Sipërmarrësi dhe autori i njohur Robert Kiyosaki ka reaguar ndaj përshkallëzimit të fundit të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për pasoja të thella ekonomike globale që, sipas tij, do të prekin drejtpërdrejt qytetarët e zakonshëm.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kiyosaki thekson se lufta ka hyrë në një fazë të re, pasi Jemeni është përfshirë zyrtarisht në konflikt. Rebelët Huthi lëshuan raketa balistike drejt Izraelit, duke aktivizuar sirenat e alarmit në disa zona, përfshirë Beersheban. Ky zhvillim, sipas tij, përfaqëson hapjen e një “fronti të tretë”, krahas angazhimit të Iranit dhe Hezbollahut.
Megjithatë, ndryshe nga analizat tradicionale gjeopolitike, Kiyosaki e zhvendos fokusin te ndikimi ekonomik i luftës. Ai paralajmëron se kërcënimet ndaj rrugëve kryesore të tregtisë globale, veçanërisht ngushticës Bab al-Mandeb dhe asaj të Hormuzit, mund të shkaktojnë tronditje të mëdha në furnizimin me energji dhe mallra.
Sipas tij, këto zhvillime po krijojnë një efekt zinxhir: rritje të çmimeve të naftës mbi 100 dollarë për fuçi, presion të vazhdueshëm inflacionist dhe dobësim të valutave kryesore. “Lufta nuk të dërgon një faturë direkte,” thekson ai, “por e bën në heshtje gjithçka që zotëron më pak të vlefshme.”
Kiyosaki nënvizon gjithashtu rolin strategjik të Detit të Kuq, ku kalon një volum tregtar që vlerësohet në rreth 1 trilion dollarë në vit. Ai kujton se Huthit kanë një histori të gjatë sulmesh ndaj anijeve tregtare në këtë zonë, duke detyruar më parë devijimin e rrugëve detare globale dhe duke rritur ndjeshëm kostot e transportit.
Në analizën e tij, çdo front i ri në konflikt përkthehet në një goditje të re për ekonominë globale: zinxhirë furnizimi të ndërprerë, rrugë detare të rrezikuara dhe një presion në rritje mbi konsumatorët. Sipas Kiyosakit, viktima më e madhe në këtë situatë mbetet klasa e mesme, e cila sheh fuqinë blerëse të zvogëlohet pa një shkak të dukshëm apo të drejtpërdrejtë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto