iuteBank, pjesë e iuteGroup nis zyrtarisht aktivitetin në Ukrainë - Business Magazine Albania

iuteBank, pjesë e iuteGroup nis zyrtarisht aktivitetin në Ukrainë

iuteBank, pjesë e iute Group, një grup bankar dixhital me seli qendrore në Estoni, përfundon periudhën e tranzicionit dhe nis operimin e rregullt si bankë dixhitale në Ukrainë, nga 17 Marsi.

iuteBank, pjesë e iuteGroup nis zyrtarisht aktivitetin në Ukrainë

Ky tranzicion vjen pas suksesit të mëparshëm të iute Group në tenderin e hapur, të organizuar nga Fondi i Garancisë së Depozitave, për transferimin e një pjese të aktiveve dhe detyrimeve të depozitave nga RWS Bank. Deri më sot, iute Group ka rikapitalizuar iuteBank dhe ka kaluar me sukses inspektimin e Bankës Kombëtare të Ukrainës. Me konfirmimin se iuteBank përmbush të gjitha kërkesat rregullatore, Fondi i Garancisë së Depozitave përmbyll rolin e tij në këtë proces.

Pas përfundimit të periudhës së tranzicionit, iuteBank do të nisë operimin si një pjesëmarrës i rregullt në treg. Banka do të rifillojë ofrimin e shërbimeve bazë për klientët ekzistues, duke përfshirë depozitat, llogaritë rrjedhëse dhe pagesat e menjëhershme brenda vendit.

CEO i iute Group, Tarmo Sild, u shpreh se hyrja në tregun ukrainas si bankë operacionale përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e grupit. “Kalimi me sukses i inspektimit të Bankës Kombëtare të Ukrainës, përfundimi i procesit të tranzicionit dhe hyrja në treg si bankë operacionale shënojnë një moment të rëndësishëm për iuteBank në Ukrainë. Tashmë fokusi ynë është ndërtimi i një banke dixhitale që ofron shërbime financiare të përditshme për klientët në Ukrainë, me një ofertë të plotë dixhitale të planifikuar për fillimin e vitit 2027,” u shpreh Sild.

Ndërkohë, CEO i iuteBank, Arthur Muravitsky, theksoi se banka fillimisht do të fokusohet në sigurimin e një rikthimi të lehtë në operim për klientët ekzistues. Sipas tij, faza e radhës do të fokusohet në forcimin e qeverisjes korporative dhe strukturës drejtuese, zgjerimin e shërbimeve për klientët dhe përgatitjen për lançimin e aplikacionit celular të bankës, me funksionalitete për llogaritë dhe depozitat.

Lexo edhe: iute Group, grupi bankar dixhital nga Tallin publikon rezultatet e 2025

“Përfundimi i periudhës së tranzicionit i mundëson iuteBank të nisë operimin si një pjesëmarrës i rregullt në treg. Vlerësojmë bashkëpunimin me Fondin e Garancisë së Depozitave dhe Bankën Kombëtare të Ukrainës gjatë gjithë këtij procesi. Prioriteti ynë i menjëhershëm është rikthimi i shërbimeve bankare për klientët ekzistues. Në fazën e ardhshme, do të prezantojmë zgjidhje financiare dixhitale.”-u shpreh Muravitsky. CEO i iute Group theksoi gjithashtu se hyrja në tregun ukrainas pasqyron besimin afatgjatë të grupit në sektorin financiar të vendit dhe në të ardhmen e tij si pjesë e hapësirës ekonomike evropiane.

iute Group është një grup bankar dixhital i fokusuar në shërbimet e përditshme financiare në Evropën Juglindore. E themeluar në vitin 2008 dhe me seli në Estoni, iute u shërben klientëve në Shqipëri, Bullgari, Moldavi, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë. Përmes aplikacionit Myiute dhe operacioneve të tij lokale, iute ofron shërbime financiare dixhitale duke përfshirë pagesat, banking, financimin dhe ndërmjetësimin në sigurime. Grupi iute financon operacionet e tij përmes kapitalit, depozitave dhe obligacioneve të siguruara të listuara në Tregun e Rregulluar të Bursës së Frankfurtit dhe Listën Kryesore të Nasdaq Baltic.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0