Sot shënohen 4 vjet nga agresioni rus mbi Ukrainën. Ndërsa konflikti vazhdon ende të jetë i ndezu, peisazhi gjeopolitik europian po bëhet më i pasigurt, ashtu sikundër ai ekonomik. Agresioni rus në Ukrainë erdhi në një moment delikat të ekonomisë europiane ku shumë biznese ende nuk e kishin marr veten nga pasojat e pandemisë së Covid 19.
Afërsia gjeografike e Bashkimit Europian me luftën e Rusisë kundër Ukrainës ka rënduar mbi ekonominë që prej sulmit të parë në shkurt 2022, duke frenuar rimëkëmbjen pas pandemisë dhe duke shtuar pasigurinë për perspektivën e ardhshme. Një raport i Komisionit Europian i fundit të vitit të kaluar (2025) nxjerr në pah se afërsia gjeografike me luftën në Ukrainë i kushton BE-së rritje ekonomike e cila shkon deri në 2 pikë përqindjeje për çdo 1 000 km më pranë konfliktit
Analiza konfirmon dallime të konsiderueshme në rritjen e PBB-së dhe në kushtet makroekonomike, të lidhura drejtpërdrejt me distancën nga zona e luftës. Gjatë viteve 2022–2023, humbja në rritjen vjetore vlerësohet rreth 2 pikë përqindjeje për çdo 1 000 kilometra më afër konfliktit. Për shtetet që kufizohen me vendet në luftë, humbja e rritjes llogaritet rreth 1.4–1.8 pikë përqindjeje. Kur analiza zgjerohet për të përfshirë edhe vitin 2024, efektet duken disi më të zbutura.
Vendet më pranë luftës, me performancë më të dobët
Që nga viti 2019, shtetet anëtare më të afërta me rajonin në luftë kanë performuar më dobët në terma të rritjes reale të PBB-së. Kjo bëhet edhe më e dukshme nëse merret parasysh se gjatë periudhës 2013–2019 ato kishin norma mesatare më të larta rritjeje.
Veçanërisht të prekura janë tetë vendet që kufizohen drejtpërdrejt me Ukrainën ose Rusinë: Estonia, Finlanda, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia. Këto ekonomi, që përpara luftës kishin rritje mbi mesataren e BE-së, pësuan tkurrje më të theksuar pas vitit 2022.
Krahasimi i parashikimeve të vjeshtës 2021, të fundit përpara pushtimit rus me rezultatet reale për 2022–2023 tregon një devijim të fortë negativ. Për vendin mesatar të grupit të 13 shteteve më të afërta me luftën, rritja mesatare vjetore e PBB-së ishte 1.9 pikë përqindjeje më e ulët se parashikimi para luftës.
Vendet kufitare rezultojnë më vulnerabël: vendi mesatar kufitar humbi mbi 1 pikë përqindjeje rritje në vit krahasuar me mesataren e BE-së.
Lexo edhe: A po largohet Lagarde? Banka Qendrore mohon zerat për dorëheqje
Si transmetohet ndikimi ekonomik i afërsisë gjeografike?
Ekzistojnë disa kanale përmes të cilave afërsia gjeografike amplifikon ndikimin ekonomik të luftës:
Tregtia – Vendet më pranë Rusisë dhe Ukrainës kanë lidhje më të forta tregtare me to, çka i bën më të ekspozuara ndaj sanksioneve dhe ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit.
Energjia – Këto ekonomi operojnë më energji-intensive dhe më të varura nga gazi dhe nafta ruse.
Financat – Afërsia mund të përkthehet në prime më të larta risku dhe norma më të shtrenjta financimi, veçanërisht jashtë eurozonës.
Migracioni – Vendet fqinjë pritën numër të madh të zhvendosurish nga Ukraina, duke rritur konsumin dhe ofertën e punës, por edhe kostot fiskale afatshkurtra.
Siguria dhe investimet – Rritja e shqetësimeve për sigurinë ndikoi në vendimet e investimit publik dhe privat.
Studime empirike, përfshirë analiza nga Parlamenti Europian, konfirmojnë se çmimet e energjisë, ndërprerjet e furnizimit dhe rënia e besimit konsumator kanë pasur ndikim më të fortë në vendet më pranë konfliktit.
Lufta në Ukrainë nuk ka pasur të njëjtin ndikim për të gjithë Europën. Gjeografia ka bërë diferencën dhe për vendet më pranë frontit, çmimi ekonomik ka qenë dukshëm më i lartë.
Rritja e shpenzimeve ushtarake
Rritja e shpenzimeve ushtarake nga shtetet e Bashkimit Europian është intensifikuar sidomos pas agresionit rus, duke reflektuar një fokus më të madh në sigurinë dhe mbrojtjen kolektive. Shumë vende anëtare të Bashkimi Europian kanë rritur buxhetet e mbrojtjes për të modernizuar pajisjet ushtarake, për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe për të përmbushur objektivat e NATO për shpenzime në nivelin 2% të PBB-së. Kjo rritje synon të garantojë stabilitet afatgjatë, të përforcojë bashkëpunimin mes vendeve anëtare dhe të rrisë gatishmërinë përballë kërcënimeve të reja gjeopolitike në kontinentin europian.
Bankat, përballë rrezikut të kreditimit
Aktualisht, rreziku më i madh lidhet me ekspozimin e bankave ndaj sektorëve më të prekur nga ndërprerjet tregtare: kimikate, transport, ushqim dhe bujqësi. Megjithatë, mesatarisht vetëm 30% e kredive bankare në BE janë dhënë për sektorë në rrezik.
Në këtë kuptim kërcënimi më i madh për ekonominë është mundësia që kreditimi të thahet. Rritja e normave të interesit po i bën kreditë më të shtrenjta, ndërsa standardet e kreditimit janë shtrënguar në Europën Qendrore dhe Juglindore. Presioni mbi bizneset e BE-së mund të përkeqësojë cilësinë e kredive, duke i bërë bankat më hezituese për të financuar ekonominë.
Kriza humanitare
Sipas Eurostat, deri më 31 dhjetor 2o25 janë plot 4.35 milionë ukrainas nën mbrojtje të përkohshme në BE. Çekia kryeson për frymë, Gjermania për numër total
Që nga shkurti 2022, vendet e BE-së kanë ofruar mbrojtje të përkohshme për gati 6.9 milionë persona që u larguan nga Ukraina.
Tre vende kanë lëshuar pothuajse dy të tretat (64.1%) e të gjitha vendimeve:
Polonia – 2 123 865 (30.9%)
Gjermania – 1 535 165 (22.4%)
Çekia – 739 010 (10.8%)
Në vitin 2025, numri i vendimeve të reja ra në 683 395, krahasuar me 794 845 në 2024-ën. Rëniet më të mëdha absolute u regjistruan në Gjermani (-54 595), Poloni (-13 045) dhe Rumani (-9 695). Rritjet më të dukshme u shënuan në Danimarkë, Lituani dhe Letoni.
4 vjet pas nisjes së luftës, të dhënat tregojnë një stabilizim relativ të fluksit, por me diferenca të mëdha mes vendeve, si në numër total, ashtu edhe në barrën për frymë. Europa vijon të mbajë një nga skemat më të mëdha të mbrojtjes së përkohshme në historinë e saj moderne./BusinessMag
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto