Muaji janar ka parë një rritje rekord të kursimeve në monedhën vendase, të ndikuara nga bizneset private dhe institucionet publike, ndërsa depozitat në valutë kanë shfaqur tendencë rënëse, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Në muajin e parë të vitit, depozitat e individëve, bizneseve e institucioneve të tjera kanë arritur në 737 miliardë lekë, duke u rritur me një rekord prej 26 miliardë lekësh, ose 4% në krahasim me dhjetor 2025. Me bazë vjetore (janar 2026/janar 2025), kursimet në monedhën vendase janë shtuar me 85 miliardë lekë, ose 13.1%.
Rritja e pazakontë e janarit është ndikuar kryesisht nga kursimet e bizneseve, që u zgjeruan me 10% (+11 miliardë lekë), si dhe e korporatave publike, me 36% (+9 miliardë lekë), ndërsa kursimet e individëve kanë pasur një ecuri normale.
Në të kundërt, depozitat në valutë shënuan një rënie të lehtë, duke zbritur në 8.7 miliardë lekë, me një tkurrje prej 37 mln euro, ose 0.4% më pak në raport me dhjetorin. Me bazë vjetore, kursimet në monedhën e përbashkët janë rritur me 629 milionë euro, ose 7.7%.
Banka e Shqipërisë e raporton stokun e kursimeve totale në lekë dhe euro të konvertuara në monedhën vendase, që në fund janarit arriti në 1.5 trilionë lekë (mbi 15 miliardë euro). Por, për shkak të rënies së monedhës së përbashkët vitet e fundit, stoku i depozitave në euro i raportuar në lekë, rezulton më i ulët.
Edhe në 2025-n depozitat shënuan rritje rekord në lekë
Në vitin 2025, depozitat në monedhën vendase kanë shënuar rritjen më të lartë historike. Në të kundërt shtesa e kursimeve në euro është ngadalësuar në raport me vittet e mëparshme.
Në fund të vitit 2025, në banka ishin të depozituara në monedhën vendase 710.6 miliardë lekë. Ky është niveli më i lartë historik i kursimeve në lekë i regjistruar ndonjëherë.
Ndryshe nga kursimet në monedhën vendase, ato në euro u ngadalësuan në raport me vitet e mëparshme, pavarësisht se kanë vazhduar rritjen. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bizneset, individët e institucionet e tjera kishin në banka në fund të vitit 2025 rreth 8.7 miliardë euro.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto