Një zbulim i jashtëzakonshëm shkencor po rikthen në vëmendje historinë e fshehur të planetit. Studiuesit kanë identifikuar një “lumë të lashtë” të ruajtur nën shtresat e akullit të Antarktidës Lindore, një relike gjeologjike që ka mbetur e paprekur për miliona vite.
Lexo gjithashtu: iPhone dominon besnikërinë, Përdoruesit e Android 4 herë më të prirur të “tradhtojnë” telefonin e tyre
Studimi, i publikuar në revistën prestigjioze Nature Communications, zbulon se kjo zonë dikur ka qenë një peizazh i gjallë, me rrjete lumenjsh që rridhnin drejt bregdetit. Sipas kërkuesve nga University of Durham, Antarktida nuk ka qenë gjithmonë kontinenti i ngrirë që njohim sot, por një rajon shumë më i ngrohtë, që mund të ketë mbështetur edhe vegjetacion tropikal, përpara se të mbulohej nga akulli rreth 34 milionë vite më parë.
Falë teknologjive të avancuara satelitore dhe radarëve që depërtojnë në akull, shkencëtarët kanë arritur të “lexojnë” strukturat e fshehura nën sipërfaqe, duke identifikuar gjurmët e lumenjve të lashtë, të ruajtura si një kapsulë kohe natyrore.
Megjithatë, ky zbulim vjen edhe me një paralajmërim të fortë. Ndryshimet klimatike mund të përshpejtojnë shkrirjen e akullit në të ardhmen, duke ekspozuar për herë të parë këtë peizazh të humbur. Një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të mëdha globale, pasi Antarktida Lindore mban potencialin për të rritur nivelin e detit deri në 60 metra në rast të një shkrirjeje totale—një skenar ekstrem, por që nënvizon rëndësinë kritike të këtij kontinenti për ekuilibrin klimatik të Tokës.