Programi i BSH për SME-të, në 2025-n u shfrytëzua më pak se 7% e shumës në dispozicion - Business Magazine Albania

Programi i BSH për SME-të, në 2025-n u shfrytëzua më pak se 7% e shumës në dispozicion

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Programi i Bankës së Shqipërisë për mbështetjen me kredi të biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm pati një ecuri modeste në vitin e parë të aplikimit. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, shuma totale e financimeve, në kuadrin e këtij programi deri në fund të vitit 2025 ishte vetëm 1.7 miliardë lekë. Kjo shumë përbën më pak se 7% të shumës totale prej 25 miliardë lekësh, të vendosur në dispozicion nga Banka e Shqipërisë për këtë qëllim. Banka e Shqipërisë bën të ditur se në total gjatë vitit u akorduan 131 kredi në kuadrin e këtij programi.

Banka e Shqipërisë nënvizon se rreth 98% e këtyre kredive janë financime të reja, çka konfirmon se programi ka shërbyer si instrument për nxitjen e investimeve shtesë.

Struktura e kreditimit tregon një përqendrim kryesisht tek bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat kanë përfituar rreth 85% të fondeve. Nga pikëpamja sektoriale, fondet janë orientuar drejt industrisë (33.7%), tregtisë (30.5%) dhe bujqësisë (22.9%), duke reflektuar, sipas Bankës së Shqipërisë, potencialin e tyre për rritje produktiviteti.

Rreth gjysma e financimeve është përdorur për blerje pajisjesh dhe makinerish, duke treguar fokus në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe modernizimin e aktivitetit. Shpërndarja gjeografike paraqitet relativisht e balancuar, me përqendrim në qendrat kryesore ekonomike të vendit, ndërsa rreth 83% e portofolit ka maturitet 5-vjeçar, duke dëshmuar orientim afatgjatë të investimeve. Deri tani, të gjitha bankat e sistemit kanë marrë pjesë aktive në program.

Shfrytëzimin më të lartë të programit e ka arritur Raiffeisen Bank, me 32% të vlerës së disbursuar, e ndjekur nga Baka Kombëtare Tregtare, me 15%, Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 13% dhe Credins Bank, me 12%.

Nëpërmjet këtij programi, Banka e Shqipërisë u angazhuar t’u ofrojë bankave tregtare likuiditet me një normë vjetore interesi prej 0.5%. Me këto fonde, sektori bankar duhet të japë kredi për SME-të me një normë interesi vjetore jo më të madhe se 3.5% në vit. Megjithatë, norma e interesit duhet të jetë më e ulët, nëse programi kombinohet me skemën e garancisë sovrane të ofruar nga qeveria shqiptare, deri në 2%, në rast se garancia sovrane mbulon 55% – 75% të rrezikut të kreditit. Programi u shty edhe për vitin 2026, me një vendim të marrë në janar të këtij viti.

Lexo edhe: Shqipëria dhe Kosova në valën e shtrenjtimit global të naftës

Ndërkohë, të dhënat e Ministrisë së Financave, të publikuara gjatë muajit shkurt, treguan se edhe shfrytëzimi i skemës paralele të garancisë sovrane për fermerët ishte gjithashtu në nivele të dobëta. Në fund të vitit 2025, shuma e shfrytëzuar nga skema në fjalë e garancisë sovrane ishte vetëm 366 milionë lekë. Kjo shumë përbën vetëm 12% të vlerës totale të vendosur në dispozicion për këtë qëllim.

Sipas kushteve të vendimit të Këshillit të Ministrave, Ministria e Financave merrte përsipër të garantonte 70% të vlerës së huave të fermerëve, për një shumë maksimale kredie prej 25 milionë lekësh. Marrëveshja parashikonte që huadhënësit të jepnin hua të garantuar subjekteve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe fermerëve të cilët janë të regjistruar dhe të pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit, sipas tipit të investimit në përputhje me prioritetet e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Norma e interesit të kredive të kontraktuara dhe disbursuara duhet të ishte jo më e lartë se 2%, ndërsa tarifat e aplikueshme kundrejt huamarrësve për dhënien e kredisë nuk duhet të ishin në total më të larta se niveli maksimal prej 0.5%. Huadhënësit duhet ta ofronin kredinë me një periudhë pa pagesë principali (grace) prej jo më pak se 12 muaj. Afati maksimal i huave të garantuara nuk mund të ishte më i gjatë se pesë vjet.

Shkalla e ulët e shfrytëzimit të programeve të mbështetjes së SME-ve dhe fermerëve duket se konfirmojnë rezervat e bankave, se këto skema nuk ishin ndërtuar në mënyrë shumë funksionale.

Drejtuesit e bankave shprehën rezerva të shumta rreth këtyre instrumenteve, duke filluar sidomos nga kufizimet e vendosura mbi normën e interesit. Ata argumentuan se huadhënia me norma kaq të ulëta interesi për fermerët dhe bizneset e vogla dhe mikro është shumë e vështirë, për shkak të kostove dhe rreziqeve të larta.

Në takimin e muajit shkurt me qeverinë dhe Bankën e Shqipërisë, bankierët shtruan edhe disa propozime të tjera, si zgjatjen e afatit maksimal të kredisë, bërjen opsionale të periudhës favorizuese (grace period), sqarimin e statusit tregtar të fermerit me atë fiskal, marketing më të koordinuar dhe më intensiv që të njihet gjerësisht produkti, si dhe një përcaktimi më i mirë i investimeve të lejuara në kuadrin e këtyre skemave.

Lidhur me vërejtjet e shprehura nga sektori bankar, Banka e Shqipërisë shprehet për “Monitor” se është në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së programit, si dhe në dialog me partnerët tanë, duke u përpjekur, brenda piketave kryesore të programit, të maksimizojë ndikimin e tij në ekonomi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në vijim të dialogut me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe kërkesës së tyre, në fillim të vitit 2026 u zgjatën afatet e shqyrtimit të kërkesave, miratimit dhe disbursimit të kredive prej bankave tregtare, deri në fund të këtij viti.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0