Një safir yll vjollcë me peshë marramendëse 3,563 karat është zbuluar në Sri Lanka, duke u konsideruar si një nga gurët e çmuar më të rrallë të këtij lloji në botë. Guri është pagëzuar me emrin “Ylli i Tokës së Pastër” (Purple Star) dhe besohet të jetë safiri natyror yll më i madh i zbuluar ndonjëherë.
Safirët yll dallohen për fenomenin optik të njohur si asterizëm, i cili krijon një model ylli të ndritshëm në sipërfaqen e gurit. Sipas gemologut konsulent Ashan Amarasinghe, ky safir paraqet një asterizëm të qartë me gjashtë rreze – një tipar i rrallë dhe shumë i vlerësuar në botën e gurëve të çmuar.
Efekti i yllit shkaktohet nga përfshirje mikroskopike të mineralit rutil brenda gurit. Kur pritet në formë kaboçoni, këto përfshirje reflektojnë dritën në mënyrë të tillë që formojnë figurën karakteristike me rreze të barabarta.
Megjithëse vlera përfundimtare nuk është konfirmuar zyrtarisht, ekspertët ndërkombëtarë e kanë vlerësuar safirin mes 300 dhe 400 milionë dollarëve. Nëse këto shifra konfirmohen, ai do të renditej ndër gurët e çmuar më të shtrenjtë të zbuluar ndonjëherë.
Sipas pronarëve, të cilët kanë zgjedhur të mbeten anonimë për arsye sigurie, guri u gjet në vitin 2023 në një gropë gurësh pranë qytetit të Rathnapura, i njohur si “qyteti i gurëve të çmuar”. Fillimisht u ble së bashku me gurë të tjerë, por vetëm pas analizave dhe certifikimeve nga dy laboratorë të specializuar u konfirmua se bëhej fjalë për një zbulim të jashtëzakonshëm.
Zbulimi i “Purple Star” rikthen vëmendjen te Sri Lanka, një nga vendet më të njohura në botë për rezervat e saj të safirëve dhe gurëve të tjerë të çmuar me cilësi të lartë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto