“Një Europë, një treg”,Macron vendos afatin e qershorit për paketën e rilançimit ekonomik - Business Magazine Albania

“Një Europë, një treg”,Macron vendos afatin e qershorit për paketën e rilançimit ekonomik

Liderët e Bashkimit Europian u mblodhën për një retreat njëditor në Alden Biesen Castle, me pjesëmarrjen edhe të ish-kryeministrit italian Mario Draghi. Presidenti francez theksoi nevojën për vendime konkrete, duke insistuar se nuk duhet të ketë “tabu”.

Krerët e BE-së diskutuan mënyra të reja për të ringjallur ekonominë e bllokut, për të hequr barrierat rregullatore dhe për të tërhequr investime, përballë konkurrencës në rritje nga SHBA dhe Kina.

Sipas Euronews, Macron vendosi si afat Këshillin Europian të qershorit për të arritur marrëveshje mbi një paketë për rilançimin e ekonomisë europiane.

“Ndajmë të njëjtin ndjenjë urgjence… duhet të veprojmë menjëherë dhe të përshpejtojmë,” deklaroi ai, duke përmendur barrën e konkurrencës ndërkombëtare dhe, në veçanti, tarifat amerikane. “Nëse në qershor nuk kemi perspektiva konkrete dhe përparim të prekshëm, do të vazhdojmë me bashkëpunim të përforcuar.”

Draghi, autor i një raporti me ndikim mbi konkurrueshmërinë, u bëri thirrje liderëve të shqyrtojnë përdorimin e mekanizmit të “bashkëpunimit të përforcuar” për të lëvizur më shpejt me reforma në grupe më të vogla shtetesh anëtare. Ky instrument u përdor për herë të fundit në dhjetor për të miratuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën pa pjesëmarrjen e Hungarisë, Sllovakisë dhe Çekisë.

Përplasja për Eurobondet

Kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh kategorikisht kundër borxhit të përbashkët europian, të njohur si Eurobonde.

“Unë nuk do ta mbështes idenë e Eurobondeve,” tha Merz, duke theksuar kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë. Ai shtoi se borxhi i përbashkët është përdorur vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si fondi i rimëkëmbjes pas COVID-19 dhe kredia për Ukrainën.

Qëndrimi i tij bie ndesh me atë të Macron, i cili ka bërë thirrje për “Eurobonde të orientuara nga e ardhmja” për të financuar investimet strategjike.

“Një Europë, një treg” deri në 2027

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, njoftoi se liderët synojnë të kalojnë nga koncepti i tregut të vetëm drejt një qasjeje “Një Europë, një treg” deri në vitin 2027.

Ideja buron nga një raport i ish-kryeministrit italian Enrico Letta, i cili propozoi reforma të thella për të rritur konkurrueshmërinë e BE-së. Sipas Letta-s, matrica e re do të bazohet në tre shtylla vertikale; energji, ndërlidhje dhe tregje financiare  dhe tre elemente horizontale, përfshirë “lirinë e pestë” dhe një regjim të ri të unifikuar për bizneset.

Lexo edhe: Shumica e europianëve presin rritje të çmimeve të ushqimeve gjatë 2026-ës

Regjimi i 28-të dhe marka “Made in Europe”

Liderët ranë dakord të përshpejtojnë punën për të ashtuquajturin “regjimi i 28-të”, një kornizë e re ligjore që do t’u ofrojë kompanive një set të vetëm rregullash korporative në të gjithë BE-në.

Po ashtu, u diskutua dhënia e trajtimit preferencial për kompanitë europiane në mënyrë “proporcionale” dhe “të synuar”. Franca shtyn për një qasje “Made in Europe” në prokurimet publike, ndërsa Gjermania preferon një formulë më të gjerë që përfshin vendet me marrëveshje tregtare me BE-në.

Unioni i kursimeve dhe investimeve

Costa konfirmoi mbështetje unanime për përshpejtimin e Unionit të Kursimeve dhe Investimeve, një paketë legjislative që synon të kanalizojë një pjesë të kursimeve europiane drejt investimeve në bizneset e BE-së.

Sipas presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përfundimi i këtij unioni mund të çlirojë deri në 470 miliardë euro investime. Ajo paralajmëroi se nëse 27 shtetet nuk arrijnë progres deri në fund të vitit, do të propozojë ecjen përpara me një grup më të vogël vendesh përmes bashkëpunimit të përforcuar.

Energjia, tregtia dhe ETS

Von der Leyen dhe Costa mbrojtën Sistemin Europian të Tregtimit të Emisioneve (ETS), duke theksuar se dekarbonizimi dhe rritja ekonomike mund të ecin paralelisht.

Ndërkohë, Merz konfirmoi se Komisioni synon të zbatojë përkohësisht marrëveshjen tregtare me Mercosur, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Franca për shkak të shqetësimeve të fermerëve.

Objektivi i marsit

Von der Leyen premtoi se në samitin formal të marsit do të paraqesë një “roadmap” me afate dhe objektiva të detajuara për “Një Europë, një treg”, me pesë blloqe kryesore: thjeshtim rregullator, tregun e vetëm, energjinë, digjitalen dhe tregtinë.

Mes ndasive për financimin dhe Eurobondet, një gjë duket e qartë: BE-ja ndjen presionin e kohës. Qershori është afati i Macron-it për vendime konkrete. Nëse kompromisi nuk arrihet, Europa mund të hyjë në një fazë të re integrimi me ritme të ndryshme.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0