Bordi i Paqes i Trump ndez tensionet në Bruksel, BE dhe Von der Leyen nën kritika - Business Magazine Albania

Bordi i Paqes i Trump ndez tensionet në Bruksel, BE dhe Von der Leyen nën kritika

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Komisionerja e BE-së për Mesdheun, Dubravka Šuica, ndodhet sot në Uashington për takimin inaugurues të Bordit të Paqes të Donald Trump, duke lënë pas një stuhi kritikash në Bruksel. Pyetja që shtrojnë diplomatët dhe ligjvënësit: Pse Komisioni merr pjesë në një nismë që shumë kryeqytete europiane kanë refuzuar ta mbështesin?

Pjesëmarrja e saj u debatua në mbledhjen e ambasadorëve të BE-së të mërkurën, me Francën dhe Belgjikën veçanërisht kritike, sipas tre diplomatëve. Kundërshtimet u fokusuan në dy pika: Komisioni nuk ka mandat nga shtetet anëtare dhe pjesëmarrja rrezikon të legjitimojë një forum që mund të anashkalojë Kombet e Bashkuara. Shërbimi juridik i Këshillit Europian ka ngritur gjithashtu shqetësime për detyrimin e Komisionit për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare.

Në korridoret e Berlaymont-it qarkullojnë tre argumente në mbrojtje të udhëtimit të Šuicës:

-Jemi vetëm për të vëzhguar. Komisioni nuk po dërgon presidenten Ursula von der Leyen, megjithëse ajo ishte e ftuar. Në vend të saj, po dërgon një komisionere për të ndjekur dhe raportuar, pa i dhënë kredibilitet të plotë procesit.

-Mund ta kufizojmë fushëveprimin. Ekzekutivi druhet se bordi mund të zgjerojë mandatin e tij për konflikte të tjera, përfshirë Ukrainën. Dërgimi i komisioneres për Mesdheun sinjalizon se BE është aty për rindërtimin e Gazës dhe jo më shumë.

-Jemi tashmë të përfshirë. Si mbështetës financiar dhe politik kyç i palestinezëve, BE këmbëngul se nuk mund të qëndrojë jashtë diskutimeve për të ardhmen e Gazës.

Lexo edhe: A po largohet Lagarde? Banka Qendrore mohon zerat për dorëheqje

“Europa nuk është spektatore,” tha Šuica për Playbook përpara nisjes. “Bashkimi Europian është një aktor qendror në Lindjen e Mesme, politikisht, financiarisht dhe strategjikisht.”

Megjithatë, administrata Trump nuk ka treguar interes për një linjë diplomatike paralele të BE-së. SHBA nuk dërgoi përfaqësues në konferencën e donatorëve për Palestinën në Bruksel në nëntor dhe Autoriteti Palestinez është lënë jashtë vendimmarrjes së nivelit të lartë në Bord.

Kritikët në Bruksel mbeten skeptikë. Eurodeputeti socialist Bando Benifei tha se “nuk ka vlerë të shtuar reale, as për çështjen e Gazës”.

Takimi në Institutin e Paqes Donald J. Trump nis në 08:30 (14:30 me orën e Brukselit). Plani 20-pikësh i Trump për Palestinën, përfshirë demilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës, do të jetë në qendër.

Përplasje për sigurinë në parlament 

Kryetari i Komitetit të Buxheteve në Parlamentin Europian, Johan Van Overtveldt, është akuzuar për “poshtërim verbal” të një punonjëseje sigurie pas një përplasjeje për një kartë hyrjeje të skaduar. Sindikata e stafit parlamentar USPE i ka dërguar një ankesë presidentes së Parlamentit, Roberta Metsola.

Van Overtveldt i ka mohuar akuzat, duke thënë se punonjësja kishte qenë “ofenduese” dhe se nuk mban mend fjalët e sakta të përdorura.

Spekulime për mandatin e BQE

Financial Times sugjeroi se presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, mund të largohet para përfundimit të mandatit në tetor 2027. Kjo ka ringjallur skenarët e “paketës së posteve”, si në vitin 2019, kur negociatat për dy pozicione u zgjeruan në katër.

Një largim i parakohshëm mund të hapë pazare të reja politike në Bruksel, megjithëse BQE mbetet formalisht institucion i pavarur.

Greoelanda në fokus

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ndodhet në Norvegji, ndërsa shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, viziton Suedinë. Fokusi i vizitave: mbrojtja dhe siguria, me luftën e Rusisë në Ukrainë në qendër të diskutimeve.

Përplasja për klimën

Në takimin ministror të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) në Paris, SHBA po ushtron presion për të reduktuar fokusin mbi klimën. Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, kërkoi braktisjen e modelimeve “net-zero”.

Komisioneri europian për Energjinë, Dan Jørgensen, theksoi se IEA mbetet “shtyllë e besueshme e komunitetit global të energjisë” dhe se BE mbështet fort misionin e saj për një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme.

Politico.eu

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Është e kotë të merresh me mundësitë që ke humbur. Asnjëherë nuk mund ta dish nëse i ke shpëtuar vdekjes apo ke humbur shansin e jetës.”
— Margaret Mazzantini
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0