim të taksapaguesit. Sipërfaqja e truallit në pronësi përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë atë. Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i truallit bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së truallit në përdorim, pranë bashkisë ku ndodhet trualli. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar.
Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme. Taksës mbi pasurinë e paluajtshme i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë apo përdorues të pasurive të mësipërme, në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre pasurive. Bëjnë përjashtim rastet kur në ligj parashikohet ndryshe. Detyrimin për taksën mbi pasurinë e paluajtshme e ka, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente pronësie. Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i ndërtesës bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së ndërtesës, pranë bashkisë ku ndodhet ndërtesa.
/Balkanweb/
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.