DeepSeek ka trajnuar modelin e ri të inteligjencës artificiale me çipin më të avancuar të Nvidia-s, pavarësisht ndalimit nga SHBA - Business Magazine Albania

DeepSeek ka trajnuar modelin e ri të inteligjencës artificiale me çipin më të avancuar të Nvidia-s, pavarësisht ndalimit nga SHBA

DeepSeek ka trajnuar modelin e ri të inteligjencës artificiale me çipin më të avancuar të Nvidia-s, pavarësisht ndalimit nga SHBA

Startupi kinez i inteligjencës artificiale DeepSeek e ka trajnuar modelin e tij më të ri të AI me çipin më të avancuar të Nvidia-s, të quajtur Blackwell, pavarësisht se SHBA-ja e ka ndaluar eksportin e këtyre çipeve drejt Kinës. Këtë e ka konfirmuar një zyrtar i lartë i administratës Trump, duke ngritur dyshime serioze për shkelje të rregullave amerikane të eksportit.

Sipas zyrtarit amerikan, DeepSeek pritet të heqë disa tregues teknikë që mund të tregojnë se ka përdorur çipa amerikanë. Po ashtu, mendohet se këta çipa Blackwell ndodhen të përqendruar në një qendër të dhënash (data center) të DeepSeek në Mongolinë e Brendshme, një rajon autonom në Kinë. Zyrtari nuk tregoi se si e ka marrë qeveria amerikane këtë informacion dhe as se si DeepSeek i ka siguruar çipat, por theksoi se politika e SHBA-së është e qartë: “Ne nuk dërgojmë çipa Blackwell në Kinë.”

Ambasada kineze në Uashington reagoi duke thënë se Pekini kundërshton “ndarjet ideologjike, zgjerimin e tepruar të konceptit të sigurisë kombëtare, përdorimin e gjerë të kontrolleve të eksportit dhe politizimin e çështjeve ekonomike, tregtare dhe teknologjike.” E pyetur për raportimin e Reuters në një konferencë të rregullt për shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, tha se nuk ishte në dijeni të detajeve dhe se Kina e ka bërë tashmë të qartë qëndrimin e saj ndaj politikave të SHBA-së për eksportin e çipeve drejt Kinës. Konfirmimi nga ana e qeverisë amerikane se DeepSeek ka siguruar çipat Blackwell pritet të thellojë edhe më shumë ndarjet brenda politikës amerikane, pasi ligjvënësit po përpiqen të vendosin kufijtë se deri ku duhet lejuar qasja e Kinës në teknologjinë më të avancuar të inteligjencës artificiale. Shefi i politikave për AI në Shtëpinë e Bardhë, David Sacks, dhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, kanë argumentuar se shitja e çipeve të avancuara në Kinë do ta ngadalësonte përpjekjen e kompanive kineze, si Huawei, për të arritur teknologjinë e Nvidia-s dhe AMD-së.

Nga ana tjetër, politikanët më kritikë ndaj Kinës paralajmërojnë se këto çipa mund të përdoren lehtësisht për qëllime ushtarake dhe të forcojnë kapacitetet e ushtrisë kineze, duke rrezikuar avantazhin e SHBA-së në fushën e AI-së. “Kjo tregon pse eksportimi i çdo çipi të avancuar për AI drejt Kinës është shumë i rrezikshëm,” tha Chris McGuire, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën e mëparshme amerikane. “Sapo kompanitë kryesore kineze të AI po shkelin hapur rregullat amerikane të eksportit, nuk ka asnjë arsye të besojmë se do të respektojnë kufizimet për përdorimin e këtyre çipeve për qëllime ushtarake,” shtoi ai.

Lexo edhe:Njihuni me Punch, majmunin e vogël të braktisur nga nëna, që ka fituar zemrat e miliona njerëzve!

Shqetësimet e SHBA-së

Rregullat amerikane të eksportit, të menaxhuara nga Departamenti i Tregtisë, aktualisht ndalojnë dërgimin e çipeve Blackwell në Kinë. Në gusht, presidenti amerikan Donald Trump kishte lënë të hapur mundësinë që Nvidia të shiste një version më të dobët të çipit Blackwell në Kinë. Më pas, ai u tërhoq nga kjo ide, duke sugjeruar se çipat më të avancuar duhet të rezervohen për kompanitë amerikane dhe të mos shiten në Kinë. Në dhjetor, vendimi i Trump për të lejuar kompanitë kineze të blinin çipin e dytë më të avancuar të Nvidia-s, të quajtur H200, u kritikua ashpër nga politikanët kundër Kinës. Megjithatë, dërgesat e këtyre çipeve ende nuk kanë nisur, për shkak të kushteve të rrepta të miratimit.

“Fakti që kompanitë kineze të AI po varen nga çipa Blackwell të futur kontrabandë tregon sa prapa janë në prodhimin e çipeve të tyre dhe pse miratimi i shitjes së H200-ve do të ishte për to një shpëtim i madh,” tha Saif Khan, ish-drejtor për teknologjinë dhe sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtari amerikan nuk pranoi të komentojë nëse ky zhvillim i ri do të ndikojë vendimin e administratës Trump për t’i lejuar apo jo DeepSeek-ut blerjen e çipeve H200. Sipas zyrtarit, modeli i ri i DeepSeek është trajnuar edhe duke përdorur metoda të ashtuquajtura “distilim”, duke u mbështetur te modelet e kompanive amerikane si Anthropic, Google, OpenAI dhe xAI, një akuzë e bërë më herët edhe nga OpenAI dhe Anthropic. Teknika e “distilimit” nënkupton që një model më i vjetër dhe më i fuqishëm i AI vlerëson përgjigjet e një modeli më të ri, duke i transferuar këtij të fundit njohuritë dhe aftësitë e fituara.

DeepSeek, me seli në Hangzhou, tronditi tregjet në fillim të vitit të kaluar, pasi prezantoi modele të AI që konkurronin me disa nga produktet më të mira amerikane. Kjo rriti shqetësimet në Uashington se Kina mund të afrohet shpejt me SHBA-në në garën për inteligjencën artificiale, pavarësisht kufizimeve.

reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0