Nga Dr. Albert Gjoka
Bota e marketingut, dhe veçanërisht ajo e marketingut digjital, ka pësuar ndryshime të vrullshme në vitet e fundit. Në epokën e inteligjencës artificiale, këto ndryshime janë përshpejtuar edhe më tej, duke hapur mundësi të reja, por edhe duke rritur kompleksitetin e komunikimit dhe konkurrencës. Në këtë kontekst dinamik vjen libri “Strategjia fituese” i Renato Civilit, një nga përpjekjet e para serioze nga një autor shqiptar në këtë fushë.
Libri është rezultat i një eksperience mbi 10-vjeçare të autorit si trajner i kompanive shqiptare, i kombinuar me një bazë të gjerë studimesh dhe referencash nga autorët më të njohur të marketingut ndërkombëtar. Kjo e bën librin një ndërthurje të balancuar mes teorisë dhe praktikës, të përshtatur për realitetin shqiptar.
Në një botë ku audienca është e mbingarkuar me informacion dhe vëmendja është bërë një burim i rrallë, libri vjen si një udhërrëfyes praktik për të ndërtuar komunikim efektiv dhe për të pozicionuar saktë markat dhe individët.
Autori strukturon përmbajtjen rreth 10 hapave konkretë, të cilët i shërbejnë jo vetëm profesionistëve të marketingut, por edhe sipërmarrësve, menaxherëve, studentëve dhe kujtdo që dëshiron të forcojë praninë e tij në botën digjitale.
Këta hapa përfshijnë: identifikimin dhe kuptimin e klientit ideal; ndërtimin e një strategjie të qartë komunikimi; përdorimin efektiv të mediave sociale dhe inteligjencës artificiale; krijimin e përmbajtjes që tërheq vëmendje dhe ndërton besim.
Një nga vlerat e librit është mënyra sesi trajtohet përdorimi i të dhënave dhe i inteligjencës artificiale në funksion të marketingut, si dhe ndërtimi i brandit në një mjedis gjithnjë e më konkurrues.
Përmes shembujve praktikë, lexuesi kupton se si mund të ndërtojë fushata digjitale që jo vetëm rrisin dukshmërinë, por edhe gjenerojnë klientë dhe shitje.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është copywriting-u, ku autori ndalet në ndërtimin e mesazheve të qarta dhe bindëse, të orientuara drejt konvertimit të audiencës në klientë. Po ashtu, trajtohet roli i faqes së internetit si një platformë që informon, edukon dhe shet, si dhe përdorimi i email marketingut për të ndërtuar marrëdhënie afatgjata me klientët.
lexo edhe: Bytes & Books diskutim për librin “Strategjia Fituese” të Renato Civili
Libri ndalet edhe në koncepte bashkëkohore si: fuqizimi i punonjësve si ambasadorë të brandit; kthimi i klientëve në histori suksesi; ndërtimi i brandit personal si lider në industri.
Një vlerë e shtuar e këtij botimi është përdorimi i shembujve nga realiteti shqiptar, çka e bën librin lehtësisht të aplikueshëm për bizneset vendase.
Siç shprehet Gert Zenelaj, menaxher dixhital dhe i brandit në grupin “BALFIN”: “Ky libër u shërben jo vetëm profesionistëve të marketingut, por edhe drejtuesve që duan të kuptojnë rolin strategjik të marketingut digjital në zhvillimin e biznesit.”
Ndërsa Dr. Altin Sholla, administrator i “Tirana Business University”, thekson: “Ky libër arrin të thjeshtojë marketingun pa ia humbur thellësinë, duke e kthyer strategjinë në veprim dhe idetë në rezultate.”
Ky botim ka potencialin të sfidojë qasjet tradicionale në mësimdhënien e marketingut në universitetet shqiptare, duke sjellë një qasje më praktike dhe të orientuar drejt realitetit të tregut.
Vlerat e tij shtohen edhe nga bibliografia e pasur, e cila shërben si një pikënisje e mirë për këdo që dëshiron të thellohet më tej në këtë fushë.
Sot, krahas autorëve të njohur si Philip Kotler, Seth Godin, Byron Sharp, Gary Vaynerchuk apo Donald Miller, kemi edhe një autor shqiptar që sjell koncepte dhe zgjidhje të përshtatura për kontekstin vendas.
“Strategjia fituese” përballet me dy sfida të natyrshme: gjerësinë e tematikës që trajton dhe ritmin e shpejtë të ndryshimeve në marketingun digjital. Megjithatë, pikërisht në këtë fazë zhvillimi të tregut shqiptar, ky libër mbetet një udhërrëfyes i domosdoshëm.
Për këdo që dëshiron të kuptojë dhe të zbatojë marketingun digjital në praktikë, “Strategjia fituese” është një libër i pashmangshëm.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto