Partneriteti SHBA–Indi për epokën e Inteligjencës Artificiale - Business Magazine Albania

Partneriteti SHBA–Indi për epokën e Inteligjencës Artificiale

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Ylli Bajraktari dhe Dhruva Jaishankar*— Inteligjenca Artificiale ka kaluar nga laboratorët e Silicon Valley në qendër të politikës dhe ekonomisë globale. Ajo është tashmë fusha kryesore e konkurrencës strategjike të shekullit XXI, duke ndikuar nga sistemet e armëve te zbulimet shkencore dhe duke riformatuar në mënyrë themelore tregjet e punës. Vendi  apo partneriteti që arrin të shkallëzojë zhvillimin dhe adoptimin e AI-së do të zotërojë avantazhin gjeopolitik.

Në këtë kontekst, asnjë marrëdhënie dypalëshe nuk është më përcaktuese sesa ajo midis Shteteve të Bashkuara dhe Indisë. Pas një episodi të tensionuar vitin e kaluar, kur tarifat dhe përplasjet politike krijuan fërkime, dy vendet shpallën në shkurt një marrëveshje të ndërmjetme tregtare. Tani ato kanë një mundësi të rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin në AI. Por për ta bërë këtë, duhet të kalojnë nga retorika e “vlerave të përbashkëta” te ndërtimi i infrastrukturës së përbashkët. Së bashku, mund të përcaktojnë standardet, zinxhirët e furnizimit dhe protokollet e sigurisë të epokës së AI-së përpara rivalëve të tyre.

Teknologjia ka qenë prej kohësh “indi lidhës” i marrëdhënies SHBA–Indi, ndonëse natyra e kësaj lidhjeje ka evoluar. Marrëveshja civile bërthamore e vitit 2008, për shembull, kapërceu kufizimet që kishin frenuar tregtinë e teknologjisë së lartë pas testimeve bërthamore të Indisë në 1998 dhe sanksioneve pasuese. Më pas, në vitin 2022, Iniciativa për Teknologjitë Kritike dhe në Zhvillim e riformatoi këtë marrëdhënie për një epokë të re. Së bashku me nisma paralele në inovacionin e mbrojtjes, mineralet kritike, hapësirën, si dhe harmonizimin e kontrolleve të eksportit për kompjuterikën kuantike, gjysmëpërçuesit dhe AI-në, kjo arkitekturë është sot në zemër të sigurisë së përbashkët të dy vendeve.

Lexo edhe: Kompjuterët e së ardhmes do të funksionojnë me dritë

Nën administratën e dytë Trump, kjo logjikë është thelluar përmes nismës “Transformimi i Marrëdhënies përmes Teknologjisë Strategjike”, e shpallur në shkurt 2025. Ky kuadër nuk është thjesht një gjest diplomatik; ai shërben si boshti i dimensionit ndërkombëtar të Planit të Veprimit të SHBA-së për AI-në, që përfaqëson projektin strategjik të Shtëpisë së Bardhë për këtë fushë. Ajo që nisi gati 20 vite më parë si një marrëveshje e specializuar bërthamore, është shndërruar sot në një partneritet global të udhëhequr nga teknologjia.

SHBA e kupton se për të fituar garën globale për adoptimin e AI-së, diplomacia teknologjike duhet të jetë një instrument qendror i politikës shtetërore. Në këtë kontekst, India nuk është një partner dytësor, por një shumëfishues strategjik. Edhe pse SHBA ruan epërsi të qartë në modelet më të avancuara dhe fuqinë kompjuterike, Kina ka dëshmuar se kapaciteti i saj inovativ është një forcë serioze. Për ta balancuar këtë, SHBA ka nevojë për talentin dhe shkallën e të dhënave që vetëm India mund të ofrojë.

India nuk ofron vetëm një treg të madh. Ajo siguron të dhëna në shkallë popullsie, nga afro 1.5 miliardë banorë, duke e bërë një terren kyç për testimin e AI-së në kushte reale nga bujqësia rurale te shëndetësia urbane. Për më tepër, me një rezervë talentesh në AI që pritet të kalojë 1.25 milionë deri në vitin 2027, India ofron kapitalin njerëzor dhe intelektual të nevojshëm për të mbështetur një cikël të shpejtë inovacioni.

Industria amerikane tashmë po investon fuqishëm. Me miliarda dollarë të angazhuar nga kompani si Google, Microsoft dhe Amazon për ndërtimin e qendrave të AI-së në Indi, objektivi është i qartë: të sigurohet që teknologjia e dizajnuar në SHBA të bëhet shtylla kurrizore e ekonomisë më të madhe të Jugut Global. Nëse e ardhmja digjitale ndërtohet mbi infrastrukturë SHBA–Indi, sistemi global do të mbetet i hapur dhe i sigurt. Në të kundërt, nëse dominohet nga teknologjitë e mbyllura kineze, rendi global rrezikon fragmentim.

Megjithatë, potenciali nuk është i barabartë me aftësinë e menjëhershme. Edhe pse India ka një bazë të madhe talentesh, nevojitet më shumë punë për të përputhur aftësitë me kërkesat specifike të AI-së. Mbyllja e këtij hendeku duhet parë si një prioritet për SHBA-në. Integrimi i talenteve indiane në ekosistemet e udhëhequra nga SHBA është thelbësor për të ruajtur avantazhin konkurrues ndaj një kundërshtari që e sheh teknologjinë si instrument kontrolli shtetëror.

Për ta kthyer momentumin aktual në një avantazh strategjik afatgjatë, të dy vendet duhet të fokusohen në katër prioritete. Së pari, zhvillimi i aplikacioneve të përbashkëta të AI-së që mund të shërbejnë si një “mur mbrojtës” ndaj dominimit digjital nga aktorë armiqësorë. Lidhja e ekosistemit të startupeve në Indi me kapitalin dhe teknologjinë amerikane mund të prodhojë zgjidhje për sfida globale.

Së dyti, bashkëpunimi në ndërtimin e infrastrukturës dhe zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit — nga mineralet kritike dhe gjysmëpërçuesit te kabllot nënujore, rrjetet e hapura të telekomunikacionit dhe qendrat e të dhënave.

Së treti, krijimi i një ekosistemi të integruar për talentin e kualifikuar. Në një kohë kur ndjenjat kundër emigracionit po rriten, kjo kërkon menaxhim të kujdesshëm politik.

Së fundi, harmonizimi i standardeve teknologjike, të drejtave të pronësisë intelektuale dhe politikave të sigurisë kibernetike. Vetëm përkthimi i vlerave të përbashkëta në politika konkrete mund të reduktojë fërkimet dhe të përshpejtojë bashkëpunimin.

Thellimi i bashkëpunimit SHBA–Indi në AI dhe siguri nuk është i garantuar, por është i domosdoshëm. Prioritetet strategjike mund të përputhen, por do të ndryshojnë në theks. Megjithatë, rëndësia e këtij partneriteti nuk duhet nënvlerësuar. Duke kombinuar inovacionin amerikan me shkallën indiane, të dy vendet nuk do të jenë thjesht pjesëmarrëse në epokën e AI-së,  ato do ta përcaktojnë atë.

*Ylli Bajraktari, ish-shef kabineti i Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së dhe ish-drejtor ekzekutiv i Komisionit Kombëtar të Sigurisë për Inteligjencën Artificiale në SHBA, është CEO i Special Competitive Studies Project. Dhruva Jaishankar është Drejtor Ekzekutiv i Observer Research Foundation America.

Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0