Trump dhe vendimi për luftë me Iranin, shkaqet gjeopolitike pas konfliktit - Business Magazine Albania

Trump dhe vendimi për luftë me Iranin, shkaqet gjeopolitike pas konfliktit

Nga Carla Norrlöf* – Ndërsa konflikti me Iranin po riformëson arkitekturën globale të sigurisë dhe tregjet energjetike, debati në Shtetet e Bashkuara është përqendruar kryesisht te arsyeja pse presidenti Donald Trump zgjodhi luftën. Ishte politikë e brendshme? Dëshirë për të projektuar forcë? Një gabim llogaritjeje?

Këto shpjegime mund të kenë peshë, por ato rrezikojnë të errësojnë shkaqet më të thella. Lufta nuk ishte një vendim i papritur, por kulmi i një procesi gjeopolitik që, me kalimin e viteve, ngushtoi alternativat ndaj përballjes. Kur bombat nisën të bien, zgjedhjet vendimtare ishin bërë prej kohësh, gjatë viteve të ndryshimeve të marrëdhënieve strategjike.

Një prej tyre ishte tërheqja e administratës së parë Trump në vitin 2018 nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, Joint Comprehensive Plan of Action (JCPOA). Në atë kohë, Trump argumentoi se braktisja e marrëveshjes do të sillte një marrëveshje më të fortë përmes presionit ekonomik. SHBA synoi ta kthente Iranin në tryezën e negociatave duke goditur ekonominë e tij.

Sanksionet nuk ishin të reja. Edhe gjatë JCPOA-së, Irani përballej me kufizime për lidhje me terrorizmin, raketa balistike dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Por pasi marrëveshja u rrëzua, sanksionet mbetën pa diplomaci, duke e ngushtuar hapësirën për kompromis. Presioni ekonomik jo vetëm dobësoi Iranin, por ndryshoi edhe perceptimin amerikan mbi atë që ishte e arritshme.

Me kalimin e kohës, ndërsa presioni nuk prodhonte kapitullim apo ndryshim regjimi, opsionet e besueshme politike u pakësuan. Çdo përpjekje e dështuar për detyrim forconte bindjen se presioni i vetëm nuk mjaftonte, ndërsa njëkohësisht afronte perceptimet amerikane me ato të Izraelit, i cili e konsideron edhe “kapacitetin potencial” për armë bërthamore si rrezik të papranueshëm. Rezultati nuk ishte një marshim i menjëhershëm drejt luftës, por një ripërcaktim gradual i asaj që Trump e pa si të pashmangshme.

Edhe politika iraniane e bëri përmbajtjen më pak të mundshme. Pas kolapsit të JCPOA-së, Irani vazhdoi zhvillimin e programit të tij bërthamor dhe kufizoi aksesin për inspektorët. Kjo rriti fuqinë negociuese të Teheranit pa kaluar hapur pragun e armës bërthamore, por efekti strategjik ishte i kundërt: çdo avancim forconte perceptimin izraelit për një afat të afërt kritik dhe ushqente bindjen në qarqet amerikane se diplomacia po humbiste besueshmërinë.

Rruga drejt luftës kaloi gjithashtu përmes doktrinës izraelite të sigurisë. Për dekada, Izraeli ka ndërtuar strategjinë e tij mbi parandalimin e shteteve armiqësore nga arritja e pragut bërthamor. Nga shkatërrimi i reaktorit Osirak në Irak në vitin 1981 deri te operacionet e fshehta kundër objekteve iraniane, logjika ka qenë veprim i hershëm, jo frenim afatgjatë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka artikuluar prej vitesh këtë qasje, duke e paraqitur një Iran me kapacitete bërthamore si kërcënim ekzistencial.

Lexo edhe: Rutte siguron Europën: Do mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s

Ndërkohë, rivaliteti mes Iranit dhe Arabisë Saudite ka formësuar sigurinë rajonale. Sulmet e vitit 2019 ndaj objekteve saudite të naftës në Abqaiq dhe Khurais zbuluan cenueshmërinë e shteteve të Gjirit. Më pas, sulmet me raketa dhe dronë nga Huthit ndaj aeroporteve saudite dhe objekteve energjetike në Emiratet e Bashkuara Arabe thelluan pasiguritë. Në këtë kontekst, disa shtete të Gjirit iu afruan Izraelit përmes Abraham Accords të vitit 2020, duke reflektuar shqetësimin e përbashkët ndaj ndikimit iranian.

Megjithatë, për ekonomitë e varura nga tregtia dhe flukset e energjisë, përballja direkte me Iranin mbetej tepër e rrezikshme. Mbështetja në garancitë e sigurisë amerikane dhe afrimi me Izraelin u panë si forma përmbajtjeje me kosto të kontrolluar.

Me kalimin e kohës, lufta filloi të dukej më pak si përshkallëzim dhe më shumë si rruga me më pak rezistencë. Konvergjenca strategjike SHBA-Izrael dhe menaxhimi i rrezikut nga shtetet e Gjirit e bënë përmbajtjen gjithnjë e më të vështirë.

Ndërsa sulmet amerikane dhe izraelite u zgjeruan, kundërpërgjigjja iraniane synoi qytete izraelite, qendra energjetike në Gjirin Persik, baza amerikane dhe transportin tregtar në Kanalin e Hormuz it, një arterie kyçe që lidh konfliktin rajonal me ekonominë globale.

Pasojat nuk mund të mbeteshin lokale, sepse strategjia e frenimit të Iranit funksionon pikërisht përmes kësaj ngushtice. Reagimet globale tregojnë se faktorët që çuan në luftë nuk ishin thjesht rajonalë.

Prandaj, shpjegimet që fokusohen vetëm te politika e brendshme amerikane janë të pamjaftueshme. Nxitjet presidenciale mund të ndikojnë momentin e veprimit, por rrallë krijojnë vetë kushtet gjeopolitike. Deri në momentin e vendimit final, trajektorja drejt përballjes kishte vite që ishte në ndërtim.

*Carla Norrlöf është profesoreshë e Shkencave Politike në Universitetin e Torontos.

Copyright: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0