Agjërimi i ndërprerë, i njohur si “intermittent fasting”, është promovuar vitet e fundit si një nga strategjitë më efektive për humbje peshe. Por një analizë e re shkencore sugjeron se kjo metodë mund të mos jetë më efikase sesa qasjet tradicionale për dobësim, madje, në disa raste, mund të mos bëjë ndonjë ndryshim domethënës.
Intermittent fasting bazohet në alternimin e periudhave të agjërimit me periudha ushqimi brenda një intervali të caktuar kohor. Një nga format më të përhapura është skema 16:8, ku personi agjëron për 16 orë dhe konsumon ushqim brenda një dritareje 8-orëshe. Një tjetër model është 5:2, ku ha normalisht për pesë ditë në javë dhe kufizon ndjeshëm kaloritë në dy ditët e tjera.
Ideja kryesore e kësaj metode është se kufizimi i orareve të ushqimit çon në uljen e përgjithshme të kalorive të marra gjatë ditës.
Lexo gjithashtu: Mos e hidhni lëkurën e portokallit, ja si mund të ndikojë në shëndet
Megjithatë, sipas një rishikimi të publikuar dhe të raportuar nga New Scientist, agjërimi i ndërprerë nuk rezulton të jetë më efektiv për humbje peshe sesa numërimi i kalorive apo këshillat tradicionale dietike.
Studimi u drejtua nga Luis Garegnani i Ospedale Italiano di Buenos Aires, i cili së bashku me ekipin e tij analizoi 22 studime të randomizuara dhe të kontrolluara. Në total, u përfshinë rreth 2,000 të rritur nga Amerika e Veriut, Evropa, Kina, Australia dhe Amerika e Jugut, të moshës 18 deri në 80 vjeç, të gjithë mbipeshë ose obezë.
Rezultatet treguan se, me gjasë, nuk ka diferencë domethënëse në humbje peshe mes atyre që praktikojnë agjërimin e ndërprerë dhe atyre që ndjekin këshilla standarde për dietë. Po ashtu, kur u krahasua me mungesën e aktivitetit fizik, metoda nuk tregoi avantazh të qartë në rënien në peshë.
Sipas Garegnani-t, “agjërimi i ndërprerë nuk duket se funksionon si zgjidhje efektive për të rriturit mbipeshë ose obezë që synojnë të humbin peshë”. Megjithatë, ai thekson se mospërputhjet mes studimeve e bëjnë të vështirë nxjerrjen e përfundimeve përfundimtare.
Analiza u fokusua kryesisht te humbja e peshës, ndaj mbetet e paqartë nëse kjo metodë ka efekte të tjera shëndetësore. Disa studime sugjerojnë rritje të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, ndërsa të tjera flasin për përmirësim të funksionit imunitar dhe të sistemit tretës.
Në përfundim, ekspertët theksojnë se agjërimi i ndërprerë nuk është një “zgjidhje mrekullie”. Ai mund të funksionojë për disa individë, por nuk duhet të zëvendësojë strategjitë më të gjera dhe të qëndrueshme për parandalimin dhe menaxhimin e obezitetit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto