Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të vendosin një bllokadë detare që do të pengojë çdo anije të hyjë ose të dalë nga portet iraniane. Sipas tij, masa do të hyjë në fuqi më 13 prill, në orën 10:00 sipas kohës lindore amerikane.
Njoftimi është konfirmuar edhe nga United States Central Command, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Sipas deklaratës, bllokada do të zbatohet pa përjashtim për anijet e çdo shteti, duke ndaluar qarkullimin detar drejt dhe nga portet iraniane, si dhe përgjatë brigjeve në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi shkallën e operacionit apo numrin e mjeteve detare që do të përfshihen, por kanë theksuar se masa synon të ndalojë çdo lëvizje drejt territorit detar iranian.
Zhvillimi vjen në një moment tensioni të lartë rajonal, pasi Irani ka bllokuar më herët trafikun në Kanalin e Hormuzit, një arterie kyçe për furnizimet globale me energji, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës.
Teherani ka paralajmëruar gjithashtu vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë në këtë ngushticë strategjike, duke shtuar presionin mbi tregjet ndërkombëtare.
Vendimi i SHBA-së pason dështimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit të nisur më 28 shkurt. Negociatat, të udhëhequra nga nënpresidenti JD Vance, zgjatën mbi 21 orë në Islamabad, por nuk arritën të prodhojnë marrëveshje.
“Lajmi i keq është që nuk kemi arritur një marrëveshje. Dhe kjo është më problematike për Iranin sesa për SHBA-në,” deklaroi Vance pas përfundimit të takimeve.
Sipas tij, programi bërthamor i Iranit ishte në qendër të diskutimeve, megjithëse në tryezë u trajtuan edhe çështje të tjera, përfshirë ngrirjen e aseteve dhe tensionet më të gjera në Lindjen e Mesme.
AP
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto