Vendimi për AI-në po i bën avokatët në SHBA të paralajmërojnë, bisedat tuaja mund të përdoren kundër jush - Business Magazine Albania

Vendimi për AI-në po i bën avokatët në SHBA të paralajmërojnë, bisedat tuaja mund të përdoren kundër jush

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen inteligjencës artificiale për këshilla, disa avokatë në Shtetet e Bashkuara po u thonë klientëve të tyre të mos i trajtojnë chatbot-ët si një person i besuar, sidomos kur në lojë janë liria apo përgjegjësia ligjore.
Këto paralajmërime janë bërë më urgjente pas një vendimi të një gjykatësi federal në Nju Jork këtë vit, i cili vendosi se ish-drejtori ekzekutiv i një kompanie financiare të falimentuar nuk mund t’i mbante të fshehta bisedat e tij me inteligjencën artificiale nga prokurorët që po e hetonin për mashtrim financiar.
Pas këtij vendimi, avokatët kanë filluar të këshillojnë se bisedat me chatbot-e si Claude i kompanisë Anthropic apo ChatGPT i OpenAI mund të kërkohen si prova nga prokurorët në çështje penale, apo nga palët kundërshtare në procese civile.
Një avokate nga firma ligjore Kobre & Kim në Nju Jork theksoi se klientët duhet të tregojnë kujdes të madh në përdorimin e këtyre mjeteve. Ndryshe nga komunikimet me avokatët, të cilat në shumicën e rasteve konsiderohen konfidenciale sipas ligjit amerikan, chatbot-ët nuk janë avokatë dhe nuk ofrojnë të njëjtin nivel mbrojtjeje ligjore. Për këtë arsye, shumë firma të mëdha ligjore në SHBA kanë nisur të këshillojnë klientët e tyre, përmes emaileve dhe udhëzimeve publike, se si të minimizojnë rrezikun që bisedat me AI të përfundojnë në gjykatë. Në disa kontrata të reja me klientët, madje theksohet se ndarja e këshillave të një avokati me një chatbot mund të zhdukë mbrojtjen ligjore të njohur si “privilegji avokat-klient”.

Lexo edhe: Meta “rrëmben” një tjetër bashkëthemelues nga Thinking Machines Lab i Mira Muratit
Rasti që nxiti këtë debat lidhet me Bradley Heppner, ish-drejtues i kompanisë financiare GWG Holdings. Ai u akuzua për mashtrim financiar dhe përdori chatbot-in Claude për të përgatitur materiale që më pas ia kaloi avokatëve të tij. Avokatët argumentuan se këto materiale duhej të mbroheshin, pasi përmbanin elementë të strategjisë së mbrojtjes.
Megjithatë, prokurorët kundërshtuan duke thënë se këto dokumente mund të kërkoheshin si prova, pasi nuk ishin përgatitur drejtpërdrejt nga avokatët dhe se bisedat me një chatbot nuk mbulohen nga privilegji avokat-klient. Gjykatësi vendosi që Heppner duhet të dorëzojë 31 dokumente të krijuara me ndihmën e AI-së, duke theksuar se nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë një marrëdhënie avokat-klient midis një përdoruesi dhe një platforme si Claude.
Megjithatë, jo të gjitha vendimet kanë qenë në të njëjtën linjë. Në një rast tjetër në Michigan, një gjykatës vendosi se një grua që përfaqësonte veten në një proces gjyqësor nuk ishte e detyruar të dorëzonte bisedat e saj me ChatGPT. Ai i konsideroi ato si pjesë të punës së saj personale për çështjen, dhe jo si komunikim me një palë të tretë.
Kjo tregon se sistemi gjyqësor ende po përpiqet të kuptojë rolin e inteligjencës artificiale në proceset ligjore. Gjykatësit theksojnë se AI është një mjet dhe jo një person, çka e bën të paqartë mënyrën se si duhet trajtuar në kuadër të ligjit.
Ndërkohë, kushtet e përdorimit të platformave si OpenAI dhe Anthropic parashikojnë që të dhënat e përdoruesve mund të ndahen me palë të treta, si dhe rekomandojnë që përdoruesit të konsultohen me profesionistë të kualifikuar përpara se të mbështeten në këto mjete për këshilla ligjore.

Avokatët po përpiqen gjithashtu të vendosin disa rregulla të qarta për përdorimin e AI-së. Ata sugjerojnë që përdoruesit të zgjedhin me kujdes platformat dhe, nëse përdorin AI për kërkime ligjore, ta bëjnë këtë nën drejtimin e një avokati. Madje, disa rekomandojnë që në pyetjet drejtuar chatbot-it të përfshihet një formulim i qartë që kërkimi po bëhet me udhëzimin e avokatit.
Në kontratat e reja ligjore po bëhet gjithnjë e më e zakonshme përfshirja e klauzolave që paralajmërojnë se ndarja e informacionit konfidencial me platforma AI mund të çojë në humbjen e mbrojtjes ligjore. Ekspertët besojnë se në të ardhmen do të ketë më shumë vendime gjyqësore që do të sqarojnë nëse dhe kur bisedat me inteligjencën artificiale mund të përdoren si prova. Deri atëherë, një rregull i vjetër mbetet ende në fuqi: mos diskutoni për çështjen tuaj me askënd tjetër përveç avokatit tuaj, përfshirë edhe inteligjencën artificiale.

reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0