Këshilli i Ministrave ka bërë me dije ditën e sotme se ka miratuar disa vendime në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ka qenë Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj e cila ka dal në një komunikatë për mediat menjëherë pas mbledhjes.
”Akti i tretë lidhet me mbështetjen për bizneset e vogla dhe mesme, ne miratuam një fond prej 100 milionë lekë, i cili do të akordohet për mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes AIDA-s.” -është shprehur ministrja.
Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu edhe projektligjin për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital.
“Ky ligj krijon kushtet për të pasur një siguri të të dhënave më të lartë, për të krijuar portofolin e identitetit digjital, i cili është parakusht dhe përmbyll në mënyrë të përhershme çështjen e shkresave apo të dokumentave elektronike. Me miratimin e këtij ligji dhe me hyrjen në fuqi të tij, ne mund të themi se në një kohë afatmesme, do të eleminojmë të gjithë dokumentat shkresore.”
Lexo edhe: Çfarë do të thotë nisma “Dyfisho ndërmarrjen tënde” për bizneset e vogla dhe të mesme
Ndërkohë, një tjetër akt i rëndësishëm lidhet me përmbylljen e pikave të aktit 30 në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe me vendosjen e mekanizmave për shqyrtimin e investimeve nga vendet jo-anëtare të BE-së, veçanërisht në sektorët e medias dhe mbrojtjes.
”Nëpërmjet aktit që sapo u miratua dhe nëpërmjet një mekanizmi të një bordi të drejtuar nga Ministri i Ekonomisë, një bord ndërministror, ne do të shqyrtojmë të gjithë investimet të cilat vijnë nga vende jo anëtare të Bashkimit Europian, fillimisht në dy fusha, në fushën e medias dhe në në fushën e mbrojtjes dhe më pas në atë të arsimit në Bashkimin Europian. Ky bord do të do të shqyrtojë të gjitha kërkesat për investime të huaja në të gjithë sektorët kritik të ekonomisë shqiptare”, deklaroi Ibrahimaj.
Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe rregulloren e re për shfrytëzimin e hapësirave publike.Pas përfundimit të mbledhjes ministri i shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo tha se rregullorja do të sjellë risi për unifikimin e praktikave në nivel kombëtar, dhe ka specifika të caktuara ku bashkitë do të përdorin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto