Përshkrim
Thjesht të suksesshëm!
Marsi na sjell në mendje lulet e para. Por, ai njihet njëkohësisht si muaji i gruas. Falë 8 Marsit, të gjithë reflektojmë e kuptojmë se shumë të drejta që gëzojmë sot dhe i marrim të mirëqena, janë falë sakrificës së një grupi grash vite më parë. Falë këmbënguljes së tyre për të drejta pak nga pak kemi arritur këtu, ndërsa sfida vazhdon.
Përmes intervistave të zhvilluara nga stafi ynë, ju sjellim fuqinë rozë, të fortë por të pa sforcuar, të grave në profile të ndryshme. Në çdo sektor që ato veprojnë, angazhimi i tyre është bërë me pasion. Duke parë se si shumë gra po ia dalin në industri tekstile, arsim, motivim, marketing, kreativitet, tregti online, etj, kuptojmë se shembujt e suksesit nuk mungojnë në asnjë rast.
Ato janë aty, mjafton pak vëmendje t’i shohim, t’i ndjekim e të frymëzohemi prej tyre.
Në këtë numër të revistës nuk mungojnë edhe personazhe të suksesshëm jashtë vendit, zhvillimet në sektorë të veçantë, apo histori interesante të brandeve ndërkombëtarë.
Lexoni brendinë e këtij numri për të njohur njerëz të thjeshtë e të jashtëzakonshëm njëkohësisht, të cilët pa bujë, janë persona që po mbjellin një farë të mirë në shoqërinë shqiptare apo kudo ndodhen.