Google po përgatitet të rikthejë një nga funksionet më të kërkuara në aplikacionin Google Messages: historikun e ndryshimeve të mesazheve (Edit History). Ky opsion, i cili ishte hequr në një përditësim të mëparshëm dhe kishte shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e përdoruesve, pritet të rikthehet me versionin e ardhshëm të aplikacionit.
Funksioni lejon shikimin e versioneve të mëparshme të një mesazhi të redaktuar, duke rritur transparencën në komunikim. Sipas të dhënave të zbuluara nga analiza e kodit të versionit më të ri, përdoruesit do të mund të aksesojnë të gjitha ndryshimet përmes seksionit “Info”. Aty do të shfaqet teksti origjinal, redaktimet pasuese dhe koha kur janë bërë ato.
Ky rikthim pritet të forcojë besueshmërinë në komunikimin përmes mesazheve RCS, duke shmangur ndryshimet “pa gjurmë” të përmbajtjes. Aktualisht, funksioni ndodhet në fazë testimi dhe fillimisht do të jetë i disponueshëm për përdoruesit e versionit beta, përpara se të zgjerohet për të gjithë.
Ndërkohë, Google ka zbuluar edhe modelin e ri Pixel 10a, smartfonin me çmim të përballueshëm që pritet të lançohet zyrtarisht brenda dy javësh. Porositë paraprake do të hapen më 18 shkurt. Një video paralajmëruese tregon një dizajn paksa të përditësuar dhe një nga ngjyrat e reja të pajisjes, megjithëse modeli i ri duket se ruan linjat kryesore të Pixel 9a.
Me këto lëvizje, Google po sinjalizon një fokus të dyfishtë, përmirësim të përvojës së komunikimit dhe forcim të ofertës së saj në tregun e smartfonëve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.