Shqipëria po prezanton produktet e saj bio në panairin ndërkombëtar BIOFACH 2026, që zhvillohet nga 10 deri më 13 shkurt në Nuremberg, Gjermani. Pesë kompani shqiptare janë pjesë e pavijonit kombëtar, duke prezantuar fruta, perime, vaj ulliri dhe produkte të tjera organike, të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare.
Agjencia Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA), bën të ditur se, pjesëmarrja e Shqipërisë në BIOFACH ka një rëndësi strategjike për vendin, duke nxjerrë në pah cilësinë e produkteve organike “Made in Albania” dhe duke krijuar mundësi konkrete për zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare.
Ky prezantim i produkteve shqiptare synon të forcojë imazhin e Shqipërisë si eksportues i produkteve të qëndrueshme dhe organike, të rrisë eksporte të reja dhe të nxisë bashkëpunime me partnerë globalë në sektorin agro-ushqimor.
Panairi BIOFACH është një nga ngjarjet më prestigjioze ndërkombëtare për industrinë organike, dhe pjesëmarrja e Shqipërisë pasqyron vlerësimin e produktit shqiptar në tregjet europiane dhe globale.
AIDA thekson se ky aktivitet është pjesë e strategjisë kombëtare për zhvillimin e bizneseve organike dhe promovimin e eksporteve “Made in Albania”, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së vendit në sektorin agro-ushqimor.
Produktet bujqësore shqiptare eksportohen aktualisht në rreth 85 tregje ndërkombëtare, duke përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, SHBA, Zvicrën, Lindjen e Mesme dhe disa vende të Azisë.
Llojet kryesore të produkteve janë: fruta dhe perime të freskëta (shegë, mollë, qitro, domate, speca, etj.)pProdukte të përpunuara (konserva, reçela, lëngje frutash); vaj ulliri; vera dhe pije tradicionale; produkte organike dhe “bio”, që po rritin vazhdimisht kërkesën ndërkombëtare.
Në 2–3 vitet e fundit, eksportet bujqësore shqiptare kanë shënuar një rritje të qëndrueshme mbi 10–15% në vit, falë modernizimit të sektorit, certifikimeve ndërkombëtare dhe përmirësimit të standardeve higjieno-sanitare. Përdorimi i markës “Made in Albania” është një hap i rëndësishëm. Për të rritur vlerën e produktit, Shqipëria po investon në branding dhe certifikim organik, duke nxjerrë në pah cilësinë dhe sigurinë ushqimore të produkteve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto