Ekspozita lëvizëse “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë” u çel ditën e djeshme në Shkodër, duke sjellë për publikun një udhëtim historik në një shekull zhvillimesh monetare dhe institucionale në Shqipëri.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, studiues, pedagogë, nxënës dhe qytetarë të interesuar për historinë ekonomike të vendit.
Në fjalën përshëndetëse, Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, zj. Ahmetaj, e cilësoi ndalesën në Shkodër si simbolike, duke theksuar rolin e qytetit si një qendër e rëndësishme e kujtesës kombëtare dhe zhvillimit urban e tregtar shqiptar.
Ajo nënvizoi se historia e parasë përfaqëson më shumë sesa zhvillimin e institucioneve financiare, duke reflektuar proceset shtetformuese, krizën, reformën dhe besimin publik ndër dekada. Sipas saj, ekspozita është konceptuar si një udhëtim në kohë, përmes të cilit publiku mund të njohë historinë e Shqipërisë nëpërmjet evoluimit të sistemit monetar dhe bankës qendrore.
Lexo edhe: Rutte siguron Europën: Do mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s
Ekspozita përfshin dokumente arkivore, fotografi, kartëmonedha dhe monedha origjinale, materiale ligjore dhe dëshmi historike që nisin nga fundi i shekullit XIX, me vizionin e Rilindjes Kombëtare për krijimin e një banke shqiptare, për të vijuar me themelimin e Banka Kombëtare e Shqipnis në vitin 1925, periudhat e luftës, ekonominë e centralizuar, tranzicionin e viteve ’90 dhe rolin e sotëm të Bankës së Shqipërisë si bankë qendrore moderne.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe figurave historike dhe transformimeve politike e ekonomike që janë reflektuar në monedhë dhe kartëmonedhë ndër vite.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun nga 3 deri më 7 mars dhe synon të promovojë edukimin financiar dhe historik, veçanërisht tek të rinjtë.
BSH
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto