Sekondi, startup-i që po sjell inovacion në industrinë e hoteleri-turizmit! - Business Magazine Albania

Sekondi, startup-i që po sjell inovacion në industrinë e hoteleri-turizmit!

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Eni Muça- Çdo biznes në industrinë e hoteleri-turizmit e njeh këtë moment: fundi i ditës, kur puna me klientët mbaron, por fillon një tjetër proces, ai i llogaritjeve. Orë pune që duhen mbledhur, turne që duhen rikonfirmuar, detaje që shpesh mbeten në letër, në Excel apo në kujtesë. Është një rutinë e përditshme, por edhe një nga burimet më të mëdha të humbjes së kohës dhe gabimeve. Në këtë intervistë për Business Magazine, Premtim Ramadani, inxhinier kompjuterik me eksperiencë në zhvillimin e softuerëve dhe sigurinë informatike, tregon si një problem kaq i zakonshëm u kthye në një produkt konkret. Ai nuk u mjaftua duke e parë këtë sfidë nga afër,vendosi ta zgjidhë. Kështu lindi Sekondi: një aplikacion për menaxhimin e orareve dhe kohës së punës, i ndërtuar posaçërisht për industrinë e gastronomisë dhe hotelierisë. Një produkt që në sipërfaqe duket i thjeshtë, por që mbështetet mbi një logjikë dhe teknologji të menduar në detaj për të lehtësuar realisht punën e përditshme.

Ideja nuk erdhi nga një “eureka moment” klasik startup-i. Erdhi nga një bisedë. “Gjatë bisedave me njërin nga partnerët tanë i cili vepron në industrinë e gastronomisë,” shpjegon Ramadani, “kemi ardhur në përfundim se një zgjidhje softuerike që tani veçse ekziston, do t’i kursente shumë punë, mund dhe në fund para gjithashtu.” Kompania e tij ofronte shërbime IT dhe softuerë për biznese të ndryshme. Por kur e panë problemin e menaxhimit të orareve dhe kohës së punës në restorantet dhe hotelet e rajonit, kuptuan se zgjidhja nuk ekzistonte në formën që duhej. Ose ekzistonte por ishte shumë e ndërlikuar, shumë e shtrenjtë, ose thjesht shumë “jo-në.” Kështu vendosën ta ndërtojnë vetë.

Previewing Image attachment

“Absurdly Simple” nuk është aq e lehtë sa tingëllon

Sekondi pozicionohet me dy fjalë: absurdly simple.” Por pas atyre dy fjalëve fshihet punë e madhe. “Të krijosh diçka që duket kaq të thjeshtë për përdoruesin, por që njëkohësisht është e fuqishme dhe fleksibël, kërkon shumë punë dhe iteracione,” thotë Ramadani. Çdo funksionalitet është menduar për të eliminuar fërkimin. Stafit i duhet vetëm të klikojë Clock In kur fillon punën dhe Clock Out kur mbaron. Asgjë tjetër. “E dizajnuar në këtë mënyrë, futja e të dhënave bëhet shumë e thjeshtë dhe e lehtë,” shpjegon ai. Ndërkohë menaxheri shikon gjithçka në kohë reale, pa gabime, pa konflikte. Sfida e vërtetë nuk qe teknologjike, por konceptuale. Si ndërtosh diçka kaq të thjeshtë që nuk kërkon asnjë trajnim, por njëkohësisht plotëson nevojat e bizneseve me struktura shumë të ndryshme? Kuptimi i proceseve të industrisë, identifikimi i pikave të dhimbjes, dhe analizimi i rrjedhës së punës çdo ditë kanë qenë aq të rëndësishme sa edhe shkrimi i kodit.

Lexo edhe: Festivali i Gazetarisë “PYET”, një platformë e re për gazetarinë cilësore. 55 figura të medias bëhen bashkë

Vlera e vërtetë: Kohë, jo vetëm të dhëna

Kur e pyet Ramadanin se ku krijon Sekondi vlerën më të madhe, kursimi i kohës, reduktimi i gabimeve, apo transparenca me stafin, ai nuk ngurron: “Do të thoja kursimi i kohës.” Dhe e shpjegon kështu: “Jemi duke jetuar në një kohë ku gjithçka është dinamike si në biznes si në jetën personale, rrjedhimisht çdo inovacion i cili mundëson kursimin e kohës është vlerë e shtuar për personin apo biznesin.” Por kursimi i kohës nuk është vetëm efikasitet operacional. Ramadani sheh diçka më të thellë. Kur menaxherët nuk harxhojnë orë çdo javë duke llogaritur oraret manualisht, ata mund të fokusohen te ajo që vërtet rëndësi: shërbimi, cilësia, klientët. Automatizimi i proceseve të mundimshme është, në fakt, rikthim i energjisë njerëzore te puna me kuptim.

€5 për përdorues, aksesueshmëria si strategji

Çmimi nuk është i rastësishëm. Pesë euro në muaj për çdo përdorues është një vendim i qëllimshëm. “Kemi analizuar kostot që bizneset kanë aktualisht, kohën e humbur në llogaritje manuale, gabimet që krijojnë humbje financiare, mungesën e transparencës,” thotë Ramadani. Konkluzioni ishte i qartë: edhe një kursim modest i kohës e justifikon plotësisht këtë investim. Tregu shqiptar dhe kosovar po ndryshon. “Kosova së bashku me Shqipërinë po bëhen gjithnjë e më të hapura ndaj zgjidhjeve SaaS, veçanërisht kur shikojnë vlerë të qartë dhe të menjëhershme.” Por sfida mbetet reale. Shumë pronarë restoranti ende mbështeten te regjistrat në letër ose Excel, dhe t’i bindësh kërkon jo vetëm marketing, por demonstrime praktike dhe durim.

Vizioni nuk ndalet në Ballkan

Sekondi nuk është ndërtuar vetëm për Prishtinën apo Tiranën. “Sekondi është ndërtuar që nga fillimi me një vizion global,” thotë Ramadani me siguri. “Problemi që zgjidhim, menaxhimi i orareve dhe monitorimi i kohës së punës, është universal dhe prek çdo biznes në industrinë e gastronomisë dhe hotelierisë, pavarësisht nga vendi.” Arkitektura, dizajni dhe funksionalitetet janë projektuar për t’u përdorur kudo. Produkti është tashmë i disponueshëm globalisht. Personalizimet lokale si gjuha dhe rregulloret e punës janë detaje mbi një bazë të fortë. Aktualisht po promovohet aktivisht në Kosovë dhe Shqipëri, por syri është drejt tregut global.

Si do të duket industria pas 5 vjetësh

Premtimi është optimist.  Nëse Sekondi adoptohet masivisht, ai beson se do të ndryshojë jo vetëm proceset, por kulturën e punës në industri. “Kur të gjithë kanë qasje në të dhëna të sakta dhe në kohë reale, sa orë kanë punuar, sa u takon të paguhen, cilat janë orët jashtë orarit, krijohet një nivel besimi dhe llogaridhënie që sot mungon në shumë biznese.” Pasoja? Më pak konflikte midis menaxherëve dhe stafit. Rotacion më i ulët, sepse njerëzit ndihen të respektuar dhe të trajtuar drejtë. Dhe në fund, “një industri më profesionale, më efikase dhe më njerëzore.”

Ky është premtimi i Sekondi-t. Jo vetëm të kursejë kohë, por të ndërtojë besim!

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0