Një valë protestash online po inkurajon përdoruesit të anulojnë abonimet e tyre tek ChatGPT, pas një marrëveshjeje të diskutueshme midis OpenAI dhe Pentagonit për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në rrjetet e klasifikuara ushtarake.
Lëvizja e njohur si “QuitGPT” thotë se mbi 1.5 milion njerëz kanë marrë pjesë, duke anuluar abonime, duke shpërndarë mesazhe bojkoti në rrjetet sociale ose duke u regjistruar në quitgpt.org. Shkak për reagimin e fuqishëm u bë vendimi i CEO të OpenAI, Sam Altman, që të pranonte kërkesat e Pentagonit për përdorim të gjërë të modeleve të kompanisë.
Kjo erdhi menjëherë pasi CEO i Anthropic, Dario Amodei, refuzoi të jepte qasje të pakufizuar të AI-së së kompanisë për projektet ushtarake amerikane, duke argumentuar se përdorimi i tillë mund të dëmtojë vlerat demokratike dhe se teknologjia aktuale nuk është gati për operacione të tilla të sigurta.
Lexo edhe:Uljan Sharka ndërton një nga superkompjuterët më të mëdhenj për Inteligjencën Artificiale
Sipas QuitGPT, OpenAI ka vënë fitimin mbi sigurinë publike. Organizata akuzon kompaninë se ka lejuar Pentagonin të përdorë teknologjinë e saj për “çdo qëllim ligjor”, përfshirë robotët vrasës dhe mbikëqyrjen masive të qytetarëve, duke rrezikuar jetën e miliona njerëzve.
Lëvizja fton përdoruesit të kalojnë në alternativa më të sigurta dhe me burim të hapur, si Confer, Alpine dhe Lumo, si dhe konkurrentët korporativë Gemini nga Google dhe Claude nga Anthropic. Protesta e parë fizike ndaj OpenAI është planifikuar më 3 mars në selinë e kompanisë në San Francisco. QuitGPT po nxjerr në pah një shqetësim më të gjerë: përdorimi i AI në projekte ushtarake pa mbikëqyrje të duhur mund të krijojë rreziqe serioze për shoqërinë globale, dhe përdoruesit po kërkojnë mënyra për të mbrojtur privatësinë dhe etikën teknologjike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto