E dëgjojmë fjalën “startup” kudo këto ditë, nga bisedat në kafenetë e Bllokut deri te zyrat e reja të teknologjisë në Tiranë. Çdo i ri që hap një biznes nxiton ta quajë atë një startup. Por le t’i themi gjërat troç: jo çdo biznes i ri është një startup.
Të nisësh një biznes është një arritje e madhe, por të ndërtosh një startup është një lojë me rregulla krejt të tjera. Nëse po mendoni të nisni një sipërmarrje, ose nëse po kërkoni financim, duhet të dini saktësisht se në cilën kategori bini.
Tre shtyllat e një startup-i
Një startup nuk përkufizohet nga mosha e kompanisë, por nga ADN-ja e saj. Kjo ADN ndërtohet mbi tre elemente thelbësore:
1. Shkallëzimi (Scalability)
Kjo është fjala magjike. Një startup është dizajnuar për t’u rritur shpejt pa pasur nevojë të rrisë kostot në të njëjtin proporcion. Ju ndërtoni një produkt (zakonisht softuer ose teknologji) një herë, dhe ia shisni atë 10, ose 10,000, ose 1 milion njerëzve me kosto marxhinale thuajse zero.
2. Inovacioni
Startup-et zgjidhin një problem në një mënyrë të re. Ato nuk kopjojnë thjesht një model ekzistues; ato sjellin një teknologji të re, një model të ri biznesi, ose krijojnë një treg që nuk ekzistonte më parë.
3. Mendësia e rritjes së shpejtë (High-Growth)
Themeluesit e një startup-i nuk kërkojnë thjesht të nxjerrin një rrogë të mirë në fund të muajit. Ata duan të dominojnë një treg kombëtar, rajonal apo global sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndryshimi thelbësor: startup apo biznes tradicional
Dallimi më i madh është trajektorja e rritjes. Një biznes i vogël tradicional rritet në mënyrë lineare. Nëse keni një agjensi dhe doni më shumë klientë, ju duhet të punësoni më shumë njerëz. Xhiroja rritet, por rriten edhe shpenzimet e pagave.
Lexo edhe: Kuturu, startup-i shqiptar që synon të ndryshojë përvojën e nomadëve digjitalë!
Një startup rritet në mënyrë eksponenciale. Fillimi është i ngadaltë dhe shpesh me humbje financiare derisa produkti të perfeksionohet, por kur gjen “Product-Market Fit” (përputhjen mes produktit dhe tregut), rritja shpërthen ndërkohë që kostot mbeten relativisht të ulëta.
Çfarë NUK është një startup
Për ta bërë sa më të qartë, ja disa shembuj të bizneseve të shkëlqyera tradicionale, të cilat NUK janë startup-e.
-Një kafene e re apo restorant te Komuna e Parisit
Mund të ketë dizajnin më inovativ në qytet, por rritja juaj kufizohet nga numri i tavolinave dhe klientëve që hyjnë në derë.
-Një agjenci marketingu, dizajni ose programimi
Edhe nëse ndërtoni faqe web fantastike apo aplikacione për klientët tuaj, ju po shisni kohën tuaj. Për të dyfishuar xhiron, duhet të dyfishoni stafin. Është biznes shërbimesh, jo i shkallëzueshëm.
-Një butik rrobash në një qendër tregtare (apo edhe online)
Blerja me shumicë dhe shitja me pakicë është një model i provuar, por nuk ka gjenetikën eksponenciale të një startup-i.
-Një zyrë kontabiliteti ose studio ligjore
Të ardhurat bazohen në numrin e orëve të faturueshme dhe kapacitetin e profesionistëve tuaj.
Çfarë ËSHTË një startup (shembuj konkretë)
Nga ana tjetër, këto janë organizata që kualifikohen plotësisht si startup-e.
-Një platformë (SaaS) për kontabilitetin
Në vend që të hapni një zyrë kontabiliteti, ju ndërtoni një softuer që automatizon faturimin dhe taksat për mijëra biznese të vogla në Ballkan. Kodi shkruhet një herë dhe përdoret nga mijëra përdorues që paguajnë një abonim mujor.
AgriTech që lidh fermerin me tregun
Një platformë digjitale shqiptare që lidh direkt fermerët e Lushnjës dhe Korçës me rrjetet e supermarketeve në Evropë, duke eliminuar ndërmjetësit përmes një algoritmi inteligjent të logjistikës.
Zgjidhje FinTech
Një aplikacion lokal që u mundëson shqiptarëve të investojnë në bursa ndërkombëtare ose të bëjnë transferta parash me komisione zero përmes teknologjisë blockchain.
Gjigantët si Airbnb apo Uber
Shembujt klasikë. Ata nuk zotërojnë shtëpi as makina; ata shkallëzuan rrjetin dhe teknologjinë.
Pse ka rëndësi ky dallim?
Nuk është thjesht çështje fjalori. Të dish se çfarë po ndërton përcakton se si do ta mbijetosh dhe financosh atë.
Nëse keni një biznes tradicional (një kafene apo agjenci), ju mund ta financoni me kursime ose një kredi bankare, dhe synoni të jeni fitimprurës që në muajt e parë.
Nëse keni një startup, bankat nuk ju japin kredi sepse nuk keni asete për kolateral, vetëm një ide inovative. Këtu hyjnë në lojë “Engjëjt e Biznesit” (Angel Investors) dhe fondet e “Venture Capital”. Ata ju japin kapital për të djegur në fazat e para, në mënyrë që të zhvilloni teknologjinë dhe të kapni tregun me shpejtësi.
Gjithashtu, të qenit një startup i vërtetë ju jep një super avantazh: aksesin në grante inovacioni. Mund të aplikoni për fonde që nuk duhet t’i ktheni nga programet e qeverisë (Startup Albania), BE-së apo organizatave të ndryshme, të cilat janë ndërtuar ekskluzivisht për të mbështetur idetë e shkallëzueshme dhe teknologjike. Këto fonde nuk jepen për të hapur një dyqan apo zyrë të re, por për të ndërtuar produktin e radhës që mund të pushtojë tregun.
Të dyja rrugët janë fantastike. Një biznes tradicional i mirëmenaxhuar ju jep liri financiare dhe një jetë të rehatshme. Një startup ju jep mundësinë të ndryshoni botën (ose të paktën industrinë tuaj) dhe me shpresë jetën tuaj, por mbart një rrezik jashtëzakonisht të lartë dështimi.
Gjeni se çfarë doni të ndërtoni, quajeni me emrin e vërtetë, dhe përveshni mëngët.
*Shefqet Avdullau është një investitor engjëll dhe këshilltar strategjik, anëtar zyrtar i Forbes® Finance Council, pjesë e Keiretsu Forum (MB | SHBA | Europa Juglindore) dhe mentor biznesi në Gildre®.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto