Përdorimi i inteligjencës artificiale në procesin e të nxënit po transformon mënyrën si studentët përgatiten për provime dhe detyra. Nga kërkimi i informacionit te përmbledhja dhe struktura e ideve, mjetet si ChatGPT po ofrojnë një avantazh të qartë, kursim kohe dhe efikasitet më të lartë. Por, pas këtij avantazhi të menjëhershëm, po shfaqet një pyetje më e thellë, a po sakrifikojmë cilësinë e të nxënit?
Lexo gjithashtu: iPhone dominon besnikërinë, Përdoruesit e Android 4 herë më të prirur të “tradhtojnë” telefonin e tyre
Një studim i realizuar nga Universiteti Federal i Rio de Janeiro-s, me pjesëmarrjen e 120 studentëve, hedh dritë mbi këtë dilemë. Studentët u ndanë në dy grupe: njëri përdori inteligjencën artificiale për përgatitje, ndërsa tjetri ndoqi metoda tradicionale. Rezultatet ishin domethënëse.
Pas 45 ditësh, në një test surprizë mbi të njëjtën temë, grupi që kishte përdorur inteligjencën artificiale arriti një mesatare prej 5.75 nga 10, ndërsa grupi tradicional shënoi 6.85. Diferenca, megjithëse jo dramatike, është statistikisht e rëndësishme dhe sugjeron një trend të qartë: shpejtësia nuk përkthehet domosdoshmërisht në të nxënë të qëndrueshëm.
Nga ana tjetër, përfitimi në kohë është i padiskutueshëm. Studentët që përdorën ChatGPT përfunduan detyrat në një mesatare prej 3.2 orësh, rreth 45% më shpejt krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre. Inteligjenca artificiale u mundësoi atyre të përpunonin informacionin, të gjenin shembuj dhe të strukturonin përmbajtjen me një efikasitet të lartë. Megjithatë, ky optimizim i procesit duket se vjen me një kosto të fshehur: përpunim më sipërfaqësor të informacionit.
Një tjetër element i rëndësishëm është shpërndarja e rezultateve. Grupi tradicional jo vetëm që performoi më mirë mesatarisht, por rezultatet e tyre ishin më të përqendruara në nivele të larta. Në kontrast, grupi që përdori IA kishte rezultate më të shpërndara, duke reflektuar një variabilitet më të madh në përvetësimin e njohurive.
Ky fenomen lidhet me atë që studiuesit e quajnë “shkarkim kognitiv”, prirja për t’ia deleguar një pjesë të përpjekjes mendore mjeteve të jashtme. Kur inteligjenca artificiale përdoret për të përmbledhur apo shpjeguar një temë, truri redukton angazhimin e tij aktiv, duke çuar në një përvetësim më të cekët të informacionit.
Ky nuk është një fenomen i ri. Koncepti i “amnezisë digjitale”, i prezantuar që në vitin 2011 nga studiues të Universitetit të Kolumbias, argumenton se mbështetja te motorët e kërkimit dobëson aftësinë për të mbajtur mend informacionin. Njerëzit priren të kujtojnë më lehtë se ku ta gjejnë një informacion sesa vetë përmbajtjen e tij.
Në këtë kontekst, inteligjenca artificiale nuk duhet parë si një zëvendësim i të mësuarit tradicional, por si një mjet plotësues. Studiuesit sugjerojnë një qasje hibride: përdorimi i IA për të përshpejtuar kërkimin dhe organizimin e informacionit, i kombinuar me metoda aktive si shkrimi vetjak, rikujtimi nga memoria dhe diskutimi kritik.
Në fund, sfida nuk është nëse duhet përdorur inteligjenca artificiale, por si ta përdorim atë në mënyrë që të na bëjë më të zgjuar, jo më të varur.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto